MENU
klinika

“Partinë dhe emrin”/ Katër modelet e fletës së votimit

Skema si do zgjidhen deputetët e rinj më 25 prill

11.02.2021 - 13:58

Kur na ndajnë edhe 74 ditë nga zgjedhjet e 25 prillit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka tashmë disa ide se si do të jetë fleta e votimit.

Për shkak të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor pa dakordësinë e opozitës në këto zgjedhje do të kemi disa risi. Si fillim koalicionet nuk do të jenë siç ka qenë formula, por partitë në koalicione nuk do kenë listat e tyre, por do të jenë në një listë. Po ashtu, listat do të jenë pjesërisht të hapura, që do të thotë se qytetarët përveç forcës politike apo koalicionit mund të zgjedhin edhe kandidatin e preferuar. Pikërisht në këto risi, KQZ-ja ka përgatitur edhe modelet e fletës së votimit që po diskutohen.

MODELI I PARË I FLETËS SË VOTIMIT

Që në fillim duhet të sqarojmë se Shqipëria ka sistem zgjedhor proporcional rajonal. Kjo nënkupton se fleta e votimit do të jetë e ndryshme në të 12 qarqet sa i përket përmbajtjes së saj të emrave të kandidatëve.

Modeli i parë i fletës së votimit që po diskutohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në një kolonë horizontale ka subjektet politike, ose koalicionet dhe për çdo parti apo koalicion në kolonë vertikale janë emrat e kandidatëve sipas çdo koalicioni apo partie.

Nëse kjo do të jetë lista përfundimtare, atëherë qytetarët që do të paraqiten në qendrat e votimit, pasi të kryejnë të gjithë procesin e identifikimit do të marrin fletën e votimit që në listën horizontale do të ketë emrat e partive, ose koalicioneve dhe në kolonën vertikale poshtë çdo subjekti zgjedhor do të ketë emrat e kandidatëve.

Qytetari do të ketë mundësi të votojë subjektin dhe një prej emrave të atij subjekti zgjedhor. Nëse nuk ka preferenca kandidatësh mund të vendosi kryqin vetëm tek emri i partisë. Po ashtu, në këtë rast nëse zgjedhësi vendos vetëm kryqin tek emri i kandidatit, atëherë vota i numërohet partisë apo koalicionit ku kandidati i zgjedhur nga qytetari bën pjesë dhe vetë kandidatit. Ky model ka edhe një tjetër që i ka të gjitha të dhënat të ngjashme plus që përveç emrit, kandidati do të ketë edhe numër identifikues. Procesi i votimit është i njëjtë.

MODELI I TRETË

Fleta tjetër që po diskutohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është një fletë që ka një kolonë të madhe vertikale me emrat e partive apo koalicioneve si subjekte zgjedhore. Në cepin e djathtë të fletës së votimit në fund të çdo emri partie ka një kuti ku do mund të vendos kryqin zgjedhësi për subjektin politik. Ndërsa në pjesën e poshtme të fletës së votimit është kutia me numra. Pra, nëse marrim shembull konkret qarkun e Tiranës.

Fleta e votimit do ketë kolonën vertikale me emrin e subjekteve zgjedhore dhe në pjesën e poshtme të fletës do të ketë numrin që fillon nga 1 deri në 36, duke qenë se qarku i Tiranës prodhon 36 vende në Parlament. Nëse ky do të jetë versioni final, zgjedhësi në ditën e votimit do duhet të vendos kryqin në emrin e partisë ose koalicionit që është në cepin e djathtë të fletës së votimit përballë çdo partie dhe në fund në pjesën e poshtme të fletës do qarkojë numrin që nënkupton edhe kandidatin preferencial të subjektit politik që ka zgjedhur.

Në këtë rast qytetari nëse vendos vetëm kryq te subjekti zgjedhor, atëherë vota i numërohet partisë, ndërsa nëse rrethon vetëm numrin pa zgjedhur partinë, atëherë vota quhet e pavlefshme. Pothuajse e ngjashme është edhe fleta e votimit model numër 4 që po diskutohet në KQZ, veçse numrat e që nënkuptojnë kandidatët preferencial, nuk do të jenë në pjesën e poshtme të fletës së votimit, por përballë kolonës vertikale ku janë shënuar një nga një emrat e subjekteve politike.

RRËZIMI I LISTËS SË KRYETARIT TË PARTISË

Për herë të parë votuesit, përveç forcës politike apo koalicionit që mbështesin, mund të mbështesin edhe kandidatët preferencial. Megjithatë qytetari nuk mund të jetë vendimtar në përzgjedhjen e kandidatit të preferuar. Kjo për shkak se ndryshimi që u bë në tetor të 2020 në Kodin Zgjedhor parashikon që, kryetari i partisë krijon listën dhe kandidatët i rendit ai. Pra, për t’u zgjedhur deputet përtej listës së gjelbër (lista fituese sipas renditjes së partisë), kandidati për deputet duhet të sigurojë një numër të konsiderueshëm votash në mënyrë që të spostojë kandidatin e vendosur në listën fituese nga kryetari i partisë. Për të kaluar rendin e listës së vendosur nga kryetari i partisën kandidati duhet të marrë vota në emrin e tij sa votat e që ka marrë partia në atë qark për pjesëtim numrin e mandateve të qarkut. Ose në çdo rast, numri maksimal që duhet të marrë një kandidat për të rrëzuar listën e kryetarëve është 10 mijë vota preferenciale.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Teknologjia në zgjedhjet e 25 prillit

KQZ publikon kompaninë: Ja sa është fondi limit