MENU
klinika

ANALIZA

Sovraniteti dhe të drejtat sovrane në hapësirat detare

13.02.2021 - 17:29

Nga Dr. Glevin Dervishi

Gjatë kohëve të fundit debati publik në vendin tonë ka hyrë në vorbullën e diskutimeve të mëdha kryesisht mbi mënyrën si kryhet delimitmi detar dhe është fokusuar vetëm në disa nene të Konventës së (UNCLOS 1982) që mund të aplikohen në rastin tonë gjatë një procesi delimitimi apo një vendimi gjykate.

Ky fokus i limituar vetëm në disa nene për zonat detare ka tërhequr vëmendjen nga nenet e tjera po aq të rëndësishme mbi navigimin dhe dobishmërinë që kanë ato për regjimin lundrimor detar si dhe zbatimin në praktikë nga Roja Bregdetare Shqiptare në këto zona në raport me flotat e tjera. Përveç rëndësisë që ka fakti që të kuptojmë të drejtat, detyrat apo detyrimet që kanë shtet bregdetare mbi hapësirat detare, ka po të njëjtën rëndësi dhe të kuptojmë rolin e forcave detare dhe vijën e tyre të sjelljes në secilën prej këtyre zonave detare.

Marinat ushtarake të vendeve bregdetare si instrumenti kryesor i mbrojtjes, ushtrimit të sovranitetit apo dhe ligjshmërisë në det, janë përfituesit dhe zbatuesit direkt të neneve të kësaj konvente për këto zona.

Në rastin e Shqipërisë për fat të keq gjatë këtyre 30 viteve ne kemi kaluar nga një Flotë Luftarake Detare në Roje Bregdetare e cila ka për mision kryesor ligjshmërinë në det, pasi kapacitet e saj teknike dhe luftarake janë shumë larg natyrës së operacioneve që mund të kryej Flota Luftarake Detare. Kapacitet e limituara të Rojes Bregdetare japin garanci për operim në Detin Territorial, por në kushtet e nevojës gjithnjë në rritje për të dëshmuar prezencë në Shelf Kontinental dhe ZEE një Flotë Luftarake Detare është gjithnjë më e avantazhuar në kapacitete.

Deti është një hapësirë juridike shumë e pasur, e normuar shumë herët ku gjejnë zbatim një numër i konsiderueshëm konventash por që në të njëjtën kohë është dhe një hapësirë shumë e komplikuar për shkak të kompleksitetit të kufizimeve politike dhe juridike që e shoqërojnë dhe që prodhon pasoja për shtetin bregdetar me veprimet apo mos veprimet e forcës detare. Kjo vjen prej faktit historik se së pari nga deti shtetet kanë hyrë në ndërveprim, është zhvilluar tregtia, komunikimi, kanë ardhur rreziqet dhe pushtimi. Doja të ndalesha në disa veçori; deti është e vetmja hapësirë shtetërore (Deti Territorial Neni 17) në të cilën vlen regjimi i kalimit paqësor për anijet civile dhe ushtarake të vendeve të tjera (ky parim nuk vlen në hapësirën ajrore apo tokësore pasi për tu futur në hapësirën ajrore apo tokësore kombëtare të një shteti tjetër për mjetet ushtarake duhet miratim paraprak, në disa raste dhe aprovim nga Parlamenti), anijet ushtarake janë instrument diplomatik që përdoren si për “soft power” por edhe për “hard power”. Navigacioni detar është një art i jashtëzakonshëm simbolikash, mesazhesh, veprimesh, aktesh që përçojnë qëllimet ndaj palëve të treta por edhe sjellin implikime direkte në të drejtën ndërkombëtare me veprimet, mos veprimet, pozicionimet dhe mënyrën e kryerjes së misioneve në det për shtetin të cilit i përket anija. Anijet ushtarake gëzojnë sovranitet shtetëror (Neni 29, 30, 31 dhe 32) pasi në to valëvitet flamuri i shtetit, çka sjell implikime dhe përgjegjësi në të drejtën ndërkombëtare nëse ato veprojnë ose jo konform së drejtës së detit dhe praktikës detare.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Konventa e së Drejtës së Detit e Montego Bay (UNCLOS 1982) përcakton se hapësirat detare mes shteteve përbëhen nga tre komponentë kryesor:

Neni 3. Deti Territorial, që janë ujërat e brendshme të një shteti dhe që shkojnë maksimumi deri në 12 milje nga vija e drejtë bazë ose vija natyrale e ujit.

Neni 76. Shelfi Kontinental (tabani i fundit i detit deri në thellësitë e shfrytëzimit teknik) që shtrihet deri në 200 milje dhe kufiri i llogaritjes së tij merret milja e 12-të e kufirit të detit territorial.

Neni 55. Zona Ekskluzive Ekonomike, që vendoset mbi Shelfin Kontinental, e cila shtrihet deri në 200 milje dhe kufiri i llogaritjes së saj merret milja e 12-të e kufirit të detit territorial. ZEE-ja shtrihet nga tabani i detit deri në sipërfaqen e ujit.

Për kryerjen e një procesi delimitimi ndërshtetëror, apo edhe për përcaktimin e kufijve të këtyre zonave pa marrëveshje, gjithnjë nëse e lejon distanca gjeografike, shtetet duhet së pari të definojnë vijën e drejtë bazë e cila mund të jetë normale, e drejtë ose e kombinuar, konform përcaktimeve të konventës pasi në këto zona ushtrohet më pas sovranitet dhe të drejta sovrane të ndryshme sipas zonave.

Në rastin kur shtetet ndërtojnë vijën e drejtë bazë, nga bashkimi i pikave më të dala të bregdetit vendosen kufijtë e ujërave të brendshme, si dhe kjo vijë përdoret për përcaktimin e kufirit të jashtëm të Detit Territorial. Pra gjiret që mbyllen nga vija e drejtë bazë marrin automatikisht një status juridik të veçantë. Ky status përcakton më pas të drejtat dhe detyrimet si për shtetin bregdetar por edhe për palët e tjera lundruese. Më konkretisht në ujërat e brendshme të mbyllura nga vija e drejtë bazë (rasti i gjirit të Vlorës) shteti bregdetar ushtron sovranitet absolut, madje në këtë zonë nuk ushtrohet regjimi i kalimit paqësor si për mjetet detare ushtarake edhe civile (përveç rasteve kur destinacioni final është një nga portet në detin e brendshëm psh; Porti i Vlorës). Në detin e brendshëm (Neni 18.2) anijet e huaja gëzojnë të drejtën të futen në rastet e forcës madhore si p.sh.; avari teknike që rrezikon mbytjen, përkeqësim i menjëhershëm i kushteve të motit, apo urgjencë mjekësorë nga e cila rrezikohet jeta e ekuipazhit. Në kushtet kur anijet civile dhe ushtarake kanë për destinacion një port të brendshëm të shtetit bregdetar sapo arrijnë në miljen e 12 të Detit Territorial dhe vijojnë drejtë portit ato mbajnë të ngritur në direk flamurin e tyre si dhe flamurin e shtetit bregdetar në portin e të cilit do të ankorohen.

Zona e cila shtrihet nga vija e drejtë bazë apo pikat më të dala të bregdetit deri në 12 milje që formojnë Detin Territorial gjithashtu ka një status juridik të veçantë, pasi në këtë zonë shteti bregdetar ushtron sovranitet të plotë pra vlejnë ligjet në fuqi të shtetit bregdetar dhe kjo hapësirë detare ka statusin e tokës. Shteti bregdetar mbi këtë zonë ngre kolonën ajrore pra hapësirën ajrore sovrane, pasi kufijtë e hapësirës ajrore dhe të nëntokës përputhen me kufijtë e Detit Territorial. Në këtë zonë shteti bregdetar mund të peshkojë, eksplorojë për minerale, kryejë studime të botës së gjallë, ndërtojë platforma detare apo të energjisë eulike, kalojë kabllot e telekomunikacionit, tubacionet e naftës dhe gazit. Por anijet civile apo ushtarake të shteteve të tjera mund të kalojnë në Detin Territorial në kushtet e kalimit paqësor për qëllime tranzitimi, sipas rrugëkalimit më të shkurtër dhe pa cënuar sigurinë e shtetit bregdetar me kurs lundrimi linear dhe i pandërprerë, pa ndaluar gjatë kalimit tranzit (Neni 17). Në bazë të Konventës së (UNCLOS 1982 Neni 19) por edhe të një sërë konventash që kanë normuar të drejtën ndërkombëtare në det, anijet ushtarake gjatë kalimit në ujrat e Detit Territorial të një vendi tjetër duhet të kalojnë në formacion kolonë dhe jo në formacion rombi, me kurs drejtimi linear të pandërprerë, me sistemet e transmetimit të telekomunikacionit pasive pra vetëm në marrje dhe jo në dhënie për të kryer transmetime të paligjshme, me sistemet e komandim-kontrollit të armatimit të fikura.

Nëse janë fregata, destroyer, kryqëzor, helikopter mbajtëse apo aeroplan mbajtëse duhet që mjetet ajrore të jenë të fikura dhe të stacionuara në kuvertë, pozicioni i topave dhe mitralozave duhet të jetë i vendosur në drejtimin bash – kiç, pra asnjëherë të pozicionuara në drejtim të brigjeve të shtetit bregdetar. Gjatë lundrimit në Detin Territorial marinarët e anijeve ushtarake të huaja nuk duhet që të vendosen pranë topave apo mitralozave sidomos në kushtet e ekskortimit nga anijet e vendit bregdetar pasi në rast të kundërt ato nuk dëshmojnë qëllime paqësore. Nëndetëset duhet të lundrojnë në sipërfaqe gjatë kalimit paqësor në Detin Territorial të vendit tjetër dhe të kenë të ngritur flamurin e shtetit që përfaqësojnë, madje në momentin që ato dalin nga Deti Territorial i shtetit që kanë qenë duke lundruar janë të detyruara të raportojnë vendndodhjen e fundit nëse zgjedhin të zhyten në ujërat e vazhduara të shtetit bregdetar jashtë mijes së 12 për arsye të sigurisë së shtetit bregdetar por edhe për sigurinë e nëndetëses në rast avarie (Neni 20). Nëse nëndetëset lundrojnë brenda 12 miljeve të zhytura ato konsiderohen kërcënim për sigurinë e shtetit bregdetar duke shkelur konventën por në të njëjtën kohë duke i imponuar shtetit bregdetar një protokoll tjetër angazhimi në rast zbulimi të saj (Neni 25). Në Detin Territorial anijet dhe nëndetëset e shteteve të tjera nuk mund të kryejnë manovra ushtarake, qitje luftarake, zbulim, operacione fluturimi nga bordi i tyre pa miratimin e shtetit bregdetar.

Në zonën e Shelfit Kontinental dhe ZEE (Neni 77 dhe 56) shteti bregdetar të cilit i përket zona gëzon të drejta sovrane ku mund të peshkojë, eksplorojë për minerale, kryejë studime të botës së gjallë, ndërtojë platforma të energjisë eulike, kalojë kabllot e telekomunikacionit, tubacionet e naftës dhe gazit por flotat e peshkimit të shteteve të tjera nuk mund të ushtrojnë këto të drejta pa marrëveshje. Shteti bregdetar gëzon të drejtën që të ushtrojë kontrolle për paligjshmëri në det ndaj mjeteve detare të vendeve të tjera nëse ka dyshime apo informacion për pirateri njerëzish, ndotje të mjedisit detar dhe transport të lëndëve të rrezikshme jashtë kushteve të përcaktuara. Por shteti bregdetar në këtë zonë nuk mund të ndalojë anijet luftarake të vendeve të tjera të kryejnë misione ushtarake, zbulimi, manovra taktike dhe operacionale, qitje luftarake, operacione fluturimi të mjeteve ajrore. Nëndetëset mund të lundrojnë të zhytura, kryejnë operacionet e tyre taktike dhe strategjike natyrisht pa kërkuar miratim të shtetit bregdetar.

Ndaj kur një shtet bregdetar vendos që të zgjerojë gjerësinë e Detit Territorial në zona gjeografike që ja lejon konventa kemi të bëjmë me angazhime, të drejta dhe detyrime për shtetin bregdetar por edhe për palët e treta. Pra kur shteti vendos që të ushtrojë të drejtën e vetë legjitime konform konventës për gjerësi të Detit Territorial prej 12 miljesh në zonën e Detit Ndërkombëtar kemi të bëjmë jo vetëm me përcaktimet e limiteve të sovranitetit shtetëror apo të drejtave sovrane, por kemi të bëjmë dhe me ndryshim të regjimit detar në raport me palët e treta ku shteti bregdetar u përcakton vijën e sjelljes anijeve civile dhe ushtarake të vendeve të tjera si më sipër. Një nga rastet më tipike është regjimi detar në Detin Egje ku si rezultat i afërsisë gjeografike anije të flotës turke kalojnë shpesh në kushtet e kalimit paqësor në ujërat greke por në të njëjtën kohë si rezultat i pamundësisë gjeografike për të zgjeruar Detin Territorial nga 6-12 milje nëndetëset lundrojnë të zhytura në limitet e miljes së 6-të. Shpesh pas miljes së 6-të kryhen stërvitje, manovra ushtarake, operacione taktike dhe strategjike që paraqesin shqetësim jo të vogël për shtetin bregdetar. Edhe në rastin e zgjerimit të Detit Territorial nga Greqia në Detin Jon në drejtim të Detit Ndërkombëtar në zonën përballë Siçilisë, Maltës dhe Libisë për pjesën që fillon nga Othoni deri në Antikithra kemi të bëjmë jo vetëm me përcaktimet e limiteve të sovranitetit shtetëror apo të drejtave sovrane, por kemi të bëjmë dhe me ndryshim të regjimit detar në raport me palët e treta ku shteti bregdetar u përcakton vijën e sjelljes anijeve civile dhe ushtarake të vendeve të tjera.

Mes fuqive të mëdha detare kemi parë plotë raste ku anije ushtarake të përmasave dhe natyrave të ndryshme gjenden shumë pranë apo paralel në një zonë detare të caktuar duke kryer operacione detare të mbikëqyrjes së afërt apo “shadow” ndaj anijeve që kërcënojnë sigurinë e shtetit bregdetar në zonën jashtë Detit Territorial. Këto lloj operacionesh detare po kryhen gjithnjë e më tepër në të gjithë rajonet detare të botës ku gëlojnë tensionet dhe pretendimet detare duke nxjerr në pah jo vetëm nevojën për rregulla të qarta të angazhimit për situata të tensionuara konform së drejtës ndërkombëtare, por edhe domosdoshmërinë për njohuri të personelit ushtarak detar mbi rregullat e angazhimit. Këto situata mund të sjellin përshkallëzim duke marrë në konsideratë rolin dhe peshën që kanë anijet ushtarake për sovranitetin e shteti si aset strategjik i dorës së parë por edhe implikimet që mund të sjellin për vendin në rast veprimi jo korrekt. Janë bërë të shpeshta misionet “shadow” në Detin e Zi, Balltik, Detin e Veriut, Egje, Mesdhe Lindor, Ngushticën e Hormuzit, Detin e Kinës Lindore dhe Jugore apo edhe në Kanalin Anglez ku flota të vendeve të ndryshme rivale bëjnë mbikëqyrje të afërt të kundërshtarit, dëshmojnë pretendime me prezencën e anijeve të tyre ushtarake në zonat gri apo me interes, si dhe janë në mbrojtje të interesave të tyre shtetërore, aleatëve, rrugëve detare apo dhe tregtisë. Betejat detare klasike po ndodhin gjithnjë e më pak dhe flotat ushtarake kanë marrë tashmë rolin e një fuqie shkurajuese, janë më tepër zgjatim i sovranitetit dhe autoritetit shtetëror, instrument i sigurisë ushtarake për aleatët por edhe i sigurisë psikologjike, një instrument i diplomacisë “soft dhe hard power”, një mesazher i fuqishëm i vendosjes së vijave të kuqe në raport me pretendimet mbi zonat detare.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Vendi ynë deri më sot ka pasur pak eksperiencë në operacione të tilla ku më kryesorja ka qenë pjesëmarrja në operacionin e NATO-s, “Sea Guardian” me mision monitorimin dhe patrullimin në ujërat ndërmjet Turqisë dhe Greqisë, duke mbështetur përpjekjet ndërkombëtare për të frenuar trafikimin e qenieve njerëzore. Gjatë këtij misioni u evidentua nevoja imediate për hartimin dhe miratimin e një manuali rregullash për angazhimin në kushtet e kërcënimeve në det, pasi rikthimi i vëmendjes nga deti, sfidat që imponon koha dhe mjedisi detar, e vetmja garanci për të shmangur përgjegjësitë shtetërore është trupëzimi i të drejtës ndërkombëtare detare dhe procedurat e operimit të sigurtë. Në praktikën detare botërore Rojet Bregdetare kanë marrë gjithnjë e më shumë atributet e policisë gjyqësore si rezultat i fokusimit të tyre në misionet e ligjshmërisë në det. Forcat tona detare në kushtet kur kanë për mision jo vetëm zbatimin e ligjshmërisë në det por edhe ushtrimin e sovranitetit dhe mbrojtjen e të drejtave sovrane duhet të rrisin kapacitetet detare me mjete që operojnë lirisht dhe me autonomi më të madhe në ZEE, pasi nuk mjafton vetëm delimitimi i hapësirave detare, por duhet të ushtrosh dhe autoritetin shtetëror mbi to.

Kryqëzori britanik “HMS. Dragon” duke kryer operacione detare të mbikëqyrjes së afërt apo “shadow” ndaj aeroplan mbajtëses së Flotës Ruse “Admiral Kuznetsov” gjatë kalimit në Kanalin Britanik.

Kjo domosdoshmëri ka dalë në pah edhe në rolin tonë si anëtar i NATO-s, çka do ti jepte personelit tonë detar mundësinë për të marr pjesë me kapacitetet tona në shumë prej task forcave detare në rajonet e nxehta apo zonat ku luftohet pirateria, si një mundësi për të praktikuar dhe përmirësuar aftësitë në një kohë që deti është rikthyer në qendër të zhvillimeve globale si rruga nga kalon rreth 80% e tregtisë botërore por edhe si hapësira ku pretendimet po bëhen gjithnjë dhe më të shpeshta.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN