MENU
klinika

"Katundi ynë"

Televizioni italian kronikë Muzeut Etnik Arbëresh

22.02.2021 - 15:30

        “Rai Calabria” i ka kushtuar vëmendje të veçantë, komunës së shqiptarëve të hershëm të Kalabrisë.

Në një kronikë të zgjeruar informative, komunës arbëreshe Civita dhe Muzeut Etnik Arbëresh, ndërtuar aty nën kujdesin e shoqatës kulturore “1 Placco” dhe dy prej drejtuesve, Demetrio dhe Stefania Emmanuele, të cilët, botojnë edhe revistën historike “Katundi ynë”.

Gjatë rrëfimit të saj, për pasurinë e paçmuar arbëreshe të zonës ku ka lindur dhe është rritur, Stefania tregon edhe për bukuritë natyrore të kësaj zone turistike, krahas planeve për projektet e reja.

Ajo shpjegon për dëgjuesit italianë, se në Civita, ashtu si edhe në pjesën më të madhe të katundeve arbëreshe, jeta komunitare ka pasur rëndësi të madhe, ndaj ndër ta u zhvilluan gjitonitë, si forma e qëndrimit së bashku, të shkëmbimit të bisedave, por edhe të ndihmës së ndërsjelltë.

Në fokus të projekteve të shoqatës ku bën pjesë, është edhe rigjallërimi si dikur, i shesheve të komunave arbëreshe dhe i gjitonive të lagjeve të gurta.

Po ashtu, në kronikën e transmetuar gjatë edicionit informativ për TGCal24, foli edhe Demetrio Emmanuele, i ati Stefanisë, si drejtuesi për gjysmë shekulli i revistës më të njohur e më jetëgjatë arbëreshe, “Katundi ynë”, Demetrio Emmanuele, duke shpjeguar në detaje rëndësinë, plotkuptimësinë dhe jetëgjatësinë e revistës periodike të arbëreshëve.