MENU
klinika

Nga Skënder Minxhozi

Trampistët që u kthyen në albinistë

18.02.2021 - 16:32

Nga Skënder Minxhozi/

Pas 4 nëntorit nuk gjen më një përkrahës të vetëm të Donald Trump në bulevardin e Tiranës. Janë zhdukur si me magji edhe nga rrjeti social, aty ku predikonin përditë marrëzitë e një ish-presidenti të çmendur, që dërgoi fanatikët e tij për të varur zëvendësin Majk Pens dhe shefen e Kongresit Nensi Pelosi. Sindroma Trump, aq e përhapur edhe në eterin shqiptar, u zhduk si një virus sezonal gripi (jo Corona), që bën namin në dimër, e më pas fashitet në pranverë.

I vetmi frymëzim, ose më saktë ai më dominuesi, që e mbante në këmbë këtë “kishë” të sajuar të Donaldit në Shqipëri, ishte mllefi e urrejtja ndaj Edi Ramës! Një faktor i habitshëm, periferik dhe i pashpjegueshëm në mënyrë racionale, pasi vetë Rama kishte pasur në katër vitet e Trump, mbështëtjen më të madhe që një kryeministër shqiptar ka pasur ndonjëherë nga administrata amerikane. Kishte kaluar me amerikanët pas shpine, të gjitha tallazet që provokoi kriza e mandateve dhe agresiviteti i opozitës, që kërkonte me çdo kusht kokën e tij.

Sot, kur Trump luan golf në Florida dhe kur mbi të po nisin të bien paditë e para për kryengritjen e 6 janarit kundër Kapitol Hill, çeta shqiptare e “jetimëve” të Trump është nisur në kërkim të idhullit të radhës. Padyshim nën shenjën e urrejtes ndaj Edi Ramës dhe asaj që ai përfaqëson në politikën shqiptare. Zgjedhjet kosovare të 14 shkurtit duket se ofrojnë një alternativë”: Albin Kurtin, fituesin e ri të bujshëm të zgjedhjeve kosovare.

I ka të gjitha Albini për të qenë një zëvendës i ish-presidentit amerikan në sytë e armiqve të Ramës. Është në konflikt me këtë të fundit, ka spostuar nga skena Thaçin, aleatin historik të kryeministrit shqiptar, mbron teza që acarojnë e maisin rasportet me qeverisjen aktuale në Tiranë, si dhe ka treguar se di të shtrëngojë duart me Berishën, Bashën e Metën, kur është fjala për të dhënë sinjale publike anti-Rama.

E vetmja e panjohur e këtij akuacioni, në pritje të fitimtarit të 25 prillit në Shqipëri, është evolucioni i marrëdhënies Rama-Kurti. Gjithnjë nëse Edi Rama do të jetë fituesi i zgjedhjeve. Pasi nëse i referohemi precedentit Trump-Rama, raportet pas zgjedhjes së presidentit amerikan kanë qenë, siç u tha më lart, pa asnjë gungë apo krizë. Megjithëse Edi Rama doli në CNN gjatë fushatës presidenciale dhe hodhi fjalinë e famshme “Zoti na ruajtë, të fitojë Trump”!

Kapja pas çdo armiku a kundërshtari të momentit të Edi Ramës, për të ndërtuar një teoremë avokatie ndaj tij apo ndaj tyre, është në thelb një gjest naiv e foshnjor që të bën të qeshësh. Rama dhe Kurti, sado injatçorë ndaj njëri-tjetrit, janë të dënuar të bashkëpunojnë ngushtë, në cilindo raport që do t’i vendosë e ardhmja. Madje në ndryshim nga Donald Trump, me të cilin Edi Ram ka shtrënguar duart nja dy a tri herë në katër vjet, me Albin Kurtin nuk ka asnjë dyshim se të gjithë politikanët e Tiranës do të bashkëpunojnë, madje ngushtë dhe dendur.

Albin Kurti është aty për të ndenjur gjatë. Në qeveri apo në opozitë, Rama, Basha apo edhe Meta, nuk kanë asnjë rrugë tjetër, veç bashkëpunimit me të dhe qeverinë e tij. Sepse Shqipëria dhe Kosova nuk i modelojnë dot raportet mes tyre, në bazë të humoreve të njërit apo tjetrit. Qofshin këta krerë qeverish apo shtetesh.

Sekti i përkrahësve të Trumpit dje dhe Albinit sot, mund të vijojnë të ndërrojë kordinatat e dishepullit, sipas emrit që u del përpara, por kjo është një biçim tifozerie pastorale, më shumë sesa një mbështetje serioze për këtë apo atë politikan shqiptar a të huaj. “Kisha Trump” dhe jetimët që la pas, është precedenti i një dashurie të zjarrtë por kalimtare, që sot nuk i duhet as Albin Kurtit. Përkrahës të tillë janë si këpurdhat pas shiut. Mbijnë, lulëzojnë e vyshken në harkun e një ditë-nate…

“Çdo subjekt që do hetohet për korrupsion apo krim, do i kontrollohet dhe pasuria”

Dumani zbulon pse SPAK refuzoi Komisionin Xhafaj

“Autori kishte thënë ‘Prisni ju çfarë do të ndodhë sot’”

Vrasja e Martin Canit, zbardhet audio nga mbledhja në “Fan Noli”!