MENU
klinika

Shkrimtari i historive të shkurtra

Stefan Cvajg: një vetëvrasje krejt gjakftohtë…

22.02.2021 - 16:52

       “Kam lindur më 1881, në një perandori të madhe e të fuqishme, në monarkinë e Habzburgëve, por mos e kërkoni në hartë sepse është fshirë soje pa lënë gjurmë. U rrita në Vjenë, metropol dymijëvjeçar, kryeqytet shumëkombësh dhe m’u desh të largohesha së andejmi si ndonjë kriminel, para se të katandisej në një qytet provincial gjerman. Vepra ime letrare, në gjuhën e vet origjinale, u bë shkrumb e hi, madje në atë vend ku librat e mi kishin bërë miliona lexues. Dhe kështu nuk i takoj me asnjë vendi, i huaj gjithandej, mysafir në rastin më të mirë; edhe atdheu im i mirëfilltë, Evropa, që ma pati zgjedhur zemra si të tillë, tani për mua quhet i humbur qysh nga çasti që ka nisur të shqyhet e të copëtohet për të dytën herë në një luftë vëllavrasëse. Kundra dëshirës time, jam bërë dëshmitar i disfatës më të tmerrshme të arsyes e triumfit më të egër të brutalitetit që shënon epoka e shekujve.

      Përmes jetës time janë turrur tërë kuajt e murrëtyer të apokalipsit, revolucion dhe zi buke, zhvlerësim paraje dhe terror, epidemi dhe emigracion. Kam parë të rriten e të përhapen mu përpara syve të mi ideologjitë e mëdha masive, fashizmin në Itali, nacional – socializmin në Gjermani, bolshevizmin në Rusi dhe, mbi të gjitha, atë kolerën e kolerave, nacionalizmin, që ka helmuar lulen e kulturës tonë europiane”

(Shkëputur nga “Testamenti”, vepër e Cvajgut e publikuar disa muaj pas vdekjes, “Bota e djeshme, kujtimet e një europiani” – përkthyer edhe në shqip)

Mjeshtri i novelave brilante, si “Amok”, “24 orë nga jeta e një gruaje”, “Bukinisti Mendel”, “Novela e shahut”, “Letër nga një e panjohur”, “Perëndim zemre” e sa e sa të tjera, nuk vuante nga ndonjë sëmundje mendore. Skalitës i portreteve psiko-analitike të figurave të shquara apo të urryera të historisë, si Fushe, Niçe, Erazmus, Romen Roland, Marie Antuaneta apo Meri Stjuart, nuk u vetëflijua nga një dobësi e momentit. Posa kish mbushur 60 vjet dhe në kulmin e pjekurisë krijuese. Gjithçka e bëri me vetëdije të plote, si një njeri i qytetëruar, për të cilin “Jeta nuk qe koha fizike e rrotullimit të Tokës rreth Diellit, por lidhja shpirtërore me vendin, me njerëzit, me kulturën, që ai e pa të shkatërrohej para syve të tij, nga lufta që posa kishte shpërthyer.

Sa herë shfaqet emri i Stefan Cvajgut, suksesi është i sigurt. Një ribotim? Menjëherë në krye të shitjeve. Një pjesë teatri? Publiku është pro. Një libër i frymëzuar nga jeta e shkrimtarit austriak? Lexuesit nxitojnë ta blejnë. Gati tetëdhjetë vjet pas vetëvrasjes, shkrimtari austriak vazhdon të magjepsë miliona lexues. Krijimtaria e larmishme dhe e gjallë e Stefan Cvajgut e bën atë një autor të paklasifikueshëm. Shkrimtar, hebre, pacifist dhe kozmopolit, Cvajgu, austriaku, ishte një patriot, asnjëherë nacionalist. Përpos të gjithave, mbase ishte një evropian dhe proevropian i bindur. Mik i pothuajse gjithë shkrimtarëve dhe intelektualëve kryesorë të epokës së tij, u lexua dhe u përkthye në të gjitha gjuhët. I traumatizuar nga Lufta e Madhe, i detyruar t’ia mbathte nga gjysma e botës, e kishte të pamundur të besonte se Evropa kishte rënë sërish në gabimin e njëzet viteve më parë dhe se një konflikt i ri dhe më i tmerrshëm botëror mund të përsëritej. Librat e tij, të shitur në miliona kopje, u dogjën nga nazistët dhe u ndaluan në Gjermani./Konica.al

Shkrimtar, poet, gazetar, dramaturg dhe përkthyes, Stefan Cvajgu, lindi në një familje të pasur hebreje, në vitin 1881 dhe u vetëvra në Petropolis, Brazil, në 22 shkurt 1942. I mirënjohur për historitë e shkurtra dhe biografitë inovative, ishte shkrimtari i parë që përfshiu psikanalizën në tregimtari. Në vitet 1920-30 ishte një nga sukseset më të mëdha letrare, ndër shkrimtarët më të lexuar dhe më të përkthyer në botë. Shkrimtari konsiderohet dishepulli jungian dhe njihet sidomos për veprën autobiografike “Bota e së djeshmes. Kujtimet e një evropiani”. Kjo vepër e pamasë, të paktën për përmbajtjen, është njëherazi një roman historik, një biografi, një koleksion portretesh, një roman gjeneratash, një libër për rininë, historia e një hebreu endacak, dëshmia e njeriut përballë teknologjisë dhe modernitetit, pasi Cvajgu është si Junger: ai shkruan romane sikur të ishin ese dhe esetë sikur të ishin romane. Mirëpo, “Bota e së djeshmes” shënon mbi të gjitha kalimin nga Epoka e Bukur paqësore në traumën e Luftës së Madhe, që do të çojë në lindjen e totalitarizmave. /Konica.al/Një fëmijëri e bukur, e lejoi të thithte klimën artistike dhe letrare që jetohej atëherë në kryeqytetin austriak. Romantik, i brishtë, me kokën nga një e kaluar që nuk mund të përsëritej dhe me një zemër plot nostalgji, Stefani gjeti strehë në Brazil: ndalesa e tij e fundit. I lodhur nga arratisjet dhe ndjesia e qenit gjithandej i huaj, ai zgjodhi vetëvrasjen, së bashku me gruan e tij të dytë. Më 22 shkurt 1942, një ditë para vetëvrasjes, ai i shkroi në një letër Alfred Altmann: “Lamtumira e fundit e një njeriu të së djeshmes. Shtrirë në shtrat, së bashku me gruan e dashur, në zemër të Evropës, e helmuar nga lufta”. Persekutimi i hebrenjve dhe copëtimi i Evropës e zhyti në një depresion, nga i cili nuk do të dilte kurrë. Mbase Cvajgu ishte “vetëm” afeksion, dashuri e atyre që dinë dhe duan të besojnë se, mënyra e vërtetë për të udhëtuar është të udhëtosh nëpër një hapësirë ​​të pafundme brenda vetes, një hapësirë e rrëshqitshme dhe thuajse gjithmonë e panjohur, që mund të na bëjë lexues më të mirë.

Stefan Cvajgu ishte shkrimtari që i donte gratë, jo vetëm për jetën dashurore, por kuptoi rëndësinë e rritjes së tyre në shoqëri, shqetësimin e pazgjidhshëm për të qenë “asgjë” dhe fuqinë e jashtëzakonshme për t’u përballur me ëndrrat. Ai diti t’i kuptonte dhe t’u jepte vendin e duhur, si tek “Letra e një të panjohure”, 24 orë nga jeta e një gruaje”, “Pështjellimi i ndjenjave”, apo “Dehja e metamorfozës”. Po ashtu, ai tregon ndjeshmëri, duke i kushtuar ndjeshmëri dhe lirikë letërsisë. Duket sikur e ka të pamundur t’u rezistojë personazheve, një reflektim i emocioneve, ku ai merr përsipër këtë shkrirje emocionale, deri në fshirjen e gjithçkaje tjetër. Cvajgu zgjodhi të zhytej në rrjedhën e emocioneve dhe aty gjeti një pafundësi drithëruese.

Ai është tragjiko-elegant. Me Cvajgun nuk ka fund të lumtur, por një errësirë ​​e zbukuruar gjithmonë me elegancë. Tragjikja me shije. Melankolia është e bukur dhe dështimi nuk është kurrë fajtor. Heronjtë e Cvajgut mbështesin një fat që i tejkalon, madje është qetësuese për ta të dinë se pakënaqësia është një pranim më i ëmbël, sesa lufta për lumturi të pamundur.  Ai është mbreti i romancës. Postromantik? Pasionant? I dëshpëruar? Dashuri kalimtare? Stefan Cvajg është pak nga të gjitha, madje në vepër guxon të gllabërojë pasione. Duke përqafuar teoritë e bashkatdhetarit, Sigmund Frojd, Cvajgu kuptoi se sa komplekse dhe paradoksale janë qeniet njerëzore. Ai vërejti se, shpesh, veprimet kryhen nga një pjesë që i shpëton e që bie ndesh me ideologjinë e ndërgjegjes sovrane. Stili është i drejtpërdrejtë dhe gati-gati i rastësishëmm, ku lexuesit i krijohet përshtypja sikur teksti i tregohet në mirëbesim. Fjalët e tij lexojnë siç thuhen. Fjalia jepet pa vështirësi dhe kujtesa vazhdon pa paralajmërim, dëshmi kjo që stili nuk mungon në efikasitet.

Nëse vdekja e Cvajgut nuk ishte akt politik, siç linte të kuptohej, popullariteti i këtij interpretimi është i kuptueshëm. Cvajgu e kaloi jetën duke qenë në qendër të vëmendjes dhe vdekja e tij ndoqi të njëjtin model. Një ditë, pasi u zbuluan kufomat, Stefan dhe Lotte Cvajgu u përcollën me funeral shtetëror. Mori pjesë edhe presidenti Getulio Vargas, së bashku me ministrat e shtetit. Qyteti i Petrepolis uli qepenat e dyqaneve, ndërsa të ndjerët u transportuan nga një togë pranë mauzoleumit të ish-familjes mbretërore të Brazilit.

Një ditë, apo kohë më pas, një mik mori një letër lamtumire nga Cvajgu, ku i kërkonte që funerali i tij “të ishte sa më modest dhe privat”./Konica.al

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit