MENU
klinika

Vrasja e 57-vjeçarit

Zbardhet dëshmia e pronarit të lokalit ku ndodhi ngjarja

10.02.2021 - 11:16

Vendimi i dhënë nga gjyqtari i Fierit Pirro Sota, për lirimin e tre autorëve të vrasjes së 57- vjeçarit Pelivan Sinanrrapaj, ka ngjallur pasiguri te banorët e qytetit.

Pak ditë më parë, gjyqtari Pirro Sota liroi nga burgu tre personat që e goditën me shufër hekuri 57-vjeçarin, me pretendimin se kishim të bënim me një sherr mes disa personave dhe se provat nuk ishin të mjaftueshme për të ndëshkuar autorët. Të pasigurt për mbrojtjen që duhet t’iu ofrojë ligji, qytetarët e dënojnë veprimin e gjyqtarit, që sipas tyre, në vend që të vendoste drejtësi, po nxit vetëgjyqësi. Sipas “News24”, heqja e së drejtës për të ushtuar profesionin është masa më e drejtë sipas qytetarëve që duhet të ndërmerret për gjyqtarin Sota, i cili me vendimin e tij shkel të drejtat e tyre. 57-vjeçari Pelivan Sinanrrapaj u dhunua nga 3 persona që i njihte dhe humbi jetën pas disa ditësh në spital. Për vdekjen e tij askush nuk është në qeli, pasi gjyqtari Pirro Sota në datën 31 janar vendosi ta quajë arrestimin e të dyshuarve të paligjshëm dhe i liroi ata nga burgu, duke firmosur masa minimale sigurie.

RIKUALIFIKIM I VEPRËS PENALE

Pasi Gjykata e Fierit i la të lirë duke caktuar masa të lehta sigurie për ta, siç ishin “Arrest shtëpie” për Festim Alimerkajn dhe Ferdinand Merën, ndërsa për Fitim Zekajn u caktua masa e sigurisë “Detyrim paraqitje”, Prokuroria e Fierit e apeloi vendimin duke shfaqur pakënaqësi rreth tij. Pas apelimit të organit të akuzës, i cili përkoi edhe me kohën e vdekjes së të plagosurit Pelivan Sinanrrapaj, Gjykata e Apelit Vlorë ia riktheu çështjen për shqyrtim Gjykatës së Shkallës së Parë në Fier, duke kërkuar prej saj të jepet një masë tjetër vlerësimi. Tanimë  edhe akuza për të tre autorët ka ndryshuar nga vepra penale “Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim, në “Plagosje e rëndë me dashje, me pasojë vdekjen”. Në këto kushte, data 10 shkurt (sot) është caktuar si ditë për dhënien e masës tjetër të sigurisë për tre të akuzuarit. Ndërkohë, në dosjen e Prokurorisë janë administruar edhe provat dhe dëshmitë mbi ngjarjen, të cilat edhe me herët i ishin bërë prezente gjykatës, por që kanë kaluar “pa u vënë re”. Midis të tjerave, në dosjen në ngarkim të kësaj çështjeje, midis të tjerash është edhe dëshmia e pronarit të lokalit.

DËSHMIA NË DOSJE

Shtetasi Bilbil Sh. ka treguar se rreth orës 16:30 të datës 28 janar te lokali i tij ka qenë shtetasi Pelivan Sinanrrapaj, i cili siç ka thënë Bilbili, dukej në gjendje të dehur. Ai është afruar në tavolinën ku ndodheshin duke pirë shtetasit Fitim Zekaj, Ferdinand Merkaj dhe Festim Alimerkaj. Ata kanë debatuar me njëri-tjetrin dhe, po sipas dëshmisë së Bilbilit dhënë në kuadër të hetimit, Pelivani ka qëlluar me pëllëmbë shtetasin Fitim Zekaj. Duke qenë se gjendja po acarohej, pronari i ka nxjerrë jashtë lokalit. Bilbil Sh. ka thënë se edhe pasi dolën jashtë, janë dëgjuar zëra që ata po debatonin me njëri-tjetrin. Ai nuk e ka parë kush e ka qëlluar Pelivanin, por një ditë më vonë ka mësuar se e kishin rrahur me grushte dhe Pelivani ndodhej në gjendje të rëndë në spital. Në rrethanat e mësipërme, thuhet në vendimin e datës 31 janar 2021, ku u dha masa e vlerësimit për tre të arrestuarit, oficeri i Policisë Gjyqësore duke pretenduar se për shkak të gjendjes së ngutshme nuk mund të pritej urdhri i prokurorit dhe se kishte rrezik ikjeje për të tre shtetasit e dyshuar si autorë, ka bërë ndalimin e tyre duke përpiluar edhe procesverbalet përkatëse.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN