MENU
klinika

Analiza

A do të mund të udhëtojnë shqiptarët gjatë kësaj vere?

31.03.2021 - 15:41

Që nga fillimi i pandemisë gati një vit më parë, shqiptarët e kanë pasur shumë të vështirë të lëvizin në vendet e Bashkimin Europian, të cilat lejojnë udhëtimet nga vendet e treta vetëm për arsye thelbësore. Me nisjen e vaksinimit masiv dhe me fillimin e sezonit turistik, shumë shqiptarë shpresojnë të udhëtojnë sërish, qoftë për në kërkim të vendeve të reja të punës, qoftë për pushime.

Edhe pse vendet anëtare pritet të nxjerrin në qarkullim atë që njihet si certifikatë vaksinimi, duke lejuar lëvizjen e lirë e atyre që kanë fituar imunitet, është ende e paqartë se kur të mund të udhëtojnë drejt unionit shqiptarët e vaksinuar ose ata që kanë fituat imunitet.

Për të nxitur turizmin, Bashkimi Europian planifikon të nisë me lëshimin e certifikatave digjitale të vaksinimit nga muaji qershor, duke hapur po ashtu mundësinë që edhe qytetarët e Ballkanit Perëndimor të pajisen me këtë dokument kur të udhëtojnë. Megjithatë, zëdhënësi i Komisionit Europian thotë se për ata që janë vaksinuar me vaksinat ruse dhe kineze nuk ka ende një vendim të prerë dhe se për momentin është lënë në dorën e vendeve anëtare nëse do pranojnë ose jo, qytetarë që janë vaksinuar me këto vaksina.

Shqipëria ka nisur vaksinimin masiv me vaksinën kineze Sinovax dhe planifikon që muajt e ardhshëm të marrë në 1 milionë vaksina kineze, duke vaksinuar pjesën më të madhe të popullsisë aktive. Por një sërë vendesh anëtare mund të mos jenë të hapura ndaj vaksinave që nuk janë miratuar nga Agjencia Europiane e Barnave, duke e bërë sërish të vështirë për qytetarët shqiptarë të lëvizin në BE, edhe nëse unioni zbut rregullat e lëvizjes për qytetarët e tretë. Për momentin, qytetarët e vendit tonë mund të lëvizin vetëm për arsye thelbësore, duke bërë një tampon dhe duke qëndruar në karantinë disa-ditore në vendin që mbërrijnë. Nga vendet fqinje, Greqia ka mbyllur pothuajse plotësisht kufijtë duke lejuar vetëm një numër të vogël shqiptarësh të kalojnë, ndërsa Italia imponon një karantinë 5-ditore për qytetarët nga vendi ynë.

Në vitin 2019, më shumë se 43.835 emigrantë shqiptarë udhëtuan drejt Bashkimit Europian, 10 mijë prej të cilëve lëvizën në fillim të sezonit turikstik në kërkim të vendeve të reja të punës. Ndërkohë vitin e kaluar, edhe pse në mes të karantinës, Greqia arriti një marrëveshje në momentin e fundit me Shqipërinë për lëvizjen e mbi 10 mijë punonjësve sezonalë përpara verës.

Gjatë sezonit turistiktë vitit të kaluar, megjithatë, pjesë dërrmuese e shqiptarëve u detyruan t’i kalonin pushimet në vend, ndërsa ata që ishin në kërkim të punës në vendet e BE-së u detyruan të prisnin.

Por si do të lëvizim gjatë kësaj vere?

Greqia, e cila po përpiqet të shpëtojë sezonin turistik, ka lidhur një sërë marrëveshjesh me vende si Izraeli, Britania dhe Serbia, për të pranuar turistët e huaj vetëm me certifikatë vaksinimi dhe një tampon negativ. Së fundmi autoritetet greke njoftuan se do të pranojnë të gjitha certifikatat e vaksinimit të lëshuara nga Serbia, madje edhe për dozat e vaksinave që nuk janë miratuar nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), të tilla si vaksinat ruse dhe kineze. Lajmi u bë me dije nga ministri grek i Turizmit gjatë një vizite në Beograd ku u takua me homologen e tij dhe pikë kyçe e bisedimit ishte mënyra e lehtësimit të udhëtimit midis dy vendeve për sezonin e ardhshëm të verës. Ata diskutuan mundësinë e pranimit të turistëve serbë, të cilët mund të paraqisnin një dokument që vërteton se ata kanë një test negativ PCR ose e kanë kaluar virusin dhe kanë krijuar antitrupa.

Por Greqia po mban megjithatë mbyllur kufijtë për qytetarët shqiptarë dhe pika kufitare e Kapshticës do të qendrojë e mbyllur të paktën deri më pesë prill. Gazeta Si u interesua pranë ministrisë së Jashtme nëse Shqipëria po negocion me vendet fqinje për lëvizjen e qytetarëve, por mësoi se kjo është lënë në dorë të Ministrisë së Shëndetësisë, e cila nuk i është përgjigjur Gazetës Si.

Për momentin, shqiptarët mund të lëvizin në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Turqi, e cila është ndër të paktat vende që pranon të gjithë udhëtarët, pa karantinë dhe test negativ.

Për të udhëtuar në Itali, shqiptarët duhet të vërtetojnë se po lëvizin për arsye shëndetësore ose pune dhe udhëtimi për turizëm dhe arsye të tjera jo thelbësore nuk lejohet. E njëjta gjë vlen edhe për udhëtimet drejt vendeve të tjera europiane.

Sipas rregullave në fuqi, të gjithë qytetarët që vijnë nga vende jo anëtarë të BE, duhet të testohen 72 orë para se të mbërrijnë në vendet e unioni por udhëtimet nga vendet e treta janë jo të këshilluara. BE ka vendosur që nga korriku i vitit të kaluar se do të lejohen vetëm udhëtime të domosdoshme nga familjarë të rezidentëve të vendeve të BE dhe që atëherë shqiptarët mbeten të izoluar.(gazetaSI)

REMOTE_ADDR:[]