MENU
klinika

Tabu në... Austri!

A duhet hapur ballkoni i Hitlerit, në Vjenë?

18.03.2021 - 14:50

         Muzeu i Historisë së Austrisë dëshiron të hapë një ballkon në pallatin “Hofburg” në Vjenë, për vizitorët. Dikur, aty shfaqej një person shumë i ndryshëm: Adolf Hitleri.

Një vizitor në Shtëpinë e Historisë, në muzeun historik bashkohor të Austrisë, vendosur në krahun e kolonave të “Neue Burg” të pallatit perandorak vjenez “Hofburg”, mund të ecë deri te dyert që të çojnë në një nga ballkonet më famëkeqe në historinë austriake: deri te vendi, ku me një fjalim më 15 mars 1938, Adolf Hitleri u njoftoi austriakëve që brohorisnin, se vendi i tij i lindjes ishte përfshirë në Rajhun e Tretë, një ngjarje e njohur si Anschluss.

Megjithatë, dyert qëndrojnë të mbyllura, duke e bërë të pamundur që ndonjë vizitor edhe të dalë në atë që shpesh quhet “ballkoni i Hitlerit”.

Monika Sommer po bën ç’është e mundur, për ta ndryshuar këtë traditë. Drejtoresha e Shtëpisë së Historisë, po bën thirrje që ballkoni të përfshihet në koleksionin e muzeut historik bashkohor dhe të hapet për publikun, si një mënyrë për të forcuar kujtesën historike kolektive të vendit dhe të tashmen e tij demokratike.

“Dihet, se kjo është tabu, pasi deri më tani publiku, thjesht, nuk i lejohej të kalonte në këtë ballkon,” –  tha ajo, për DW.

Megjithëse konsiderohet si ballkon, ai është arkitektonikisht më i ngjashëm me tarracën, pasi është në një hyrje të mbuluar që të çon në pallat, nga “Heldenplatz” ose “Sheshi i Heronjve” – vendi i protestave dhe manifestimeve politike, në të kaluarën dhe aktualisht.

Për Sommer, hapja e ballkonit do të ishte pjesë e një procesi më të gjatë, që do të dëshironte të ndërmerrte muzeu, i vendosur në Neue Burg. “Hapi i parë, do të ishte hapja e ballkonit për publikun dhe lejimi i vizitave të regjistruara për të dalë aty,” – i tha ajo DW, duke shpjeguar se mund të pasojnë zhvillime ose instalime të mëtejshme.

Demonstrata të të gjitha llojeve, zhvillohen në sheshin poshtë ballkonit, të tilla si ajo në vitin 1993, kundër ksenofobisë.

Faqe e historisë austriake

Ballkoni ka qenë prej kohësh, një nga simbolet më të shquara të Austrisë, për të kaluarën naziste, megjithëse roli i tij në histori shtrihet përtej asaj epoke.

Ai u ndërtua në fund të shekullit të 19-të, si pjesë e rezidencës së monarkisë Habsburg, pikërisht kur Perandoria Austro-Hungareze po shijonte ditët e saj të fundit të lavdisë para Luftës së Parë Botërore dhe shpërbërjes së saj pasuese.

Në fillim të shekullit të 20-të, ideologjitë politike rivale të viteve midis luftërave u zhvilluan në Heldenplatz, me nacionalistët pangjermanë, socialistët e internacionales anti-luftë dhe politikanët austrofashistë. Të gjithë ata mbajtën fjalime nga ballkoni për turmat e mbledhura në sheshin më poshtë. Vizitorët e nderit shpesh rrinin ulur në ballkon.


Fotografi e vitit 1901 e Heldenplatz ose Sheshi i Heronjve, me ballkon qe duket pas statujës së kuajve

Më 15 mars 1938, rreth 200.000 austriakë u mblodhën në Heldenplatz për të brohoritur për Hitlerin, kur ai njoftoi nga ballkoni i pallatit.”hyrjen e atdheut tim në Rajhun Gjerman”. Turmat gjithashtu u mblodhën aty në vitet pasuese, për të festuar përvjetorin e Anschluss (bashkimit).

Një fjalim i dytë dhe një pikë kthese

Pas Luftës së Dytë Botërore, ballkoni u mbyll. Austria e paraqiti veten si “viktimën e parë” të Hitlerit dhe refuzoi të mbante përgjegjësi si për Anschluss ashtu edhe për krimet pasuese naziste. Ishte vetëm fillimi i viteve 1990, kur Austria filloi të shqyrtonte në mënyrë kritike rolin e saj në atë epokë.

Ballkoni u hap për publikun vetëm një herë në historinë e tij të pasluftës: në vitin 1992, i mbijetuari i Holokaustit dhe fituesi i Çmimit Nobel të Paqes, Elie Wiesel mbajti një fjalim prej ballkonit, duke u bërë thirrje dëgjuesve të luftonin racizmin dhe të përballeshin me të kaluarën e vendit. “Ballkoni nuk është asgjë. Ai është një simbol, asgjë më shumë. Pastrimi, ndryshimi nuk mund të vijë nga ballkoni. Duhet të vijë nga poshtë,” tha ai.


I mbijetuari i Holokaustit Elie Wiesel (1928 – 2016) është i vetmi që ka mbajtur një fjalim në ballkon që nga viti 1945

Në një kohë që ai është i vetmi fjalim që u mbajt nga ballkoni që nga Lufta e Dytë Botërore, Sommer tha se ai nuk është shumë i njohur. “Interesante, ky fjalim nuk është i ankoruar thellë në kujtesën kolektive,” tha ajo. Potenciali për të zgjeruar kuptimin e ballkonit ekziston, ajo shtoi: “Mund të jetë gjithashtu një simbol për kuptimin e ri politik të Austrisë për historinë e saj…e cila analizon në mënyrë kritike historinë bashkëkohore austriake.”

“Vetëkuptimi kombëtar, që kemi përgjegjësi të përbashkët dominon absolutisht. Kanë ndryshuar shumë gjëra në këtë drejtim,” tha Sommer, duke shpjeguar sesi Austria e sotme e ka hedhur poshtë teorinë e “viktimës së parë” dhe në vend të kësaj pranon dhe trajton bashkëpunimin e saj në krimet naziste . “Kjo është pikërisht arsyeja pse mendoj se do të ishte mirë ta theksoja këtë me një sinjal të fortë,” shtoi ajo, duke iu referuar hapjes së ballkonit.

Pamja e demokracisë

Nga ballkoni shihen disa nga vendet më të rëndësishme politike të Austrisë: së bashku me Heldenplatz, duken edhe Parlamenti austriak me kolona greke, Bashkia e Vjenës neogotike dhe qeveria dhe kancelaritë presidenciale.

“është një pamje e mrekullueshme nga atje lart dhe një mundësi shumë, shumë e mirë për t’i folur një grupi për kuptimin e demokracisë,” tha Sommer. Ajo do të donte të kombinonte vizitat e drejtuara në ballkon me iniciativat arsimore për formimin demokratik, që ofron muzeu.

Për të mbledhur mbështetje për hapjen e ballkonit, Shtëpia e Historisë Austriake i lejon vizitorët të votojnë a e mbështesin iniciativën. Që nga mesi i marsit, kanë votuar më shumë se 60.000 vetë, rreth 51.000 prej tyre në mbështetje të hapjes. Muzeu gjithashtu mban një faqe në internet, “Ballkoni, një vend në ndërtim”, ku njerëzit mund të paraqesin idetë e tyre për pamjen e ardhshme të ballkonit.

Sommer, nuk e di nëse shtysa për të hapur ballkonin do të ketë sukses; ka shqetësime sigurie dhe strukturore që duhet të merren parasysh. Megjithatë, ajo është e përkushtuar për të nxitur diskutimet publike dhe vazhdon të jetë e sigurt, se mund të gjendet një zgjidhje: “Po të ketë vullnet politik, atëherë do të gjendet edhe rruga”.