MENU
klinika

Nga Spartak Ngjela

Aleksandër Vuçiç, psikikisht është në gjendje transi

20.03.2021 - 17:11

Aleksandër Vuçiç, psikikisht është në gjendje transi. Kjo është një gjendje e shregullimit mendor, e fiksuar kaq thellë në mendimin rreth diçkaje të dëshiruar sa që nuk sheh asgjë tjetër veç saj.

Të gjithë krerët tiranë të shteteve pushtues territoresh të huaja, në fundin e tyre, psikikisht, kanë kaluar në një gjendje transi: ata humbjet i kanë parë gjithmonë si fitore, dhe e kanë besuar këtë gjë.

Hitleri ishte një nga ata. Po ka dhe shumë të tjerë.

Më i fundit, dallon të jetë presidenti i Serbisë, Aleksandë Vuçiç.

l.

Abisus abisum invokat, na kanë thënë latinët- humnera ndjell humnerën. Dhe, pasionet e mëdha që pushtojnë një individ me psikikë të dobët, nuk e lejojnë këtë që të ketë koshiencë të qartë për të konceptuar gjërat e padëshirueshme për të, dhe kështu shkojnë drejt vetëshkatërrimit.

Në këtë gjendje duket se është edhe presidenti aktual i Serbisë, sa herë që ai flet për Kosovën.

Vuçiç tani kuptohet se është në një gjendje transi, domethënë është psikikisht i rënduar: ai ka nevojë të bindë vetveten, dhe, në gjendje teansi, është i sigurt se nuk e ka humbur atë që dëshiron me pasion patologjik – Kosovën. Dhe këtë e beson. Dhe kjo lloj gjendjeje psikike e lehtëson.

Mirëpo, tani po bëhet qesharak në opinionin publik ndërkombëtar.

ll.

Psikiatrit ua induktojnë gjendjen e transit pacientëve të tyre me hipnozë, në mënyrë që t’i lehtësojnë nga shqetësimet e rënda psikike që iu kanë shkaktuar humbjet; dhe pacientët, në gjendje transi, e besojnë dhe lehtësohen.

Por Vuçiç kuptohet se nuk e ka të induktuar gjendjen e transit nga psikiatrit, por e ka patologji të brendshme. Ai ka dy vjet që flet sikur Kosovën e ka pjesë të territorit të vet, dhe as që do ta kujtojë që Kosova është shkëputur nga ish Jugosllavia me luftë, dhe, në atë luftë, ish presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Milosheviç, ka kapitulluar.

Për Vuçiçin, që është një pinjoll i Milosheviçit, kjo gjendje reale e pozicionit të lirë të Kosovës si shtet i pavarur, e shtyp në psikikën e tij të rënduar, dhe e kalon atë në një gjendje transi, sepse kuptohet që vetë, së brendshmi, po ndjen tmerrin e humbjes së vetvetes dhe të Serbisë.

Por, në këtë gjendje transi, Vuçiç bën budallallëqe, dhe të gjithë po qeshin me të. Kurse ai vijon me marrëzitë e tij deri duke nxjerrë flamurin e Serbisë në hartën e Kosovës, e të tjera si këto, pa e menduar fare që Kosova e ka fituar pavarësinë e saj me anë të superfuqisë unike botërore, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe aleancës më superiore ushtarake në botë, NATO-s.

Në fakt, këtij Vuçiçit nuk i duhet vënë veshi, sepse kuptohet që është nën pushtetin e shregullimit psikik, por më keq duhet të jenë ata që e besojnë, se ka edhe shqiptarë të shitur që e besojnë, në Shqipëri dhe në Kosovë.

lll.

Histeria serbe antishqiptare ka qenë një veper e gjatë krimi në kohë, të cilën në fakt e kanë lejuar fuqitë e vjetra evropiane. Por tani kohët kanë ndryshuar, dhe përditë Uashingtoni politik po i thotë gjithë opinionit publik botëror se “Kosova është shtet i lirë, i pavarur, i çliruar dhe nën ombrellën mbrojtëse të Amerikës”.

Kurse presidenti serb, në të njëjtën kohë luan një teatër absurd force, blen armë, demonstron forcë, por gjithmonë është në gjendje transi, e cila e çon në dëlir dhe i duket vetja si të jetë presidenti i një superfuqie.

Në të vërtetë kjo tregon se ky lloj tipi është ai terroristi antishqiptar i dyqind vjetëve të fundit, dhe në gjendje mendore transi, po e bind veten se Kosova është Serbi.

Po a mund të ketë shërim ky tip? Jo, sepse, nga ndërtimi i tij psikologjik, ndoshta mendon se: pa Kosovën, shkatërrohet Serbia; por, pa Serbinë Vuçiçit nuk i duhet as jeta. Prandaj po e mban autohipnoza e gjendjes së transit, që duket se e ka pushtuar, si një gjendje e brendëshme hipnotike për të kaluar dhe ca kohë dhimbjen.

Po nëse Vuçiç del nga gjendja e transit, çfarë ndodh?

Shumë nga këta lloj tipash kanë vrarë veten.

A thua ta vrasë veten edhe ky. Nuk di çfarë të them, por shenjat nuk i ka të mira…