MENU
klinika

"Kam vendosur të..."

Alfred Peza i jep fund dilemës nëse do të kandidojë në zgjedhjet e 25 Prillit

07.03.2021 - 15:36

Ndërsa pritet të hartohet lista përfundimtare e kandidatëve për t’i regjistruar në KQZ, ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Peza thotë se ka zhvilluar një takim me kryeministrin Edi Rama, ku ky i fundit sipas tij i ka kërkuar të kandidojë.

Në një postim në rrjetet sociale, Peza thekson se ka vendosur të mos kandidojë.

“Unë do të qëndroj në krah të Edi Ramës sepse besoj tek ai dhe puna e tij, pavarësisht nga pozicioni që mund të kem në raport me sfidat e maxhorancës që do të rikonfirmohet me siguri në 25 prill”- shkruan Peza.

Reagimi:

Të dashur miq!
Sapo mbarova një takim me Kryeministrin Rama dhe kam dëshirë të ndaj me ju arsyen dhe përfundimin e takimit.
Kryeministri më kërkoi gatishmërinë për të qenë pjesë e skuadrës së deputetëve, për zgjedhjet e 25 prillit 2021, duke vlerësuar kontributin tim si deputet më parë dhe si person i angazhuar në debatin publik më pas.
Më erdhi mirë që në vlerësimin e tij, ai nënvizoi se në debatin publik kam kontribuar jo si “partizan”, po si qytetar i angazhuar. Natyrisht me bindje e kahje në mbështetje të punës së kësaj maxhorance, por pa e shkelur kurrë etikën dhe pa i hyrë kurrë në hak partizançe palëve të tjera.
E falenderova Edi Ramën për këtë interesim, që e konsideroj të posaçëm pasi nuk është në stilin e punës së tij! U ndjeva mirë duke e ditur edhe që listat janë plotësisht në dorën e drejtuesve të qarqeve, deri kur ata të vijnë nesër në zyrën e Ramës në PS para mbledhjes së kryesisë në mbrëmje.
Por refuzova:-)
I thashë kryeministrit dhe po ju’a them të gjithëve se jam ndjerë i privilegjuar që kam përfaqësuar edhe më parë, vullnetin elektoral të qytetarëve në Kuvendin e Shqipërisë. Por karrigia e deputetit nuk është për mua në këtë fazë të jetës dhe aktivitetit tim!
Unë do të qëndroj në krah të Edi Ramës sepse besoj tek ai dhe puna e tij, pavarësisht nga pozicioni që mund të kem në raport me sfidat e maxhorancës që do të rikonfirmohet me siguri në 25 prill. Ka plot të tjerë PS, që e duan më shumë se unë dhe e bëjnë po aq mirë apo më mirë se unë punën e depuetit, kështu që më shumë kënaqësi vendin tim ia lë kujtdo prej tyre në Kuvendin e Shqipërisë.
Mbetem si gjithmonë i përkushtuar për të dhënë kontributin tim maksimal, për këtë familje politike, ku jam ndjerë mirë që ditën e parë dhe do të jetë kënaqësi e krenari për mua të anazhohem krah miqve deputetë, qoftë në fushatë dhe qoftë në çdo sfidë të terrenit pas fitores!
Urime dhe suksese te gjithëve!
Së bashku për Shqipërinë!