MENU
klinika

8 vajza dhe gra në radhët e diplomacisë

Ambasador Dashnor Dervishi: Diplomat nuk të bëjnë gradat dhe kryeqytetet…

08.03.2021 - 14:03

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka gjatë ceremonisë së organizuar në ditën ndërkombëtare të gruas vlerësoi rolin e grave dhe vajzave në diplomaci, që prej vitit 1929, vit kur i miratua ligji i parë i shërbimit të jashtëm në Shqipëri.

“Jo vetëm që janë pjesa dërrmuese e punonjësve të kësaj ministrie janë gra dhe vajza, por disa prej misioneve tona më të rëndësishme drejtohen prej grave: Roma, Athina, Brukseli, Uashingtoni. Misioni ynë në Kombet e Bashkuara drejtohet nga gra dhe drejtohet me shumë sukses. Dhe jam krenare që së shpejti kur Shqipëria të marrë vendin e saj jo permanent në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara një nga prioritetet e misionet tonë pranë Këshillit të jenë pikërisht gratë ose më saktë axhenda e grave e paqes dhe sigurisë”, deklaroi kryediplomatja në fjalën e saj gjatë ceremonisë. Sakaq ambasadori i mirënjohur Dashnor Dervishi, i cili është dhe mentor i diplomatëve të rinj theksoi se rruga e diplomacisë nuk është aspak e lehtë dhe se diplomat të mirë nuk të bëjnë as gradat dhe as misionet në kryeqytetet e botës.

“Nuk është një rrugë e lehtë dhe e rehatshme ashtu siç duket nga jashtë. Nuk mjafton të mbarosh kursin dhe ta quash veten diplomat, mbarimi i kursit është vetëm hapi i parë i maratonës suaj të gjatë, që ju pret në shërbimin e jashtëm të vendit tonë. Diplomatë nuk ju bëjnë as gradat e as kryeqytetet e rëndësishme ku mund të emëroheni. Diplomat të bën vetëm përkushtimi, dashuria për Atdheun dhe familjen dhe praktika diplomatike nëpërmjet kontakteve. Një diplomat mund të zbukurojë por kurrë nuk mund të gënjejë”,-tha gjatë ceremonisë ambasadori Dashnor Dervishi.

Sakaq Ministrja Xhaçka, siguroi mbështetjen e saj për çdo diplomat të ri që vendos të japë kontributin e tij në diplomacinë shqiptare.

“Dua t’ju garantoj që do të gjeni tek unë një mbështetje shumë të fortë dhe të vendosur të të rinjve, do të gjeni një drejtuese të gatshme që t’ju krijojë hapësira dhe mundësi për të treguar se çfarë dini të bëni dhe sa mirë dini ta bëni, sepse unë besoj si çdo pjesë tjetër e administratës të institucioneve të shtetit shqiptar edhe diplomacia ka nevojë për gjak të ri, për gjenerata të reja që të marrin stafetën duke e bërë më mirë sesa bëhen sot dhe më mirë sesa është bërë deri dje misioni i diplomatit”, -tha Xhaçka.