Situata në spitalet Covid-19 vazhdon të jetë e rënduar, ku aktualisht po trajtohen më shumë 600 pacientë.
Mjekja Eugerta Dilka thotë se kapacitetet në spitale po shkojnë drejt ezaurimit, teksa shton se ka shumë pacientë, të cilët ndodhen në gjendje të rëndë.
“Situata vijon të rëndë jemi drejt ezaurimit të kapaciteteve të vendit të spitalit, pasi pacientët vijnë në gjendje të rëndë. Pothuajse 2/3 e pacientëve në spital janë të një moshe mesatare nga 30 në 60 vjeç dhe shikojmë se është rritur shumë agresiviteti i virusit”, tha mjekja Dilka.
Mjekja shprehet se pacientët që janë në gjendje të rëndë, nuk janë trajtuar apo paraqitur tek mjeku i familjes. Disa prej tyre thotë mjekja kanë refuzuar shtrimin në spital dhe si pasojë gjendja e tyre është përkeqësuar, duke përfunduar dhe në humbje të jetës.
“Pacientët që vijnë dhe shtrohen në spitalin tonë janë në gjendje të rëndë kjo dhe për shkak të mostrajtimit dhe paraqitjes te mjeku i familjes.Kemi pasur raste që kanë refuzuar shtrimin në momentin e parë që kanë ardhur, dhe pas një ditë gjendja e tyre është përkeqësuar duke përfunduar dhe në humbjen e jetës”, është shprehur Eugerta Dilka për Abc News.
Ditët e fundit numri i pacientëve, të cilët nuk kanë mundur dot ta mposhtin betejën me virusin, mbetet në shifra të larta, ndonëse që prej 2-3 ditësh vërehet një rënie e lehtë e rasteve të reja.