Një ditë më parë Edy Reja zbuloi listën e Kombëtares me lojtarët që ka thërritur për të përballuar tri sfidat kualifikuese, në transfertë me Andorrën, në Tiranë me Anglinë dhe jashtë ndaj San Marinos respektivisht në datat 25, 28 dhe 31 mars.
Dukshëm bien në sy mungesa të mëdha në këtë grup lojtarësh, qoftë edhe për shkaqe të ndryshme. Alban Hoxha, pas shumë vitesh, lihet jashtë. Kjo sepse Gentian Selmani është duke bërë superparaqitje në ligën e dytë turke dhe për të nuk ka vend.
Lorenc Trashi nuk mund të vijë për shkak të bllokimit në Kuvajt. Mungesa të rëndësishme janë sulmuesit Balaj dhe Sadiku, që kanë dhënë shumë për kuqezinjtë. I pari ka shumë konkurrencë në sulm, sepse tashmë është thirrur edhe Brajrami dhe vjen sërish Kamberi.
Ndërsa për Sadikun ka ndikuar shumë edhe largësia dhe që nuk ka luajtur kohët e fundit. Të tjerë shumë të rëndësishëm të lënë jashtë, janë Endri Çekiçi, Ergys Kaçe dhe Ivan Balliu, në aktivitet me skuadrat e tyre përkatëse. Kjo për arsye se mesfusha ka mbipopullim, teksa Kallaku, Laçi, Çokaj e të tjerë janë më në formë.
Keqardhje për Çekiçin, që ka luajtur mirë kohët e fundit, madje edhe ka shënuar dy gola në javët e fundit. Gjithsesi, Reja e ka në konsideratë, ndërsa për Kaçen duket se nuk flitet më.
Në formë mjaft të mirë së fundmi ka qenë edhe Eduart Rroca, sërish i papreferuar në listë. Gjithsesi, me siguri këta lojtarë do të kenë mundësi të thirren në muajin qershor, kur Kombëtarja ka dy ndeshje miqësore.