MENU
klinika

"Votoni njerëzit që e duan këtë vend"

Balla: Nesër nis vaksinimi masiv në Elbasan

27.03.2021 - 11:00

Drejtuesi politik i PS për Qarkun e Elbasanit Taulant Balla, teksa ka zhvilluar një takim në Bradashesh me banorët e kësaj zone, ka deklaruar se nga nesër do të nisë vaksinimi masiv në Elbasan.

“E kemi me shumë merak mbajtjen e maskës kshuqë do ju kërkoja të gjithëve të ruajmë dhe këto distancat. Sot është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë. Tani mund të shohim dritë në fund të tunelit sepse procesi i vaksinimit në masë fillon nesër në Elbasan.  Pas mjekëve dhe infermierëve, prej nesër 60-65, 70-vjeçarë të gjithë do të planifikohen në një proces vaksinimi që do të zgjasë dy apo tre muaj për të arritur në një numër që na garanton që këtë verë ta kemi një situatë tërësisht në kontroll të pandemisë. Unë mendoj që në Bradashesh ne duhet të kemi një rezultat që Partia Socialiste nuk e ka patur asnjëherë në këtë zonë. Nuk është Bradasheshi i djathtë. Thjesht dhe vetënm ajo që ka munguar ka qenë një organizimi i duhur i Partisë Socialiste këtu. Unë jam shumë i sigurt që 25 prilli do të jetë një ditë shumë e rëndësishmë për Bradasheshin. Kemi plot punë. Është një njësi shumë e madhe, një ndër njësitë më të mëdha administrative si ish-komunat e vjetra të asaj kohe në Shqipëri, me plot fshatra dhe plot probleme. Falë investimeve të OSHEE-së po përmbyllim në të gjithë njësinë administrative rrjetin më të mirë të shpërndarjes elektrike. Është një investim i madh rreth 2.4 miliard lekë që prek edhe zona të tjera të njësisë administrative, por që na jep mundësinë të përqasemi.”, u shpreh Balla.

Balla tha se legalizimet në këtë zonë kanë qenë ‘mollë e ndaluar’ teksa shtoi se në listën e PS-së secili banor gjen përfaqësuesin e vet.

“Ne kemi ecur me legalizimet. Në Bradashesh legalizimet kanë qenë ‘mollë e ndaluar’. Deri në vitin 2013, në të gjithë qarkun Elbasan ishin bërë 603.  Në Bradashesh kanë qenë vetëm 28 legalizime gjithsej. Nuk mund të investosh në urbanizim,në rrugë, trotuar, ndriçim pa mbaruar procesi i legalizimeve. Zona e Bradasheshit duhet të jetë pjesë e integruar e Elbasanit, nuk ka ku shtrihet më. Unë jam shumë i sigurt që me vëmendjen e shtuar të Edi Ramës, Bradasheshi si njësi administrative duhet të jetë përfituesi kryesor i këtyre investimeve. Nuk mund të shkojë mendja e një njeriu me pak mend në kokë të bëjë këtë listë që ka bërë PD në Elbasan. E ka fshirë Elbasanin nga faqe e dheut.

Nuk do të ketë një përfaqësues të listave të PD-së në Parlamentin e ardhshëm. Unë mendoj se ka ardhur dita që të votojmë një listë ku secili prej jush këtu mund të gjejë njeriun që e përfaqëson, listën e PS. Vajzat dhe gratë që janë këtu e gjejnë vetveten tek Evis Kushi, tek Marsida, tek Desantila, tek Briseida, tek Albana Hana, një juriste e kthyer nga Gjermania për të dhënë kontribut për rrethin e vet.  Të 15-të janë banorë të qarkut Elbasan, asnjëri nuk është turist.”, tha ai.

Në fund Balla siguroi se qeveria do ta bëjë pagën minimale 400 mijë lekë dhe ftoi banorët që në 25 prill të votojnë njerëzit që e duan këtë vend.

“Ne do ta bëjmë pagën minimale 400 mijë lekë. Asnjë i punësuar nuk do të marrë më nën 400 mijë lekë dhe deri në 400 mijë lekë, asnjë taksë, 0 taksë. E kuptoni çfarë alternative keni përpara? Prandaj ju them që është shumë e rëndësishme që ne në 25 prill të votojmë për ata njerëz që e duan këtë vend, janë të lidhur me këtë vend, duan ta zhvillojnë këtë vend. Jo për disa njerëz që vijnë njëherë në 4 vjet, marrin votën dhe s’duken asnjëherë.”, përfundoi Balla.