MENU
klinika

A do të vazhdojë e njëjta tabllo edhe pas 25 prillit?

Bedri Islami: A mund të përparojë shteti pa ndëshkimin e klasës politike?

31.03.2021 - 11:51

Po e marr të mirëqenë se në zgjedhjet politike të 25 prillit shumica e sotme qeverisëse do të jetë e tillë dhe se do të vazhdojë të qeverisë edhe në katër vitet e ardhshme. Sondazhet e deritanishme më mundësojnë një hamendje të tillë, por, po ashtu, më çojnë drejt pyetjes se, çfarë, më mirë se deri tani do të bëjë e njëjta klasë politike që qeverisi në 8 vitet që shkuan?

Që qeverisja Rama ka më shumë mundësi të mbetet ende në selinë kryeministrore kjo është një enigmë që zgjidhet brenda pak javëve; ajo që mbetet si e tillë është pikërisht e ardhmja, nëse do të ketë diçka ndryshe apo do të vazhdojë të jetë, si më parë, njëra nga qeveritë e radhës, e cila, edhe pse mund të ndërtojë më shumë e të ketë progres më të njohur, mund të mbetet vetëm “qeveri e rradhës“, nëse nuk bën pikërisht atë që është pritur që në filimin e vitit të parë të mandatit të parë: ndëshkimin e së keqes.

E keqja e qeverisjes nuk është një figurë, ku Zonja Ambasadore e SHBA është kapur me forcë dhe po e sjell shembulltyrën e së keqes, Tom Doshin, apo e disa njerëzve, të cilët dyshohen të lidhur me krimin – dhe shqetësimi i saj nuk është vetëm i një njeriu, as vetëm i Departamentit të Shtetit; më tepër se i tyre, është i banorëve të këtij vendi, të cilët, mjerisht, të keqen e kanë parë shumë më gjërë se një njeri i vetëm apo një grusht njerëzish. Të gjithë këta, të cilët dyshohen se mund të jenë pjesë e krimit – nuk janë bërë të tillë pasi kanë qenë mbinjerëz, por sepse politika u ka afruar shtegun, i ka lënë të lirë, dhe, mbi të gjitha, janë të lidhur me shtresat e larta
të politikës.

Nuk e di se çfarë ka bërë Tom Doshi, i cili i ka zemëruar kaq keq amerikanët. Nuk e kam takuar kurrë. Di vetëm se dhjetëra e dhjetëra njerëz, pa bërë zhurmë e bujë, kanë patur mundësi të operohen e të jenë në jetë nga kontributi financiar i Doshit, por, krejt mirë e di se mbi të dhe mbi njerëzit, të rrezikshëm se nuk kam, qëndron një plejadë e klasës sonë politike, e cila e ka dërmuar këtë vend.

Le të jemi të hapur:
30 vitet e pluralizmit në Shqipëri janë përgjithësisht një kohë e dështuar. Janë bjerrje të shpresës së madhe që kishin studentët e dhjetorit për një Shqipëri ndryshe dhe humbja e besimit të qytetarëve shqiptarë se ky vend do të bëhet. Në këto tri dekada u rrit me një shpejtësi të habitshme, marramendëse një klasë politike çoroditëse, thellësisht zhvatëse, që ka krijuar oazet e saj politikë, financiarë dhe të krimit, janë ngritur resorte të habitshme, ku shumica janë përmes parasë së pistë, bashkëpunimit me krimin dhe zhvatjen e njerëzve. Nëse në marsin e vitit 1992 kishte një fillesë shprese se do të ndryshonte ky vend i bekuar dhe, nëse në qershorin e vitit 2013 kjo shpresë u përsërit, e të gjitha humbën, kjo ka të bëjë pikërisht me këtë klasë politike, e cila, mjerisht, asnjëherë, edhe kur krimi ishte flagrant, nuk u ndëshkua, nuk u skuq dhe vazhdon të jetë përsëri e njëjta, qoftë kur ishte në pushtet, qoftë në opozitë.

A do të gjykohet ndonjëherë kjo klasë politike? A do të prishej shteti apo do të rimëkëmbej ai nëse pjesë të kësaj politike do të ndëshkohej?

Këto ditë u largua nga jeta një politikan i njohur, Bashkim Finoja dhe vetëm tani, kur ai iku nga ne, njerëzit befas vunë re se ai kishte qenë shpirti i paqtimit, i shpresës në ditë lufte, që bëri në një ditë të pushojë lufta dhe të qetësohet vendi. Socialisti Fino ishte përtej mërisë, por mëria ishte kundër tij. Fino ishte i pranueshëm në kohë lufte, por jo në kohë paqe.

Thuajse të gjithë shefat e qeverive që kanë shkuar në këto 30 vite sot janë ndër njerëzit më të pasur në këtë vend; thuajse të gjithë ministrat kanë qenë pjesë e barbarisë së zhvatjes së pasurisë së përbashkët; liderë politikë që janë të lidhur me banditë të rrugëve që gjenden kudo; gremina financiare janë krijuar në të njëjtën kohë kur janë ngritur edhe resortet madheshtorë; kultivimi i drogës, përhapja e shitje e saj, sidomos përtej kufijve ka qenë e mbetet praktikë e zakonshme… vjedhje masive të zbuluara e të padënuara…, vrasje , vetëm në Tropojë janë mbi 200 djem të rinj të vrarë, për të cilët nuk është dënuar askush, sepse klasa politike është organizatore e tyre; vrasje gjykatësish, si i ndjeri Konomi, me urdhër të qarqeve të larta të lidhura me politikën, median dhe pronat në bregdetin e lakmuar të Lalzit, vrasje në mesin e bulevardit, ku gjthçka është bërë në dritën e diellit, barbarisht, kujtoni rastin e bankierit Santo, ndaj njerëzve me duar në xhepa; vrasje në Gërdec, ku, megjithëse dihet fare mirë se kush ishte “sy peshkaqeni”, asnjë institucion drejtësie nuk kishte guximin minimal të thërriste një pinjoll kryeministror… tenderë të dhënë firmave fantazmë, ku milioma euro do të ndaheshin nga njerëzit e politikës… banditë që blejnë vota, shesin emra deputetësh, deputetë që kujdesen për pronat e banditëve kur këto janë në burgje dhe, në fund, si një përtallje për gjithë çka ndodhur, kishim një KÇK, “Kap Çfarë të Kapësh” që ndalon tek banditët e rrugëve, por bën kujdes të mos trazojë banditët e politikës.

Koha për të pasur një gjykim për një klasë politike thellësisht të korruptuar e skajmërisht antikombëtare ka qenë prej shumë kohe. Në tri dekada, jo rastësisht, mbi këtë vend, kanë rënë aq shumë gjëma të mëdha, sa që secilit komb tjetër do i kishin mjaftuar, dhe do u ishte dukur e tepërt edhe për një shekull.

Si nuk ndodh askund tjetër, me gjithë ndodhitë e rënda, vjedhjet e jashtëmendjes, krijimin e një oligarkie e korporate të paligjshme, por vendosëse deri në vrasje, shpërthimin e një katastrofe si ajo e vitit 1997, grushte shteti dhe mbështetje të makinerisë vrastare të Milosheviqit e regjimeve të tjera despotike, humbjen e shpresës dhe të besimit ndaj shtetit, në Shqipëri ndëshkueshmëria ka qenë e paqenë, e pashpresë dhe inekzistente. Shpesh herë ajo është shpërblyer. Tetë vite më parë kishim premtimet e bujshme të shefit të qeverisë, Edi Rama për ndëshkimin e krimit, sidomos nga politika, e përsëri askush nuk u gjykua.

A do të vazhdojë kjo edhe pas 25 prillit? A do të kemi rishtas të njëjtën tabllo: fushatë të egër elektorale dhe heshtje paszgjedhore? Shteti nuk mund të ngrihet nëse krimi i klasës së lartë politike nuk goditet. Harrojeni!

Çfarë është kjo klasë politike, e cila ka zaptuar shtetin?
Mjerisht, ndryshe nga sa ishte menduar nga një grup njerëzish idealistë, Shqipëria prodhoi në seri njerëz meskinë të politikës, të cilët, të frymëzuar prej idesë së pasurimit të paligjshëm, shesin çfarë të munden, deri nderin, të vërtetën, ndërgjegjen, e më pas edhe kombin.

Kja klasë politike, megjithëse e rrëzuar nga pushteti sipas alternativës tetëvjeçare, e riardhur, e po ashtu e rrëzuar edhe më parë, pas gjëmave të mëdha, që morën jetën e mijra vetëve, jo vetëm që vegjeton qetësisht, stërritet e ushtron presionin e saj të kudoqofshëm, deri në absurditet, por tashmë, krejtësisht jashtë rrezikut për të ardhmen e tyre, kërkojnë ngultas rikthimin në pushtet, qoftë edhe përmes përbaltjes dhe kriminalizimit të shtetit të tyre, ashtu si pala tjetër, edhe pas kriminalizimit të skajshëm të politikës, ku më shumë ndjehet forca e një bande të fortë se sa e një politikani të mençur, mbahet pas pushtetit.

Thirrjet e deritanishme të opozitës për të ndërprerë reformën në sistemin e drejtësisë, për rikthmin e gjyqësorit në atë shkallë deformimi sa ishte, mbrojtja e asaj pjese të drejtësisë të lidhur me politikën – asnjëra nuk është shenjë ripërtëritjeje dhe ndëshkmi; në të kundërtën, është sinjali irikthimit te mosndëshkimi dhe riforcimi i lidhjeve të krimit me politikën.

Në këtë mjedis politik, liderë të këtij mendimi dhe precedenti politik të pashembullt, vazhdojnë të jenë të njëjtët njerëz, që fatkeqësisht hynë në politikë me bluza të bardha, për ta gjakosur atë pas pak viteve, si askush tjetër në një shtet demokratik; që hynë si studentë idealistë, për t’u kthyer në manjatë financiarë; që u bënë pjesë si piktorë modernistë, për të krijuar sistemin enigmë dhe dërmues të PPP-ve; ministra që ishin mekanikë dhe u gdhinë ministra të shendetësisë; të panjohur që drejtuan dikasteret.

Mbi klanin politik berishist rëndojnë, le ta themi haptas, mjaft krime të pa ndëshkuara. Janë aq të shumta, sa që tani është e panevojshme ripërsëritja e tyre. Ky klan, familjar e politik, krijesë e një oligarkie politike e financiare të rrezikshme deri në skaj, është përgjegjës në një rëndesë të madhe, por jo i vetmi, në gjithë këtë katrahurë ku vërvitet një vend me resurse, me njerëz të aftë, por të pashpresë, dhe në të cilin, pasuritë e tij, si mos më keq, janë shitur në koncensione të babëzitura. Atë që ka lënë pa bërë qeveria Berisha, si duket, me të njëjtin zell, po e bën qeveria Rama. Nëse kjo e fundit edhe në katër vitet e ardhshme, nuk do e bëjë ndëshkimin e së keqes, duke nisur nga vetja, atëherë, më mirë të gjendet një figurë përbashkuese, si Bashkim Finoja, të bëhet Qeveria e Luftës kundër Korrupsionit, për të patur një frymë të re!

Përse nuk dëshkon qeveria e sotme krimet që kanë ndodhur nën qeverinë e djeshme? Përse njerëzit nuk besojnë se, edhe nëse do të ketë ndryshim qeverisje, askush nuk do të ndëshkohet? Përse, të paktën për ato që ka dëshmuar vite më parë, nuk përgatitën dosjet, të cilat të bëheshin publike, të hapura për të gjithë, që një e vërtetë e ditur skutash ose e pëshpëritur, të bëhet pjesë e verdiktit të mendimit njerëzor?

Qeveritarët e djeshëm, të para vitit 2013, e dinë këtë më mirë se ne të tjerët. Edhe ata, pas vitit 2005, kur rierdhën në pushtet nga ndarja e së majtës në disa pjesë e shumë pjesëza, pas bubullimave, lëshuan pak shi të butë dhe ata që “u lagën në mëngjez, u thanë gjatë drekës”. Të jetë kjo kthimi i një borxhi të vjetër? A ka ende “borxhe” të tilla?

Askund tjetër nuk ka e nuk do të ketë një sistem drejtësie kaq të implikuar me krimin, sa ky që kemi sot në Shqipëri. Shumë prej tyre, sidomos në postet kryesore, kanë kaluar nga zyrat e pushtetit për të mbrojtur pushtetin dhe për të qenë, së bashku me të, pjesë e rrjepjes së shtetit. Mafia e drejtësisë së sotme është e lidhur fuqishëm me politikën, është pjellë e saj, ndaj askush të mos mendojë se është një pjellë që mund të “hajë” rritësit e saj. Por, mbi të gjitha, Mafia e sistemit të drejtësisë është e lidhur me bandat që kanë tagrin e tyre në politikë. Lirimet nga burgjet e të dënuarve përjetësisht janë haraçi i përbashkët i drejtësisë dhe i politikës. Por, edhe në se struktura të drejtësisë do të donin të bënin ndryshimin e madh, çka pritet me padurim, janë aq shumë dosje të fshehta për to, aq shumë përgjime për çfarë kanë bërë e çfarë kanë arritur të bëjnë, janë të dhënat për transfertat e parave në parajsat fiskale, jo vetëm në bankat qipriote; aty gjenden transaksionet që kanë bërë, fitimet që kanë përfituar, vilat e ngritura si me magji, me gjthë rrogën e zakonshme; ashtu si, në rast të kundërt, mund të vijë edhe ndëshkimi. Rasti i gjyqtarit Konomi nuk është i largët, e po ashtu nuk është i largët as rasti Trebicka. Qeveritarët e djeshëm janë aq të aftë sa që, pasi të zhdukin, të premtojnë të të bëjnë fjalimin më të bukur që është mbajtur ndonjëherë në një varrim publik.

Shteti, që kur është krijuar më i pari i tyre, fillon e ngrihet kur ndëshkohet krimi. Ndëshkueshmëria është shtyllë mbajtëse e shtetit, ndryshe, e gjitha kjo, për fat të keq, do të jetë si ato kalatë e rërës në buzë të detit, që shuhen pas dallgës së parë.

Ndaj, edhe besimi i njerëzve se një ditë do të gjykohet, klasa e korruptuar politike, jo vetëm si persona publikë, por si precedentë të rrezikshëm politikë e financiarë, ka filluar të humbasë. E, bashkë me to, edhe besimi i një njeriu që ka pritur gjithë shpresë kthimin nga e mbara të vendit të tij.

Ky, jam unë, si mund të jetë secili nga ne.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Qasja e pakicës serbe në Kosovë, në dukje e parrezikshme...

Bedri Islami: Një shtet brenda shtetit!

Bedri Islami/ Dëshmia në Hagë

Aktakuza/ Tre qëndrime ndaj çështjes Thaçi

Nga Bedri Islami/ Terrori në Vjenë, një listë emrash dhe një dokument

Përfshirja e shërbimit sekret serb në përpunimin e të rinjve shqiptarë drejt radikalizimit