MENU
klinika

"Pandemia forcoi pushtetin"

“Freedom House”: Demokracia në botë, në rënie!

03.03.2021 - 13:31

        Në raportin vjetor të organizatës “Freedom House”, sa i përket lirisë në botë, është thënë se pandemia vdekjeprurëse, pasiguritë ekonomike dhe fizike, si dhe konfliktet e dhunshme, që janë raportuar në botë, kanë rezultuar me humbje të mëdha të mbrojtës së demokracisë kundër armiqve autoritarë, duke zhvendosur ekuilibrin ndërkombëtar në të mirë të tiranisë.

Në raportin e titulluar “Demokracia nën rrethim 2021”, është thënë që më pak se një e pesta e njerëzve në botë, tani jeton në shtete krejtësisht të lira.

Aktorët autoritarë janë bërë më të guximshëm më 2020, teksa demokracitë kanë bërë kthim mbrapa, duke rezultuar me vitin e 15-të me radhë që raportohet për rënien e nivelit demokratik në botë, bazuar në raportet vjetore përpiluar nga organizata me bazë në Uashington, Freedom House.

Në gjetjet e raportit është vërejtur se numri i shteteve “jo të lira” ka arritur në nivelin më të lartë, prej kur zuri fill përkeqësimi i demokracisë më 2006 dhe se, numri i shteteve që kanë shënuar rënien e të drejtave të njeriut i ka tejkaluar ato që kanë shënuar përparim, në shkallën më të madhe në periudhë 15-vjeçare.

Situata në vendet e Ballkanit Perëndimor

Në Ballkanin Perëndimor është vërejtur edhe përparim, edhe hapa mbrapa.

Në pjesën për Kosovën, është thënë se “garda e vjetër politike” ka rrëzuar qeverinë jetëshkurtër të Albin Kurtit dhe ka formuar një të re, në mënyrë jokushtetuese.

Zgjedhjet me disa shkelje të raportuara në Serbi, është thënë se i kanë dhënë goditje sistemit shumëpartiak në këtë vend.

Në Malin e Zi, ndërkaq, është penguar rënia për të gjashtin vit me radhë, meqë zgjedhjet kanë rezultuar me transferimin e parë të pushtetit tek opozita, prej pavarësisë së këtij shteti.

Në Maqedoninë e Veriut, raporti ka theksuar se është zgjedhur “një qeveri reformiste dhe institucionet janë rimëkëmbur prej dëmit të shkaktuar nga ish-kryeministri, Nikolla Gruevski”.

Të gjitha këto vende, janë renditur si pjesërisht të lira.

India ndryshon status

Në raport janë 73 shtete me më pak pikë sesa më parë – shifër kjo, që përfaqësojnë rreth 75 për qind të popullsisë globale.

Mes këtyre vendeve, nuk përfshihen vetëm vendet autoritare, si; Kina, Bjellorusia apo Venezuela, por edhe demokracitë si Shtetet e Bashkuara dhe India.

India ka ndryshuar statusin madje, nga vend i lirë, në pjesërisht i lirë, që nënkupton se, më pak se 20 për qind e popullsisë në botë, aktualisht jeton në një shtet të lirë – proporcioni më i vogël, prej vitit 1995.

Të drejtat politike dhe ato qytetare, kanë shënuar rënie në Indi, prej kur Narendra Modi është bërë kryeministër, më 2014.

Në Bjellorusi dhe Hong-Kong, për shembull, protestat e mëdha pro demokracisë janë përballur me shtypje brutale nga qeveritë, që kanë dënuar kritikat ndërkombëtare.

Ofensiva e ushtrisë së Azerbajxhanit në rajonin e Nagorno-Karabakut, ka kërcënuar në mënyrë indirekte përparimin drejt demokracisë në Armeni, derisa konflikti i armatosur në rajonin Tigray të Etiopisë, ka shuar shpresat për hapjen politike në këtë shtetm nga viti 2018.

Në raport është thënë edhe se Pekini ka zgjeruar fushatën globale të dezinformimit dhe censurës, pjesërisht edhe për shkak të fshehjes fillestare për  koronavirusin, që solli vonesë në kundërpërgjigjen ndërkombëtare ndaj pandemisë.

Përpjekjet në rritje të Pekinit, janë vërejtur edhe në ndërhyrje të politikës të brendshme të demokracive të huaja, si dhe shtrirjet transnacionale të abuzimeve të të drejtave të njeriut në territorin e Kinës.

Nevoja për reformë në Shtetet e Bashkuara

Ndonëse ende të lira, Shtetet e Bashkuara janë përballur me rënien e shkallës së demokracisë, gjatë vitit të fundit të presidencës së Donald Trumpit.

Shifrat në SHBA, kanë rënë me 11 pikë në dekadën e fundit, duke përfshirë tri pikët e vitit 2020.

Një mori zhvillimesh më 2020-ën, mendohet se kanë ndikuar në këtë rënie.

Administrata e ish-presidentit amerikan Donald Trump, ka dëmtuar transparencën qeveritare, duke shkarkuar inspektorë gjeneralë, duke ndëshkuar sinjalizuesit, si dhe me tentivat për të kontrolluar, apo manipuluar informacionin për koronavirusin.

Në këtë vit, ka pasur edhe protesta masive, ndonëse kryesisht paqësore, që janë përcjellë nga rastet e profilit të lartë të dhunës, brutalitetit policor dhe përballjeve vdekjeprurëse me kundërprotesta.

Kjo situatë ka rezultuar me rritjen e numrit të gazetarëve të arrestuar dhe të sulmuar fizikisht, kryesisht gjatë raportimit për protestat.

Ndërsa së fundmi, tentativat shokuese të Trumpit, për të përmbysur rezultatin zgjedhor – që si pasojë nxitën sulmin ndaj Kongresit, nga mbështetësit e tij – i kanë vënë institucionet zgjedhore, nën një presion të madh.

“Dita e 6 janarit, duhet të jetë thirrja e zgjimit, për amerikanët, rreth brishtësisë së demokracisë në vend”, – ka thënë presidenti i “Fredom House”, Michael J. Abramowitz.

“Administrata Biden, Kongresi i ri dhe shoqëria civile amerikane, duhet të forcojnë demokracinë dhe të drejtat civile. Njerëzit në mbarë botën motivohen me modelin pozitiv të Shteteve të Bashkuara, ndërsa vendi i kthehet një bote më demokratike”.

Efektet e COVID-19

Përgjigjja qeveritare ndaj pandemisë, ka përkeqësuar rënien e demokracisë në botë.

Regjimet shtypëse dhe liderët populistë kanë çuar në zvogëlimin e transparencës, duke promovuar informacionin e rremë, si censurë ndaj informacioneve që nuk janë të favorshme.

Shumë prej atyre që kanë kritikuar menaxhimin e situatës pandemike nga ana e disa qeverive, janë përballur me sulme dhe akuza penale.

“Izolimet, me raste kanë qenë të tepruara, të politizuara dhe të zbatuara brutalisht nga agjencitë e sigurisë. Liderët kundër demokracisë në gjithë botën, kanë përdorur pandeminë si arsyetim për të lufuar opozitën politike dhe për të forcuar pushtetin”, – thuhet në raport.

Po aty, përmendet shembulli i Hungarisë, ku qeveria e kryeministrit Viktor Orban, ka marrë fuqi shtesë gjatë krizës shëndetësore dhe i ka keqpërdorur ato, për të tërhequr ndihmën financiare për komunat e udhëhequra nga partitë opozitare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Historitë e tmerrshme nga pavijonet me pacientë në prag të vdekjes

‘The Economist’: Trauma kolektive që po shkakton Covid