MENU
klinika

Nga Andi Bushati

Frikacaku Lulzim Basha dhe hipokrizia me reformën në drejtësi

19.03.2021 - 10:46

E para mund të jetë lapsus apo rastësi, por kur përsëritet nuk është më e tillë. Lulzim Basha e ka kapërcyer hendekun e dyshimit teksa përsëriti dje, se nëse ai vjen në pushtet pas 25 prillit, qeveria e tij nuk do të fusë duart në Reformën në Drejtësi. Se çfarë kërkonte të thoshte me këtë thirrje që politika të qëndrojë larg nga pjella e treshes Rama-Lu-Vlahutin, lideri demokarat e shpjegoi rreth një muaj më parë në një intervistë për News 24. Aty ai u zotua se, me ardhjen e demokratëve në pushtet, kjo reformë “do të përshpejtohet me ritmet që i kanë munguar gjatë këtyre viteve”.

Duke dëgjuar këto deklaratla të shet të opozitës në prag të zgjedhjeve, të lindin disa pyetje themelore: A ka nevojë reforma në drejtësi thjeshtë të prshpejtohet, apo mos vallë ajo duhet përmbysur tërësisht? A garantohet suksesi i saj thjesht duke mos futur duart partitë, apo ajo ka nevojë për një qilizëm rrënjësor? A rregullohet me arnime, apo duhet akur tej?

Hamendësimet e mësipërme më shumë i ngjajnë pyetjeve retorike. Kushdo që e ka studiuar sadopak këtë gërmadhë që fut ujë nga të gjitha anët është i qartë. Ajo që dikur na u shtit si shpresa euroamerikane për të luftuar pandëshkueshmërinë në Shqipëri tani ka rezultuar një dështim i madh.

Falë saj, ne kemi një Gjykatë Kushtetuese gjysmake, ku, sipas komisionit të Venecias shumica e emërimeve janë bërë në kundërshtim me ligjin. Ne sot vërtet kemi SPAK, por sukseset e vetme të tij janë arrestimi i atyre që kanë ndërruarr jetë dhe varrosja e dosjeve për vjedhjen e votave. Pas shtatë vitesh nuk kemi ende asnjë vendim të rëndësishëm nga Gjykata e Lartë.

Të gjitha institucionet, pa përjashtim, janë formuar me vonesa të llahtarshme dhe kanë qenë të detyruara të bëjnë kompromise me kriteret e vendosura për tu ngritur në këmbë. Në arkitekturën e kësaj ngrehine, që do të hapte një epokë të re në demokracinë shqiptare, nuk ka arritur të depërtojë asnjë personalitet i diplomuar në mënyrë ekselente në universitetet e perëndimit, apo qoftë dhe ndonjeri prej atyre juristëve të sprovuar që kanë shërbyer në Gjykatën e Strasburgut. Nga mënyra se si është konceptuar, ajo ka përzgjedhur vetëm njerëz servilë e pa personalitet, që do i shërbenin pushtetit që e krijoi, dhe çdo pushteti të ardhshëm nesër.

Pikërisht për këto arsye Brukseli e ka ndaluar eksportimin e eksperimentit shqiptar në vendet e tjera të ish lindjes komuniste, ndërsa sondazhe kredibël asin për një rënie të theksuar të besueshmërisë së publikut shqiptar për atë reformë që dikur u pa si shpresë.

Natyrisht, Lulzim Basha është i ndërgjegjshëm për të gjitha këto. Ndonëse jo me të njëjtin nerv dhe argumenim ligjor si presidenti Meta edhe njerëzit e tij, nga selia e PD, i kanë vënë në dukje këto dështime spektakolare. Nga analizat e forta të shtypit kritik me qeverinë, nga fokus grupet e zhvilluara para fushatës zgjedhore, ai e di se në tërësinë e vet, populli opozitar, as e merr seriozisht, as nuk beson se mishmashi i krijuar me fonde perendimore dhe me implikimin e marifetçinjve rilindas do të pjellë ndonjë herë drejtësi.

Ndaj premtimet e Bashës se po toi, ai nuk do të fusë duart në këtë çorbë dhe se do ta çojë me shpejtësi përpara atë janë hipokrite. Natyrisht, qëllimi i këtyre deklaratave është lehtësisht i lexueshëm. Së pari ai tenton ti përgjigjet sulmeve të Ramës se kundërshtarët e tij i tremben nga drejtësia e re dhe prandaj duan ta sabotojnë atë. Mbi të gjitha, duke folur kështu, ai tenton të garantojë faktorin ndërkombëtar, që ka shpenzuar aq shumë para në këtë katastrofë, sa do ta çojë atë përpara me çdo çmim.

Por, pikërisht këtu qëndron problemi. Sepse lideri i një force opozitare që premton ndryshim, nuk e ka luksin të bëjë deklarata të cilave nuk i beson as vetë. Ai nuk mund të takticizojë me një çështje kaq madhore. Ai nuk mund të pretendojë se, vetëm duke e përshpejtuar, karakatina që gatuan Xhafaj dhe Manja mund të ringjallet.

Nëse e bën këtë thjeshtë si kundërpërgjigje ndaj Ramës dhe si garanci për ndërkombëtarët, ai del thjeshtë një mashtrues që mund të sillet njësoj me çdo gjë që artikullon gjatë kësaj fushate. Pasi e vërteta është se reforma në drejtësi duhet përmbysur e tëra, nëse duhet që realisht ti shërbejë shqiptarëve dhe jo vetëm pushtetit të ri, njësoj siç bëri me paraardhësin.