MENU
klinika

"Gabova me Hekuran Billën, për Endrit Doklen erdhi raport..."

‘Rrëfehet’ gjyqtarja e Krujës, Enkeleida Hoxha

16.03.2021 - 12:26

Gjyqtarja e Krujës Enkeleida Hoxha, e arrestuar me urdhër të SPAK pasi dyshohet se lironte nga burgu kundrejt parave persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, “është” rrëfyer para KLGJ për vendimet që ka dhënë.

Hoxha ka pranuar para kolegëve të saj që do marrin vendim për masë disiplinore ose shkarkim nga detyra, se ka gabuar pjesërisht për lirimin nga burgu të Hekuran Billës, i cili u vra një vit pasi doli nga burgu, në 2020 te Komuna e Parisit.

Gjyqtarja Hoxha ka thënë se pas lirimit Hekuran Billa nuk ka bërë ndonjë shkelje, deri ditën që e ekzekutuan. Ndërsa për rastin e Endrit Dokles, ajo ka thënë se vendimi për lirimin e tij është marrë pas dokumentacionit dhe kartelës mjekësore që është dërguar nga IEVP Fushë-Krujë.

Magjistratja ka kërkuar që të ndëshkohet me masë disiplonore dhe jo të shkarkohet, pasi edhe prokurorët e çështjeve respektive nuk kanë bërë apelim të vendimit të saj, duke bërë që lirimi i të dënuarëve nga burgu të jetë përfundimtar dhe i formës së prerë.

Enkeleida Hoxha ka thënë se edhe gjyqtare të tjera kanë liruar persona të rrezikshëm nga burgu por rastet e tyre nuk kanë shkuar as në KLGJ e as janë bërë mediatike. Për këtë, ajo mori rastin e një të dënuari, shtetasi A.K, i cili një javë pasi u lirua u ekzekutua në Shkodër.

Report Tv ka siguruar deklaratën e gjyqtares Hoxha para KLGJ-së:

“Në pamundësi të paraqitjes së materialeve për shkak të situatës, në të cilën ndodhem, pasi jam në paraburgim që nga data 11 shkurt 2021, kërkoj të relatoj si më poshtë: Sa i përket pretendimeve të ILD për lirimin e dy shtetasve, të dënuarit Indrit Dokle dhe të dënuarit Hekuran Billa, kërkon të parashtroj sa më poshtë:

Shqyrtimi i kërkesës me objekt aplikimi i dënimit alternativ, qëndrim në shtëpi, është bërë duke iu referuar dokumentacionit shkresor të përcjellë nga IEVP-në (burgu) Fushë-Krujë, nga administrimi i dokumentacionit mjekësor, dhe konkretisht nga administrimi i kartelës klinike administruar nga ky institucion, nga mjeku përkatës i atashuar pranë IEVP-në (burgu) Fushë-Krujë, i cili në shpjegimet e tij të përshkuara në këtë dokumentacion përkatës, ka evidentuar problemet shëndetësore, të cilat ai ka pasur nga momenti që është akomoduar pranë këtij institucioni.

Gjithashtu, gjykata, në shqyrtimin e kësaj kërkesa penale, ka administruar edhe raportin e përcjellë nga zyra e shërbimit të provës Krujë, e cila pasi ka shqyrtuar të gjithë dokumentacionin përkatës dhe të marrjes së të dhënave plus intervistimit të familjarëve të të dënuarit, ka paraqitur një raport pozitiv, duke u shprehur dakord me kërkesën për qëndrimin e të dënuarit në shtëpi.

Dua të theksoj para jush se ky vendim është i formës së prerë, pasi as prokuroi i çështjes dhe as titullari i këtij institucioni nuk e ka ushtruar ankimin ndaj këtij vendimi.

Sa i përket rastit tjetër (Hekuran Billa), të trajtuar në raportin përkatës, kemi pranuar pjesërisht kryerjen e shkeljes dhe që më pas, në përputhje me nenin 135 të ligjit nr. 96/2016, të propozonim marrëveshjen e përbashkët për masë ndëshkimore, e cila sigurisht nuk duhet të ishte ajo ekstreme. E them këtë pasi në rastin konkret, lirimi i të dënuarit nuk solli as pasoja apo dëme lirimi i tij, pasi që nga momenti kur i dënuari është liruar nga shkurti i vitit 2019 deri në çastin kur është vrarë, nuk është përfshirë në asnjë ngjarje apo vepër tjetër penale.

Gjithashtu lirimi i tij është bërë mbi bazën e dokumentacionit përkatës së sjellë nga IEVP-në (burgu) Fushë-Krujë, ku i gjithë dokumentacioni ka qenë pozitiv në të gjitha rubrikat përkatëse të vlerësimit të sjelljeve, përcjellë nga ana e institucionit ku ai vuante dënimin. Dokumentacioni u përcoll tek zyra e shërbimit të provës Krujë, e cila ka paraqitur një raport pozitiv sa i takon lirimit të këtij të dënuari para kohe.

Përsëri në rastin konkret, aq prokurori i çështjet dhe as titullari i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, nuk ka ushtruar ankim, duke bërë që vendimi përkatës të jetë i formës së prerë.

Lidhur me trajtimin që i është bërë këtij gjykimi, mund të them me bindje se trajtimi në raportin e ILD-së, është i veçuar, pasi edhe në gjykatat e rretheve të tjera gjyqësore, janë shqyrtuar, gjykuar dhe pranuar kërkesa për lirim para kohe me kusht të të dënuarve të tjerë, të cilët edhe pse nuk kanë pasur fatin e Hekuran Billës dhe kanë kryer vepra të tjera penale, as institucionet përkatëse nuk kanë incizuar procedime disiplinore, dhe as mediat e shkruara apo vizive nuk janë ndalur në këto raste apo nuk kanë komentuar gjyqtarë apo prokurorë konkretë.

Kemi pasur edhe raste të tjera lirimi të të dënuarve, të cilët kanë pasur këtë fat. Konkretisht, i dënuari me inicialet A. K, banues në Shkodër, ku lirimi i tij pas solli ngjarjen tjetër, ku pas një jave ky shtetas është vrarë. Lirimi i tij është bërë nga një gjyqtare tjetër, jo nga unë. Dhe as mediat dhe as institucionet e drejtësisë nuk e kanë trajtuar këtë rast.

…që nga muaj tetor i vitit 2004, unë punoj pranë Gjykatës së Krujës dhe prej 17 vitesh jam angazhuar maksimalisht për të ushtruar profesionin dhe detyrën time si gjyqtare. Kam gjykuar me përgjegjshmëri dhe në zbatim të ligjit të gjitha çështjet që më janë caktuar për të gjykuar. Kam qenë korrekte dhe gjithmonë prezence në punë, duke mos munguar asnjë ditë në punë. Jam sjellë me etikë si me kolegët apo me stafin e gjykatës, edhe me palët në proces, duke mos pasur asnjë situatë konfliktuale apo debat që mund të lidhe me ushtrimin e detyrës.

Përgjatë gjithë viteve kam përballuar ngarkesë të madhe në gjykimin e çështjeve, e cila mund të shihet shumë qartë në çdo analizë vjetore.

Me gjithë vështirësitë dhe problematikat familjare që kam patur, pasi jam një nënë e vetme që rris dy fëmijë, një 9-vjeçar, i cili vuan nga sëmundja e autizmit dhe vajzën 13-vjeçare, duke qenë nënë edhe baba për ta. Në asnjë moment nuk kam anashkaluar apo neglizhuar punën time.

Ashtu si edhe familja, e cila është e shtrenjtë për mua dhe janë jeta ime, sigurisht që puna është jeta ime. Ndaj, unë do të doja të kërkoja nga ana juaj që të gjykoni me objektivitet të pandikuar apo intimiduar nga komentet mediatike, nga komentet e përfaqësuesve politikë, të cilat sigurisht që kanë qenë të padrejta, duke më etiketuar me shprehje që nuk më përkasin mua. Ndaj unë  do të doja që të vlerësoni dhe të gjykoni me objektivitet këtë kërkesë dhe këtë proces”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Regjistrimi i rreth 13.000 m2 tokë pa asnjë dokument ligjor në Lalëz

Lihet në qeli ish-kreu i Kadastrës

Dyshohet se ra nga lartësia e një pallati

Tragjike! Humb jetën 10-vjeçari

Zonat ku pritet të ketë edhe dëborë

Nisin reshjet e shiut në të gjithë vendin