MENU
klinika

Serie A, Java 26

Inter nuk ndalet, mban distancën nga ndjekësit

08.03.2021 - 22:45

Shtatë fitore radhazi në Serie A, Inter nuk mposhtet që nga 6 jnari në kampionat dhe vazhdon të kryesojë bindshëm. Zikaltrit fituan 1-0 në shtëpi ndaj Atalantës. Një fitore e vuajtur, por në këtë stacion ato që vlejnë janë pikët.

Interi ka gjetur golin e avantazhit ndaj Atalanta pasi vuajti në pjesën e parë. Një goditje këndi është shfrytëzuar nga zikaltrit për të shënuar me anë të Milan Skriniar në 54’.

Në një përplasje brenda zone ku topi mbeti aty, Bastoni pason për sllovakun, që godet menjëherë dhe gjen rrjetën duke i dhënë avantazhin djemve të Contes. Mund të kishte edhe penallti për ndërhyrjen ndaj Bastonit, por topi përfundoi në rrjetë dhe gjithcka kaloi pa polemika.

Inter u përpoq të vriste ndeshjen me një gol të dytë, por nuk erdhi. Ndërsa në fund vendasit më shumë u përpoqën të mbronin avantazhin e një goli dhe të kundërsulmonin. Pjesën e parë e bënë mirë, e dyta nuk funksionoi, por as Atalanta nuk qe e aftë të barazonte.