MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Kam djalin me epilepsi, ç’bëhet në raste krize?

31.03.2021 - 10:18

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Kam djalin me epilepsi. I frikësohem shumë momenteve kur bën kriza. Lutem, a mund të pyes një mjek se çfarë duhet të bëjmë në rast të një krize urgjente?

Mjeku: Kur kriza ndodh për herë të parë dhe është e gjeneralizuar ka një ndjesi paniku të jashtëzakonshëm. Pamja e personit që kalon krizë të gjeneralizuar për shumë perceptohet e frikshme dhe ndjesia është epilepsisikur ai po vdes.

Megjithatë në shumicën e rasteve krizat epileptike janë të shkurtra dhe të vetëkufizuara. Është e rëndësishme që në rast krize pacienti të kthehet në anë (që të lirohet nga sekrecionet), t’i vendoset diçka e butë si nënkresë (që të mos goditet).

Të çlirohet nga kravata apo rrobat e mbyllura ngushtë në qafë, të mos mbahet nga gjymtyrët ndërkohë që ka krizën, të mos qëllohet apo shkundet (“për ta kthyer në vete”), të mos i forcohet hapja e gojës dhe të mos i tërhiqet gjuha (ka shumë raste me dëmtime të gojës dhe gjuhës gjatë përpjekjeve për ta ruajtur gjuhën të mos “gëlltitet”).

Të largohen nga pacienti objektet e rrezikshme me të cilat mund të dëmtohet gjatë krizës, të monitorohet mënyra se si ndodh kriza dhe matet koha (sa kohë zgjat kriza). Pacienti të dërgohet menjëherë në spital nëse kriza zgjat apo ka kriza të njëpasnjëshme.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.