Mund të kishte zgjedhur Anglinë, të paktën me ekipet e moashave, por Armando Broja thotë se zgjedhja e Shqipërisë para Anglisë (ku ka familjen dhe është sistemuar prej vitesh) ishte një vendim i lehtë.
Ai shpjegon se si mes vështirësish tek akademia e Chelsea ka formuar karrierën e tij, deri më tani. 19-vjeçari, i cili ka lindur në Slough, po kërkon të bëjë paraqitjen e tij të tretë me kombëtaren e të rriturve të Shqipërisë.
“Tre Luanët” vizitojnë kuqezinjtë të dielën. Broja do të luajë kundër tyre, pasi ka shijuar një ngritje disi meteorike nëpër radhët e kombëtareve shqiptare, pas periudhave të shkurtra me U-19 dhe U-21.
“Është një vendim i madh, natyrisht, kur zgjedh vendin tënd për të luajtur, – tha Broja për “Goal”. – Bëra këtë zgjedhje, sepse kam gjak shqiptari brenda meje. Unë jam shqiptar, prindërit e mi janë shqiptarë, kështu që ishte një vendim i lehtë.
Mendova se kështu do t’i bëja krenarë njerëzit atje, edhe prindërit e mi. Unë dua ta ndihmoj Shqipërinë si kombëtare drejt kualikimit në Kupën e Botës ose Europian. Kjo është dëshira ime më e madhe.
Nëse do të shkonim në Kupën e Botës, do të ishte çmenduri, do të hynim në histori. Ne kurrë nuk kemi arritur atje, kështu që do të ishte diçka e çmendur për vendin. Unë kam shumë njerëz të familjes në Shqipëri, i kam vizituar çdo vit, kështu që këtu është me të vërtetë një pjesë e madhe e jetës time”.
Broja kaloi kohë me Fulham dhe Tottenham, para se të bashkohej me akademinë e Chelsea më 2009. Ai ka luajtur një ndeshje me të rriturit e “Blues”, duke zëvendësuar Olivier Giroud në minutat e fundit të një fitoreje 4-0 në Premier League, ndaj Everton, marsin e kaluar.
Këtë sezon po luan rregullisht te Vitesse, ku është huazuar. Me 9 gola në 23 ndeshje në “Eredivisie”, Broja po konfirmohet si sulmues me potencial. Ky është shpërblimi për punën e madhe të bërë nga adoleshenti, i cili e vlerëson kohën që kalon me kombëtaren e Shqipërisë. Një përparim i madh, pa harruar kohërat më të vështira në Londrën perëndimore.
“Në vitin e parë tek U-18, unë isha 17 vjeç dhe nuk po kaloja sezonin më të mirë, – thotë Broja. – Shënova dy gola gjatë gjithë sezonit, kështu që isha vërtet poshtë. Më mungonin golat edhe në stërvitje, kështu që nuk luaja shumë.
Pastaj, pata një nxitje nga nëna dhe babai im dhe Shqipëria më thirri për të luajtur në verë. Ftesa ishte nga Shqipëria U-19, prandaj mendova se do të ishte mirë të shkoja atje dhe të merrja vetëbesim, në një ekip tjetër me lojtarë të ndryshëm, për ta hequr mendjen time nga Chelsea, ku sezoni nuk ishte më i miri.
Unë shkova në Shqipëri, luajta katër ndeshje dhe shënova gjashtë gola, kështu që u ndjeva mirë. Nisa të shënoja, të luaja mirë dhe Chelsea e pa këtë. Para fillimit të sezonit, luajta me U-21 të Shqipërisë, kundër Uellsit, në debutimin tim. Hyra në pjesën e parë dhe shënova brenda dy minutash në fushë.
Shënova përsëri 10 minuta më vonë dhe po ndihesha mjaft mirë. Kisha fituar besim të madh në vetvete. U ndjeva shumë mirë në përgatitjet parasezonale me Chelsea. Drejtuesit panë atë që arrita përpara vitit të dytë me ekipin e të rinjve.
Aty pata një sezon mjaft të mbarë. Është mirë që e kalova atë periudhë për t’u rikthyer. Ju mësoni shumë në ato kohë, kur nuk është e lehtë. Të jesh futbollist ndërkombëtar në moshën 19 vjeç është diçka që shumë lojtarë e kanë bërë, por gjithashtu shumë të tjerë nuk e kanë provuar. Po, është mirë, sepse si lojtar i Chelsea, gjithashtu presin shumë nga unë në Shqipëri”.