MENU
klinika

Manifesti femëror brilant

“Mbretëresha Margo” dhe Aleksandër Dyma, jo feminist!

17.03.2021 - 17:11

         Në këto kohëra kaq të trazuara për botën e kulturës, studiuesit e shkencave shoqërore po mobilizohen për të folur mbi veprat që ata pëlqejnë (letërsi, teatër, kinema, muzikë, etj.), sepse kultura ushqen të gjitha disiplinat dhe flladit si reflektimin akademik, aq edhe imagjinatën kolektive.

Kryevepra “Mbretëresha Margo” i autorit Aleksandër Dyma, nuk mbetet pas trilogjisë “Tre muskëtierët” dhe heksalogjia “Konti i Monte Kristos”, pasi është po aq i gjallë, i vrullshëm dhe i mprehtë, sepse përçohet absolutisht nga veprimi njëlloj si këta të fundit. Rrëfimi i veprimit te Dyma mbart gjithçka: komplotin, historinë, kuptimin, përshkrimet, mendimet, botën e brendshme dhe botën e jashtme, ai është më i zymtë, më i dhimbshëm (masakra e Sën Bartelemit), madje edhe i trishtuar (varja e kufomës së Kolinjit; torturat dhe prerjekokat e La Mol dhe Kokonas).

Epik dhe tragjik, ai është romani i dyzimit: gjendja femërore mishëruar nga personazhi i Mbretëreshës Margo. Ky dimension i jep romanit historik të dy viteve të fundit të mbretërimit të Sharlit IX karakterin e tij universal dhe bashkëkohor. Ndjesia e provuar kur lexojmë një roman me aktualitet dhe modernitet të fortë, është po ashtu për shkak të një fakti jo shumë të dukshëm: Luvri është personazhi tjetër kryesor në libër dhe parimi dinamik i romanit.

Një grua filozofe

Si shkrimtar, Dyma nuk shquhet si feminist.

Në veprat e tij hasim heroina të natyrave të ndryshme, disa prej tyre huazuar nga stereotipe mizogjene.

Nëse Zheneviev Diksmer te “Kalorësi i shtëpisë së kuqe” është e dyzuar midis kauzës mbretërore dhe dashurisë për një revolucionar, e famshmja Miledi te “Tre muskëtierët” gëzon të gjitha tiparet e magjistares dhe klishesë mizogjene të joshëses djallëzore që meriton të ekzekutohet. Personazhi i Mbretëreshës Margo mishëron gjendjen e grave moderne përballë patriarkatit. Në roman, Margërit dë Valua prezanton figurën e emancipimit femëror. Për t’ia prezantuar sa më mirë karakterin lexuesit, narratori zgjedh ta emërtojë atë “Madam Margërit dë Valua”, duke e futur në lojë që në fillim, si individ plotëtisht të pavarur. Faqe më tej, kuptojmë se ky statut është në caqet e një situate ku kjo autonomi kundërshtohet nga mënyra strukturore. “Mbretëresha Margo” përcakton feminitetin, pasi i është caktuar një rol shoqëror dhe politik në përçmimin e individualitetit të personit “Margërit dë Valua”. Tek të qenit një rast i veçantë, personazhi i romanit vesh një vlerë ekzemplare dhe universale në Francë dhe Evropën e vitit 1845, shenjuar nga zhgënjimi me premtimet emancipuese të revolucioneve. Nëse vajza e familjes më të fuqishme dhe më të favorizuar në Francë jeton e kufizuar, nën zgjedhën e pushtetit patriarkal, të njëjtin fat kanë edhe gjithë gratë në vend. Megjithëkëtë, në vijimësi të romanit, Mbretëresha Margo nuk e resht luftën për të fituar hapësirën dhe autonominë e saj: “Margërit ishte jo vetëm më e bukura, por edhe më e lexuara nga gratë e kohës së saj […]”. Ajo mëson, edukohet, studion me forcë dhe pasion, derisa bëhet një grua e arsimuar dhe një filozofe, që i përdor njohuritë e saj për të imponuar në latinisht dhe në greqisht respektin e Francës ambasadorëve të mbretërve evropianë.

Një grua e lirë në dashuri

Duke e refuzuar funksionin e instrumentit politik imponuar nga e ëma, mbretëresha Katerinë dë Mediçis, Margo lufton forcërisht ta jetojë jetën si një grua e dashuruar lirshëm. Pasioni dhe lidhja e saj romantike (çka bëjnë jehonë në pikturën e Delacroix, për të cilën Dumas ishte aq i interesuar) për/dhe me Kontin dë La Mol, një fisnik protestant pa të ardhura, është një nga burimet narrative të romanit të Dymasë. Personazhet e Margosë dhe shoqes së saj më të mirë, Henriet dë Never, zbavitin lexuesit me shijet e tyre dashurore dhe erotike.

Një grua politikane

Së fundmi, Margo është një grua që punon. Natyrisht, ajo nuk punon për të mbajtur veten. Aktiviteti i saj është ai i një politikaneje: në këtë rast gruaja e mbretit, motra e mbretit, vajza e mbretëreshës: një dreqo punë, veçanërisht në kohë të trazuara të luftërave fetare. Energjia dhe inteligjenca që shfaq e magjishmja Margo për pavarësinë e saj nuk çon në fitore, përtej saj! Pra, emancipimi mbetet një luftë e vështirë dhe një disfatë – derisa të provohet e kundërta.

Nën petkun e të shkruarit një roman princeshe, me një superheroinë që i bën vajzat të ëndërrojnë dhe djemtë të dashurohen, Dyma shkruan një manifest femëror brilant dhe të zymtë, epik dhe mizor. Lufta për emancipimin e karakterit të Margosë ka të gjitha tiparet e gruas moderne dhe të emancipuar. Nëse në fund moderniteti, energjia dhe autonomia e Margosë minohen, kjo ndodh ngaqë romani zhvillohet në kohën e tij: Restaurimi dhe Monarkia e Korrikut është epoka e premtimeve të lirisë dhe emancipimit të konfiskuar dhe jo të përmbushur. Në fillim të shekullit XXI, moderniteti i personazhit të mbretëreshës Margo tingëllon i vërtetë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dumas: Si e njoha Ali Pashën

“Shqiptarët kanë ligj shpagimin”