MENU
klinika

“Listat reflektojnë problematikat dhe dimensionet e dy krerëve të karvanit“

Minxhozi: Rama është munduar t’i ‘fshehë’ figurat që mund të jenë të konsumuar

08.03.2021 - 22:13

Analisti Skënder Minxhozi mendon se kryeministri Edi Rama ka zgjedhur një koncept listash me traksion të pasmë duke vendosur të parët në listë emra të paqortueshëm për të krijuar efektin surprizë dhe duke lënë në fund, ose duke ‘fshehur’ figura që mund të jenë konsumuar.

Sipas tij, janë lista që reflektojnë problematikat dhe dimensionet e dy krerëve të karvanit.

“Kur flasim për listën e Tiranës dhe duke e përgjithësuar me qarqet e tjera, Rama ka zgjedhur një koncept listash me tërheqje të pasme, duke folur me gjuhën e makinave. Kërkon që të ketë pjesën politike për t’i dhënë shtysë dhe në pjesën e parë të listës të ketë figura që të krijojnë atë efektin surprizë, që të jenë të panjohura dhe të paqortueshme sepse problemi i konsumit që ka Rama nuk është problemi i konsumit që ka Basha, pas 2 mandatet. Ai taktikisht figurat që mund të jenë konsumuar është munduar t’i fshehë ose t’i fusë në rreshtat e pasmë të listës për t’i pasur si një kontingjent politik që me njohjet dhe lidhjet që kanë për shkak të detyrës së gjatë dhe karrierës politike në terren ata të mundësojnë mbledhje votash së bashku me pjesën e parë që ka të bëjë më shumë me moralin, me freskinë e imazhit dhe me moskonsumimin.

Tek Tirana do të vija në dukje një fakt që është shumë simbolik. Ka vënë dy zonja që përfaqësojnë ndër të tjera, dy drama të mëdha të gjithë shqiptarëve dhe të mandatit të dytë që qeverisjes socialiste që është tërmeti dhe pandemia. Në qoftë se ato dy zonja mekanikisht t’i hiqnim nga lista e Edi Ramës dhe t’i linim vakant, nuk do kalonin 30 minuta që zoti Basha do t’i merrte në telefon për t’i pasur në listën e vetë. E kanë efektin surprizë më shumë se ndofta çdo prurje tjetër. Sa i përket efektit surprizë, për kolegun Gjekmarkaj, që realisht i uroj sukses dhe i uroj personalisht të mbetet vetvetja në një ambient ku të jesh vetvetja është shumë e vështirë.

Sa i përket listës së PD, ai problemi i balancës mund të jetë dhe moment dobësie. Autoriteti i Bashës me disa kryetarë partish të koalicionit dhe me numrin 5 të listës, që nuk e di a ka të bëjë me atë shprehjen e vjetër të snajperit numër 5 që është Berisha, është një problem i vjetër dhe i ri për Lulzim Bashën. Berisha është 5, është fiks. Përplasen një listë politike me një listë, e cila është një gjetje. Është një listë që reflekton problematikat dhe dimensionet e dy krerëve të karvanit. Është Lulzim Basha, i cili është një shtëpi e madhe me shumë zëra që duhet t’i menaxhojë, e kam fjalën për aleatët, problemi i Berishës dhe problemi më në sfond që është LSI-ja.

Për sa kohë që janë dy lista, formalisht dhe de fakto janë garuese, është dinamikë interesante se si do ta influencojnë njëra-tjetrën këto lista”, deklaroi Minxhozi.