MENU
klinika

Nga Alfred Peza

“Mission impossible” i Lulzim Bashës

22.03.2021 - 20:48

Lulzim Basha i ekspozon publikisht pasionet e tij, jo sipas atyre që ndjen vërtetë, por sipas nevojave të tij politike të ditës. E ka dëshmuar edhe këtë radhë, kur prezantoi librin e parë “Misioni im” që mban mbi krye emrin e tij, një muaj përpara zgjedhjeve të 25 prillit.

“E kam menduar që 10 vjeç. Dëshira ime e parë ka qenë që të shkruaj. Dashuria ime për librin daton që në fëmijërinë time të hershme. Mu hap një botë e tërë që mi ngacmonte fantazinë dhe imagjinatën”,- tha sot kandidati i opozitës për Kryeministër të Shqipërisë. Më shumë sesa një rrëfim i Lulzim Bashës, duket si një nga ato pasazhet e shkëputura nga kujtimet e fëmijërisë së Ismail Kadaresë, teksa kopjonte mbi fletoret e shkollës tragjeditë e Shekspirit.

Lulzim Basha ka plot 16 vjet që është pjesë aktive e jetës politike të vendit dhe është hera e parë që na dëshmoi një anë për të cilën ai kurrë nuk ka treguar as talent dhe as zell. E shumta deklarata e tij të kujton rrëfimin e Sali Berishës tek Fevziu kur ka thënë se “mjekësia ishte një pasion i jashtëzakonshëm, por në vitet e rinisë së hershme, pasioni im ishte letërsia dhe gjuha. Unë doja me çdo kusht të bëhesha një kritik letrar, pasi në fëmijërinë e hershme, kisha dështuar të bëhesha shkrimtar i respektuar”.

Një vit më parë, po tek emisioni “Opinion” Lulzim Bashan vetë, na kishte rrëfyer në fakt një pasion krejt tjetër. Fëmijëria dhe rinia e tij e herëshme kanë qenë të lidhura me gjëra krejt të tjera, por kurrësesi me librin, me publicistikën në përgjithësi e aq më pak me letërsinë në veçanti.

“Jam shumë i ri për tu koritur para shqiptarëve dhe kam ndërmend të dal faqebardhë para tyre, ndaj kam detyrimin që të gjitha vjedhjet dhe krimet të shkojnë para drejtësisë. Karrierën e prokurorit e kam ëndërruar në rininë time, por zgjodha një rrugë tjetër”,- ka deklaruar me pompozitet dhe “vendosmëri” Lulzim Basha më 2020.

Kë duhet të besojnë shqiptarët sot, Lulzim Bashën që kishte ëndërr të shkruante libra si Ismail Kadare? Kryetarin e PD që ëndërronte në fëmijëri si edhe Sali Berisha që të bëhej një shkrimtar i respektuar? Apo kandidatin e sotëm për Kryeministër që dikur ka deklaruar se ka patur ëndërr të bëhej prokururor?! Larg qoftë që këtë ëndërr të tij sot, ta bashkangjisim me atë të ish Kryeprokurorit të Republikës (së “Re”) Adriatik Llalla!

Është e vërtetë se liderët politikë përgjatë historisë kanë patur pothuajse gjithmonë një tërheqje fatale për letrat. Për librat. Letërsinë. Publiçistikën. Botimet. E kanë dëshmuar këtë ngasje, ose shumë më përpara se të arrinin majën e tyre më të lartë në pushtet, ose pasi kanë dalë nga skena. Duke na lënë pas fjalime frymëzyese, ose libra me kujtimet e një jete plot refleksione e deduksione, si një trashëgimi e vyer për bashkëkohësit dhe brezat që do vijnë.

Shembujt e liderëve politikë të botës demokratike, nga Winston Churchill e deri tani vonë tek Barack Obama, e dëshmojnë këtë. Sikundër edhe historia e Shqipërisë, nga Ismail Qemali tek Fan Noli, e kanë shënjuar herët këtë qasje. Sado pushtet që kanë patur nga politika, në fund të fundit të gjithë kanë kuptuar se ai ka qenë i përkohshëm, ndërsa pushteti i fjalës është i përjetshëm.

Është kjo edhe arsyeja se përse gjatë regjimeve ideologjike, diktatorët i kanë patur zili shkrimitarët, ndërsa ata vetë nuk kanë dashur kurrë që të ishin në vendin e tyre. Rasti i Enver Hoxhës dhe të tjerëve në ish lindjen komuniste, meritojnë një studim të thelluar për të kuptuar se përse një udhëheqës që i kishte të gjitha pushtet në dorë, nuk ndihej i realizuar dhe kërkonte të imponohej edhe përmes librave të tij.

I vetmi ndër udhëheqësit e rëndësishëm shqiptar që nuk ka lënë pas as libra, ditar a kujtime, ka qenë Mbreti Zog. Edhe Fatos Nano, Sali Berisha e Ilir Meta kanë ndjekur deri tani këtë shembull, e me sa duket kështu mund të ndodhë, deri në fund të jetës së tyre. Edi Rama është i vetmi ndër liderët e rëndësishëm të postkomunizmit, që ka botuar libra edhe përpara, edhe gjatë jetës aktive politike.

Lulzim Basha ndryshe nga gjithë të tjerët, që janë origjinalë dhe vetëvetja si me libra dhe si pa libra, vazhdon të mbetet i pandreqshëm në vesin e tij që del me shpirtin. Siç thotë Ilir Meta, ai gënjen edhe kur e pyet për orën, e jo më të mos na gënjente siç bëri sot për librin. Ndaj qoftë edhe për këtë, ëndrra e tij për tu bërë Kryeministër i Shqipërisë, është një mision i pamundur.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“PS bëri atë që duhet të bënte opozita…”

Refuzoi kandidimin/ Alfred Peza: S’ka lidhje me pozicionimin në list