Kombëtarja shqiptare e nisi mirë fushatën kualifikuese për Botërorin 2022, duke fituar 1-0 në Andorra. Tri pikë që vlejnë shumë në start, duke pretenduar më shumë në vijim.
Mjaftoi eurogoli i Lenjanit për t’i dhënë Shqipërisë 3 pikët e para në Grupin i kundër modestëve të Andorrës, që luftuan deri në fund dhe madje tentuan të ishin të rrezikshëm…
Ajo që duhet të ishte një autostradë u kthye në një malore, pasi u deshën të paktën 40 minuta që të shënohej goli i vetëm kuqezi, një goditje fluturimthi nga futbollisti i Grasshoper.
Në pjesën e parë, Shqipëria iu afrua golit edhe me Gjimshiti me kokë, ndërsa Manaj provoi në goditje dënimi. Në 45′ e dyta, kuqezinjtë menaxhuan lojën dhe Andorra u mbrojt, duke provuar të ishte e rrezikshme vetëm me kundërsulme dhe ndonjë goditje standarte si këndoret.
Broja pati shansin për të çuar shifrat në 2-0, ashtu sikurse edhe Roshi dhe Bare. Por, në fund, 1-0 mjaftoi për 3 pikët e para. Anglia fitoi thellë 5-0 ndaj San Marino, teksa Hungaria dhe Polonia u ndanë barazim 3-3. Shqipëria pas 3 ditësh do të presë Anglinë.