MENU
klinika

Fushatë me temperatura të larta?

Nazarko: Nuk do arrijë kurrë një nivel vlimi për të destabilizuar vendin, tre risitë

18.03.2021 - 18:18

Analisti Mentor Nazarko ka komentuar në studion e News24, në rubrikën “Opinion” fushatën e deritanishme elektorale, përplasjet dhe incidentet.

Pikërisht përplasje, vijnë sipas tij për shkak të frustrimit nga të dyja pakët, por edhe dalja e Presidentit të fushën e lojës dhe sjellja e Bashës janë tre risitë e kësaj fushate.
Nazarko tha se këto incidente nuk do arrijnë kurrë një nivel vlimi që do destabilizonte vendin, duke shpjeguar dhe arsyet.

Në ditët e fundit janë vënë re ngritje të toneve, të temperaturës, konflikte edhe fizike tashmë jo vetëm të mbështetësve. Në një episod pamë Presidentin e Republikës pastaj pamë sherr në Elbasan, sot pati prapë një incident. Si e shikoni, janë këto elemente sporadike apo tregojnë që po shkojmë drejt një 25 prilli me temperaturë të lartë?

Në qoftë se do të ishte thjesht dhe vetëm në dorën e aktorëve politikë se çfarë temperature do kishte fushata, me siguri ajo do ishte e lartë tërë kohën, nuk do të kishte elementë sporadikë. Mirëpo për fat të mirë nuk është në dorën e tyre. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe stabiliteti i saj nuk është thjesht dhe vetëm interes i yni kombëtar, por dhe interes ndërkombëtar, interes dhe i NATO-s.

Rastësi ose jo në ditët menjëherë pas votimit, në Shqipëri do të vendoset një kontingjent i forcave anëtare të NATO-s, në një manovër, më e madhja në Ballkan kështu që ky është një tregues i qartë që këto incidente, episode sporadike të kalkuluara ose jo thjesht nuk do arrijnë kurrë një nivel vlimi që do destabilizonte vendin.

 

 

Janë tregues i faktit që në fushën e lojës janë dy palë. Njëra e cila është e frustruar nga të mbeturit larg pushtetit dhe benefiteve të tij për 8 vjet dhe një palë që synon t’i ruajë këto benefite të krijuara në 8 vite, madje dhe t’i zmadhojë ato. Është një frustrim i ligjshëm i palëve politike të cilat e shikojnë pushtetin si burim të mirash. Është grupesh interesi që kanë mbetur të përjashtuara nga vendimmarrja e rëndësishme ekonomike-politike, siç ka grupe që duan të ruajnë pozita dominonte në tregun politiko-ekonomik.

Në këtë që po ndodh shikohen edhe provokime të qëllimshme në ato që mendohen që janë zona ku palët synojnë që të zbulojnë kush janë grupet mbështetëse paramilitare të njëri-tjetrit. Zona të cilat janë banko provë se ku mund të thyhet rezultati i 2017, Elbasani ngjan si i tillë, ashtu siç mund të ketë dhe llogaritje të atyre që janë mjeshtra të fshehur prapa skenës që llogarisin se një rritje e tensionit favorizon opozitën apo favorizon qeverinë. Unë mendoj se dëmton qeverinë, imazhin e saj. Kështu që incidente të tilla mund të jenë të provokuara në mënyrë që të dëmtojnë imazhin e qeverisë, të dekurajojnë votuesin proqeveri që të shkojë në kutitë e votimit. .

Përvec momenteve të nxehta çfarë shikoni tjetër me interes në këtë fushatë?
E veçanta është hyrja e presidentit në fushën e lojës. Në kushte normaliteti, siç e quan ai, ai do duhej të ishte arbitër, të kujdesej që palët të mos dilnin nga kodi etik, kodi politik. Ai ka hyrë tashmë në fushën e lojës, ka një alibi që është situata anormale politike, mungesa e përfaqësimit të opozitës në institucione.

Ka një shpjegim tjetër që ai synon të energjizojë fushatën e LSI, partisë së tij të origjinës, duke e personalizuar betejën e saj politike me një figurë të fortë, një figurë përfaqësuese siç është ajo e Metës. Ndoshta duke e parë që znj. Kryemadhi nuk arrin dot ta bëjë këtë. Kryemadhi është e zonja për të mobilizuar energji rinore, për të punuar në terren, por në pikëpamje të akteve të forcës apo të retorikës e cila shumëfishohet dhe ka ndikim elektoral, presidenti është personi më i përshtatshëm, qoftë në pikëpamje të profilit të tij personal, qoftë në pikëpamje të rolit që ka, institucional. Duke qenë president, automatikisht mediat i japin mbulim më të madh asaj që bën dhe për shkak të pazakonsisë së fushatës së tij.

Risia e tretë, është që zoti Basha përtej këtyre incidenteve që mund të ketë kalkulim nga ata që janë mjeshtrat mbrapa fushatës së tij, përgjithësisht po bën përgjithësisht fushatë të qetë, propozuese. Natyrisht që ai e ndjen atë që është hija e Metës në këtë fushatë. Ka perspektiva, ka skenarë të cilët ngjajnë të besueshëm, për një qeverisje eventuale me bazë të gjerë PD-PS dhe në këtë skenar, LSI synon të faktorizohet që tani. Zoti Meta siç e ka bërë të qartë dhe vetë, ka bërë të qartë që dhe mund të japë dorëheqjen. Kjo është dhe një veçori e kësaj fushate. Natyrisht po shohim gjithashtu që Rama po përpiqet të mbledhë, të korrë ato që konsideron angazhimi i tij në mandatin e dytë, në pikëpamje të rilindjes urbane edhe në zona që janë tradicionalisht bastione të së djathtës si Shkodra, Kukësi. Këto janë disa prej cilësive të një fushate ku motorët ngjajnë se janë ndezur dhe unë shpresoj që palët do t’i thërrasin arsyes që mos ta çojnë fushatën në një pikë vlimi që do ta shënonte për keq këtë proces zgjedhor.

Zgjedhësit, elektorati, çfarë do të ndikojë tek ata për votën e tyre?
PS është duke bërë një fushatë e cila synon të ruajë të paktën numrat që kishte në 2017 dhe në emër të kësaj z. Rama po bën lëvizje që kanë kreativitet, që shënojnë një lloj risie, siç është p.sh. rekrutimi, apo përfshirja në vijë të parë të lojës politike qoftë të znj. Bozo, qoftë të zonjës Çomo, figura simbol të dy prej dukurive me të cilat është ballafaquar Shqipëria.

Kur vjen puna tek znj. Çomo, Rama kërkon të krijojë idenë që është aq ballëhapur për mënyrën se si e ka trajtuar pandemisë sa kërkon të vërë një figurë simbol të pandemisë si simbol të partisë së tij.

Për zonjën Bozo, ai ka zgjedhur një lëvizje interesante dhe për një shkak tjëtër sepse është vlerësuar se të pakënaqurit mund të jenë ata që mund ta dëmtojnë shumë PS, të pakënaqurit socialistë. Znj Bozo është nga ato figura, e cila është e majtë e shkëlqyer, e ndritshme, qoftë me fjalinë e saj synon të mobilizojë me vetëdije apo vetëdije atë pjesë të elektoratit që mund të jenë të pakënaqur nga Rama, nga ato lëvizjet e tij aventureske djathtas. P.sh. as nuk mund të imagjinohej një udhëheqës i PS, i cili organizon ceremoni për riatdhesimin e eshtrave të Mithat Frashërit dhe mban një nga ato fjalime, ndoshta më të mirin. Është një goditje për ata të mbijetuar të LIIB që kanë votuar rregullisht PK dhe pastaj PS dhe aty shfaqet zonja Bozo.

Janë disa lëvizje që tregojnë se zoti Rama kërkon të kompaktësojë lëvizjen e vet.
PD nga ana e saj po përpiqet të rikthejë brenda vathës së vet elektorale, një pjesë të elektoratit që i shkoi tek LSI në 2017. Në sondazhe duket që PD po rritet.

Daljet me brohoritje për Bashën tregojnë një farë rigjallëimi të PD, apo janë efekt vizual më shumë?
Janë përpjekje për të arkitektuar një imazh të ri, të një lideri të fortë të Bashës, një imazh që nuk e ka pasur deri tani. Kjo fushatë e muajve të fundit, sigurisht është fushatë shumë e mirë, inteligjente dhe besoj që për shkak të kësaj fushate ka këtë rritje që ka pasur.

Basha nuk ka arritur për hir të së vërtetës, të kapitalizojë apo të vendosë spaleta të karrierës së tij politike. Basha në mungesë të veshjes së këtyre spaletave më herët po përpiqet të krijojë imazhin e një figure e cila ka popullaritet, një figure të fortë. Është një përpjekje për të galvanizuar militantët, por mbetet në kuota jo të agresivitetit verbal.

Forcat e tjera politike, disa kandidatë të pavarur, sa llogari mund t’u prishin forcave të madha tradicionale?
Do arrijnë t’u prishin në zona delikate, zona si Kukësi, Shkodra, Lezha, apo dhe Tirana sepse mendoj që ka një pakënaqësi të përgjithshme ndaj forcave ekzistuese politike. Për këtë arsye dukuri të mbështetjes elektorale për partitë e reja do shfaqen.

Znj. Topalli mund të jetë një lloj faktori, që përcakton në mos një mandat të plotë për vete, dëmtim të një mandati të plotë.
Tirana në një farë mënyre është miniaturë e gjithë Shqipërisë, por ama ke dhe elektorat që është dhe më i emancipuar politikisht dhe mund të votojë për figura të reja.

Figura të reja po bëjnë fushatë agresive në rrjetet sociale duke targetuar të rinjtë. Nuk është faktor i parëndësishëm. VV arriti ajo forcë, mu për shkak të targetimit të elektoratit të ri. Nuk besoj që VV në një kontekst të ndryshëm politiko-ekonomik si ai i Shqipërisë të dominuar nga figura historike si Rama, Meta, Berisha, Basha të arrijë të ketë, edhe në ëndrrën më të mirë dhe zoti Kurti nuk e mendon këtë objektiv. Zoti Kurti është dikushi që në 15 vjet të aktivizmit politik, ka arritur 50% të votave. Në Shqipëri është një figurë si Rama, i cili në 21 vjet karrierë politike, sondazhet edhe më të disfavorshme e japin 48%. Kështu që është një figurë e fortë dhe që zoti Kurti të gërryejë një trashëgimi të tillë politike është shumë e vështirë.