MENU
klinika

Traditë në "diskutim"

Një udhëtim me barinjtë e fundit nomadë të Greqisë

07.03.2021 - 11:38

       Kullotja e bagëtive, e ka shoqëruar njeriun prej mijëra vjetësh. Ka ende prej atyre që e mbajnë gjallë traditën, pavarësisht presionit nga bujqësia dhe turizmi i industrializuar, apo ndryshimet klimatike.

Gjatë 53 viteve, Eleni Tzima dhe bashkëshorti i saj, Nasos Tzimas, i kanë ndërtuar kullotat ndërmjet një distance prej 150 kilometrash, midis kullotave verore dhe të izoluara në male e deri tek ultësira e shtëpisë ku dimërojnë.

Familja Tzimas është pjesë e një tradite mijëvjeçare të lëvizjes sezonale të bagëtisë. Por, kjo traditë po shuhet dhe ata janë disa nga të fundit që e praktikojnë ende.

Gjatë muajve të verës, çifti, të dy rreth të 80-ve, jetojnë në një kasolle të improvizuar, duke përdorur energjinë diellore për radion, celularët dhe ndriçimin. Ata janë ndër barinjtë më të moçëm që marrin pjesë në një udhëtim të përvitshëm, të njohur si “diava”, në Parkun Kombëtar malor Pindus, pranë kufirit greko-shqiptar.

Zonja Tzima, e cila thotë se shëndeti i lig i burrit nënkupton se udhëtimi i vitit 2020, me shumë gjasa ka qenë i fundit, e përshkruan jetesën e tyre si të vështirë, por shpërblyese. “Ne rropatemi çdo ditë, nga mëngjesi e deri sa bie muzgu. Nuk kam bërë kurrë, as edhe një ditë pushim, sepse bagëtia nuk pushon”, thotë ajo. “Unë jam mësuar me klimën e ftohtë malore dhe qetësinë e verës në mal. Nuk e kam zgjedhur këtë jetë, por nëse do të duhet ta bëja, do të ishte pikërisht kështu.”

Një trashëgimi e gjelbër, në zhdukje

Tradita mijëvjeçare e lëvizjes sezonale të bagëtisë praktikohet kryesisht nga grupet autoktone greke, si dhe nga emigrantët nga Shqipëria dhe Rumania. Dikur shumë e përhapur, tradita e humbi popullaritetin në vitet 60-‘70, kur nisi të jetësohet teknologjia e re bujqësore.

Në 2019-ën, UNESCO e quajti këtë traditë, një “trashëgimi kulturore jomateriale”, duke e përshkruar si një nga mënyrat më të qëndrueshme dhe më efikase për bagëtitë. Kullotat e lëvizshme krijojnë kohë për rikuperim dhe nuk krijojnë mbishfrytëzim, ndërsa barinjtë mund të shmangin thatësirat verore, duke u drejtuar në malet ku shkrihet dëbora dhe rritet bari.

Migrimi përgjatë shtigjeve të shkelura mirë, ka formuar gjithashtu peizazhe natyrore, duke krijuar habitate unike në hapësirë të hapur, si mjedis për disa lloje bimësh e kafshësh, si dhe shtigje për kafshët e egra. Disa studime tregojnë gjithashtu, se bagëtitë nomade mund të ndihmojë në parandalimin e zjarreve në pyje.

Thomas Ziagkas i lyen delet me baltë të kuqe, në mënyrë që të mos përzihen me kopetë e tjera. Në ditët e sotme, ai rrallë takon barinj të tjerë nëpër shtigje. Megjithatë, 72-vjeçari vazhdon traditën familjare, sepse dëshiron të tregojë se delet e tij kanë lëvizur – ndryshe nga kopetë e palëvizshme që kullosin në fusha.

“Ndihem krenar që tufa ime zbriti nga malet, deri këtu poshtë“, tha ai. “Kjo u duhet treguar të tjerëve“.

Bagëti të mirushqyera – prodhime cilësore

Në fillim të tetorit, vëllezërit Nikos dhe Giannis Saitis, ulen rreth një zjarri bubulak, pas një dite rraskapitëse me bagëti në mal. Ata thonë, se udhëtimi nëpër kullota është i favorshëm për kafshët.

“Malet i bëjnë të forta dhe të shëndetshme edhe kafshët, edhe mua” – thotë Nikos Saitis. “Nëse i sjellim me kamionë, bagëtitë do të kalonin traumë, për shkak të ndryshimit të habitatit dhe lartësisë”.

Çdo vit, dy vëllezërit mezi presin nisjen e udhëtimit, që shenjon nisjen e dimrit dhe punën e vështirë që përmbyllet me prodhimin e qumështit.

Barinjtë këtej pari e përdorin qumështin, kryesisht, për prodhimin e djathit. Është e vështirë për të transportuar çdo ditë qumësht të freskët në vendndodhje të ndryshme, veçanërisht lart në malësi. Ndonjëherë, ata ia shesin djathin banorëve vendas ose tregtarëve që vijnë t’i takojnë këtu.

Ushqimi me bar u jep atyre produkte të një cilësie të lartë, siç është djathi, qumështi dhe kosi cilësor, prodhime që s’mund të konkurrohen nga asnjë produkt tjetër, – thotë Nikos Saitis. Gjithsesi, barinjtë janë të detyruar t’i shesin me çmime të ulëta, që nuk e justifikojnë cilësinë e lartë dhe punën e palodhur./DW