MENU
klinika

Lekë Tasi

Pak Ekspozitë Online

26.03.2021 - 17:56

        Lekë Tasi u lind më 1929. Studioi violonçel nën drejtimin e pedagogut Walter Caletti, në vitet 1939 – 1943, më pas me Ymer Skënderin, në Liceun Artistik në vitet 1949-1952. Punoi çelist i parë në Orkestrën e Radios dhe të Teatrit të Operës ku u pushua për motive politike në vitin 1967. I ati Koço Tasi, avokat me profesion, i njohur në vitet ’20, kishte qenë Anëtar i Parlamentit të Parë Shqiptar pas Kongresit të Lushnjës.

Pas Revolucionit të qershorit, emigroi për 17 vjet në Greqi. Xhaxhai Akile Tasi, me karrierë të ngjeshur politike në kohën e luftës. Vdiq në burgjet e diktaturës. Leka u pushua nga puna dhe u dërgua me punë të detyruar, pak më vonë u internua familjarisht në Grabjan të Lushnjës, 1975-1990.

Jetën e kësaj periudhe e ka rrëfyer në librin autobiografik “Grabjani rrëzë kodrave”, Tiranë, 2009.

Aktiviteti i tij kryesor është piktura. Megjithëse autodidakt, ka punuar seriozisht qysh herët duke kopjuar sipas natyrës dhe duke mësuar nga mjeshtrit e mëdhenj. Me kthimin pas internimit, në Tiranë më 1990, ai rifillon të pikturojë dhe ka ekspozuar në vitet 1992, 2003, 2007, në Galerinë Kombëtare të Arteve; një ekspozitë personale në Pejë, “Galeria Exit”, 2005, si dhe disa ekspozita kolektive në Tiranë dhe Durrës.


Lekë Tasi i përket piktorëve bashkohës modernë shqiptarë, të pasviteve ‘90 në Shqipëri. Megjithëse, siç e theksum më lart e nisi jetën si muzikant (violinçelist), kishte pasion pikturën, duke realizuar kryesisht peizazhe (vizatime dhe akuarele). Pas viteve 1990, Tasi iu kushtua plotësisht pikturës dhe realizoi kompozime të ndryshme, me temë nga qyteti dhe jeta urbane e Tiranës, ku ndjehet fuqishëm një sens ironie dhe sarkazme.

Punimet e tij të para ishin realiste, por pas viteve ’70 të shekullit XX, ai ndikohet nga ekspresionizmi dhe nga mjeshtrit botërorë modernë dhe postmodernë.

Në punimet e pas viteve ’90 artisti Tasi, preferoi kompozime shumëfigurëshe, që paraqiten gjithmonë në lëvizje dhe brenda tyre ndjehen dhe lementë të dadaizmit. Në punimet e tij, ndihet prirja për t’i vizatuar figurat, të cilat përshkohen nga transparenca koloristike edhe pse të realizuara me ngjyra vaji, sipas imagjinatës së tij.

Biografia

Lekë Tasi lindi më 15 Prill 1929 në Athinë (Greqi), por origjina e familjes Tasi është nga Përmeti.
1941 – 1945 Kryeu Gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë dhe merr mësime në pikturë dhe vizatim nga Nexhmedin Zajmi dhe Abdurrahim Buza.
1943-1945 Merr mësime në violinçel
1946-1951 Kryeu Liceun Artistik “Jordan Misja” për violinçel
1946-1950 Punoi në orkestrën e Radio -Tiranës
1951-1953 Kryeu shërbimin ushtarak
1954-1957 Punoi në orkestrën e filarmonisë së shtetit
1957-1967 Punoi në Teatrin e Operas, Tiranë