Një javë pas nisjes së procesit të imunizimit të mësuesve, vaksinimi është shtrirë te pedagogët.
Nuk ishin profesorët e Universitetit të Tiranës, por ata të “Ismail Qemalit” në Vlorë dhe “Aleksandër Xhuvanit” në Elbasan që morën dozën e parë të vaksinës. Ndryshe nga mësuesit, pa kurrfarë hezitimi.
Janë 340 persona që janë parashikuar për t’u vaksinuar në dy ditë vetëm në qytetin bregdetar.
“Është fat për ne që na erdhi radha kaq shpejt, duke ditur mungesat që ka për të gjitha llojet e vaksinave. I besoj shkencës. Besoj që është marrë vendimi i duhur. Aq më tepër që nuk e kam kaluar Covidin dhe jam në kontakt me kolegë e studentë dhe kjo është gjëja më e mirë që mund të bëj”, shprehet një pedagoge, ndërsa një kolege e saj shprehet e sigurt për “AstraZeneca”-n apo çfarëdo vaksine tjetër sa kohë është miratuar nga autoritetet shëndetësore.
Në harkun kohor të një jave, në qytetin bregdetar mësohet të kenë marrë dozën e parë rreth 500 mësues, shifër e ulët kjo në raport me totalin, që ka ardhur pas stepjes për t’u vaksinuar nga ana e mësuesve. Me shuarjen e zërave që e lidhin “AstraZeneca”-n me mpiksjen e gjakut, e hëna, ka sjellë më tepër besim dhe dëshirë për t’u vaksinuar në vazhdim, jo vetëm në Vlorë dhe Elbasan, por edhe në qytete të tjera. Proces ky që po kryhet në kombinim me bluzat e bardha dhe të moshuarit mbi 80-vjeçarë. Kryeepidemiologu në Vlorë, Agron Bashllari, konfirmon mbarëvajtjen e procesit për pedagogët dhe bluzat e bardha që po marrin dozën e dytë të vaksinës, si dhe moshat mbi 80 vjeç.
“Nuk kemi më hezitues. Thjesht kemi persona që kanë një situatë shëndetësore të momentit dhe do të vaksinohen në një moment të dytë. Janë përllogaritur rreth 1500 arsimtarë për t’u vaksinuar, por një pjesë që e kanë kaluar Covid-in mund të spostohen për më vonë”.
Procesi i vaksinimit për mësues e pedagogë nisi me skepticizëm pas raportimeve sporadike për mpiksje gjaku, çka bëri që shumë shtete në botë ta pezullonin për gati një javë. Por kjo veçse turbulloi ujërat në Shqipëri, duke u përballur me hezitime në radhët e mësuesve, pasi qeveria, me të marrë dozat përmes COVAX, nisi aplikimin e tyre të nesërmen te kategoria e planifikuar. Vetëm dje janë kryer 1714 vaksinime në të gjithë vendin, përfshi dhe arsimtarët, ndërsa që nga 11 janari Shqipëria ka kryer 48 mijë e 229 të tilla për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit.