MENU
klinika

"Synojmë 7 mandate në qarkun e Korçës"

Peleshi prezanton Xhaçkën si kandidate për deputete në Kolonjë

14.03.2021 - 14:08

Partia Socialiste synon të marrë një rezultat surprizues në qarkun e Korçës në zgjedhjet e 25 prillit me 7 mandate të fituara.

Ky është objektivi i shpallur nga drejtuesi politik i qarkut, njëherësh Ministër i Mbrojtjes Niko Peleshi, gjatë takimit prezantues të kandidates Olta Xhaçka në bashkinë e Kolonjës. Duke vlerësuar përvojën politike, por edhe cilësitë e kandidates që është renditur e pesta në listën e kandidatëve, Ministres për Europën e Punët e Jashtme,  Peleshi tha se “është një vlerësim që Partia Socialiste dhe kryetari i saj, Edi Rama i bën qarkut të Korçës e për më tepër Kolonjës”.

“Lista e këtij viti ka prurje të reja që personifikojnë filozofinë e hapjes që na ka shoqëruar në të gjitha këto vite të demokracisë, me emra jo të njohur për të gjithë Shqipërinë, por në lokalitete ku jetojnë e punojnë. Duam të japim mesazhin e mikpritjes për të gjitha kontributet e listave tona. Nuk i fillojmë listat këtë herë me emra të njohur, sepse nuk duhet të tregojmë se kemi një tavan ku në rast se do të rritesh përplasesh. Jo ne nuk e kemi këtë. E kemi rrugën e hapur për të gjithë ata që punojnë me ndershmëri, arrijnë sukses në fushën e tyre dhe më pas i ftojmë të bëjnë karrierë në Partinë Socialiste, në Parlament apo në të gjitha hapësirat që kemi. Ndaj edhe Olta dhe unë jemi respektivisht në vendin e pestë dhe të gjashtë të listës që është objektivi minimal bazik aq sa kemi sot. Ne synojmë drejt mandatit të shtatë. Unë çdo ditë e më shumë bëhem optimist që nuk është edhe aq maksimalist si objektiv, sepse kudo që shkojmë kemi një atmosferë shumë pozitive për ne”, u shpreh ministri Peleshi, gjatë takimit me strukturat në Kolonjë.

Nga ana e saj, ministrja Olta Xhaçka, duke vlerësuar prezantimin e drejtuesit politik të qarkut, por edhe mikpritjen në zonën ku ajo rikthehet për të kandiduar deklaroi  “Ndihem vërtetë e përulur përballë fjalëve të mira që tha Niko, por edhe përballë jush për mikpritjen për të bërë të pamundurën, si tani në fushatë, por edhe pas fitores, e cila do të kalojë pritshmëritë”

Kryetari i bashkisë së Kolonjës Erjon Isai tha se është krenari që tashmë në botë Shqipëria do të prezantohet me Ministren e jashtme, por edhe me deputeten e Kolonjës.

Drejtuesi politik i qarkut Niko Peleshi garantoi se investimet e nisura nga qeveria në këtë zonë siç është edhe loti i dytë i rrugës Korçë-Ersekë do të vijojë, duke përgjysmuar kohën për ta lidhur këtë zonë me jugun e vendit. Kryetari i bashkisë së Kolonjës vuri në dukje faktin që kjo bashki është e para që në fund të vitit 2021 do të ketë në 100 përqind të territorit të saj 24 orë ujë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN