MENU
klinika

Nga Skënder Minxhozi

Pse Lulzim Bashës i rri ngushtë kostumi (dhe hallet) e Metës dhe Berishës?!

14.03.2021 - 15:27

Lulzim Basha premtoi të dielën, me njërën dorë në ballakume e tjetrën të zbukuruar me verore, se Edi Ramës do t’i rezervohet kudo e njëjta pritje si në Elbasan, ku militantë të organizuar të opozitës u përpoqën të ndalojnë kryeministrin në vizitën e tij në qytet. “Kudo që të shkosh Edi Rama, do të marrësh të njëjtën përgjigje”, deklaroi Basha pas incidenteve mes palëve, ku pati disa të shoqëruar nga policia.

Më siguri që në një cep të selisë së PD, aty ku këshilltarët hebrenj të Bashës kanë planifikuar këto javë me kujdes edhe omletën “pa mendje” të Lulit para celularit të bashkëshortes, edhe takimet e paqta me gra e burra, biznese e kalamaj lagjeje, tani, pas ngjarjes së Elbasanit, janë duke kruar kokën në mëdyshje. Sepse gjithçka ndodhi në qytetin e ballakumeve në ditën ndoshta më paqësore të vitit për shqiptarët, përbën një kthim prapa plot të panjohura, për strategjinë elektorale të opozitës. Të paktën pjesës më të madhe të saj, Partinë Demokratike, e cila po i përzien rrezikshëm lëvizjet e saj, me ato të një partie gjithnjë e më radikale dhe pa peshë si LSI.
Këshilltarët me pagesë të Bashës nuk mund të mos jenë njohur me të shkuarën politike të Shqipërisë, tetë vitet e fundit të saj, kur ai eksperimentoi pa sukses që të shkelë në hapat e paraardhësit të tij Sali Berisha. Në fillim Çadra e më pas protestat e dorëzimit të mandateve, dy vite kohë e harxhuar, gjatë të cilave kryetari i ri i PD u përkund në dilemën e kopjimit fjalë për fjalë të testamentit politik të Berishës.

Sot, kur Basha ka humbur dhe rihumbur në tetë vjet, është provuar katërcipërisht se kjo strategji ka qenë e dështuar për të dhe partinë e tij. Prandaj dhe skena e fushatës së Lulzim Bashës u spostua qëllimshëm, nga podiumi i lu ftës para Kryeministrisë, tek piastrat e gatimit të omletave, në guzhinën e shtëpisë. Në këto javë të para të fushatës kemi parë një kryetar të PD që i ka rezistuar më stoicizëm tundimit për të “prishur gojën”, për t’u dukur si i fortë. Heshti më 21 janar, nuk i përgjigjet asnjë akuze për vilat, ka shetitur në paqe qytete e fshatra, ka takuar mijëra njerëz, ka hedhur në eter kilometra me premtime. Gjithçka sipas një regjie që i ka këshilluar me dorë të hekurt rolin e djalit të mirë, e jo atë të sherrxhiut të lagjes. Gjithçka dukej e fokusuar tek mesazhi i normalitetit, i rotacionit si festë, e jo si revolucion i dhunshëm, derisa Lulit i shpëtoi ajo që këtej e tutje mund të quhet me të drejtë si “deklarata e ballakumes”: “Kudo që të shkosh Edi Rama, do të marrësh të njëjtën përgjigje”!

Kur lexon frazën e tij të mësipërme është jashtë mase e vështirë të mos e vendosësh këtë hap, në kontekstin e asaj që ndodhi një ditë më parë në Tiranë, kur Ilir Meta habiti të madh e të vogël, me rrahjen publike me policët e dezhurnit tek selia e FRD. Por a i duhet Lulzim Bashës të ngatërrojë fatin e tij politik, fushatën e tij elektorale, me atë të Metës dhe Berishës? A i duhet, pas vitesh rrëzimi në strategjinë e forcës me Ramën, që të rikthehet edhe një herë në lëvizjet e vjetra që e lanë në opozitë pa lavdi? E më në fund fare, e më kryesorja, a nuk e kupton Lulzim Basha se duke e viktimizuar Edi Ramën, e nxjerr atë rregullisht më të fortë? Siç e nxorri më të fortë sjellja këcë nuese e Ilir Metës, pa asnjë kuptim dhe pa asnjë domethënie për një kryetar shteti, në krah të Sali Shehut?

Kostumi i Berishës dhe Metës i rri ngushtë Lulit, e këtu s’ka asgjë për t’u habitur. Çdo zog duhet të këndojë me zërin e vet. Po kopjoi, del një zë i zvargur dhe i shëmtuar sa më s’ka. Luli ja ka parë sherrin kësaj sjelljeje. Fakti që ai sot tundohet sërish nga kalimi tek gjuha e forcës dhe kërcënimit, tregon jo vetëm dobësi, por edhe dëshmon edhe një herë më tepër që ai s’e ka veten në dorë. Secila nga partitë e mëdha mund t’ja prishë fushatën lidershipit kundërshtar. Siç e pamë në Elbasan, apo edhe një ditë më parë tek shkolla “4 dëshmorët” në Tiranë, duhen vetëm pak militantë që të arrihet qëllimi.

Çeshtja është sa punë bën kjo strategji në një garë zgjedhore ku në mes ndodhet një popull i tejlodhur nga sherret e krizat e dhu nshme, të cilat janë shkaktuar të gjitha nga politikanë zullumqarë, të cilët hallin e tyre duan ta eksportojnë nga shtëpitë e zyrat ku jetojnë e punojnë, tek jetët private të miliona njerëzve që pësojnë dhunë e presion psikologjik sa herë hapin televizorin. Një Lulzim Bashë të dhunshëm e kemi parë shumë herë këto tetë vjet. Ka qenë rregullisht një Lulzim Bashë humbës.

Nëse ka vendosur t’ja dorëzojë pushtetin Ramës që në ditën e ballakumeve, është çeshtje e tij personale. Por elbasanllinjtë s’i kishin asnjë borxh që të shihnin sesi dita e tyre më e shënuar shndërrohej në katrahurë partish, për shkak se një kryetar partie nuk di t’i thotë “ndal” shefave të vjetër në Tiranë që i tërheqin fijet pas perdeve.