Shqipëria e rifillon me entuziazëm, modeli që i pëlqen është gjithnjë Italia. Ky është titulli i “Gazzetta dello Sport” për intervistën e Edy Rejas, i cili flet për tri ndeshjet e radhës të Kombëtares shqiptare.
Sipas teknikut italian, fitorja e grupit përkatës në Ligën e Kombeve dhe një ngjitja një ligë më lart, ka krijuar entuziazëm te Shqipëria, teksa ka më shumë besim se mund të përballet denjësisht edhe me ekipe më të forta.
Janë 10 lojtarë të grumbulluar në Kombëtaren shqiptare që luajnë në Serie A dhe B, por Reja përmend një fakt tjetër: Plot 11.500 futbollistë të të gjitha niveleve janë me origjinë nga Shqipëria, që në të ardhmen mund të luajnë për ngjyrat kuqezi.
Për momentin ai veçon Hysajn, që së fundmi ka bërë ndeshje të mrekullueshme, Gjimshitin e vlerëson si një xhevahir në kombëtaren kuqezi, ndërsa Kumbulla po rritet dita-ditës. Trajneri i Kombëtares nuk fshihet teksa tregon modulin e lojës së ekipit që drejton.
Sipas tij, 3-5-2 praktikohet më shpesh, por në momente të veçanta kuqezinjtë kanë luajtur edhe me 4-3-3 ose 3-4-3. Grupi eliminator për Botërorin është i fortë, me Anglinë dhe Poloninë favorite për dy vendet e para. Edhe Reja e pranon këtë, por në sport asnjëherë nuk duhet ta fillosh që je i mundur.
Nganjëherë edhe të fortët thyhen. Shqipëria do ta nisë me një të dobët në transfertë, më 25 mars ndaj Andorrës, ndërsa më 28 mars pret Anglinë e fortë në “Air Albania” dhe mbyll fushatën e marsit më 31 mars në San Marino. Edy Reja kërkon 7 pikë në këto tri ndeshje.