MENU
klinika

Udhëtimet brenda bllokut europian këtë verë

REL: Gjithçka që duhet të dini mbi pasaportat e vaksinimit të BE!

03.03.2021 - 09:33

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ka thënë këtë javë se Komisioni Evropian do të prezantojë një propozim, më vonë gjatë muajit mars, për të krijuar një pasaportë digjitale të vaksinimit, me qëllim të lehtësimit të udhëtimit brenda bllokut evropian.

Këtu gjeni disa nga pyetjet dhe përgjigjet lidhur me këtë çështje.

Për çka do të krijohet pasaporta e vaksinimit?
Në thelb pasaporta synon të garantojë një udhëtim të sigurt dhe të lirë brenda Bashkimit Evropian, qofshin ato udhëtime biznesore apo për turizëm. Kjo nismë është duke u shtyrë përpara nga vendet jugore, me qëllim të ruajtjes së sezonës së turizmit dhe rimëkëmbjes së ekonomive.

Si zakonisht, gjërat komplikohen në një strukturë hibride, si ajo e Bashkimit Evropian. Për çështjet shëndetësore vendos secili shtet veç e veç, mirëpo Brukseli aktualisht organizon blerjet e përbashkëta të vaksinave, dhe është i angazhuar për të mbikëqyrur lëvizjen e lirë brenda bllokut.

Prandaj Komisioni Evropian do të bëjë një prezantim ligjor më 17 mars për të ashtuquajturën “pasaportë të gjelbër digjitale”, pak para mbajtjes së samitit të krerëve dhe guvernatorëve të BE-së një javë më vonë.

Ky nxitim vjen pas raportimeve se Greqia dhe Qiproja mund të ecin më përpara se kolegët e tyre brenda BE-së, sidomos pas arritjes së marrëveshjes bilaterale për udhëtim me Izraelin.

Një çarje më e madhe është gjëja e fundit që i duhet Brukselit tani, teksa shqetësime të ngjashme ka edhe për mundësinë e krijimit të një sistemi të tillë nga një shtet i tretë apo edhe më keq – nga ndonjë gjigant tekonologjik sikurse Google apo Facebook!

Çfarë përmbajtje do të ketë pasaporta?
Shumë gjëra nuk dihen ende, pasi ka shumë punë përpara.

Mirëpo presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ka theksuar disa gjëra që do të përmbajë “pasaporta e gjelbër digjitale”.

Natyrisht ajo do të ketë dëshmi se një person është vaksinuar, por për të shmangur diskriminimin, në pasaportë do të mund të ketë edhe informacion shtesë sikurse rezultatet e testit të fundit për koronavirus apo dëshmi për imunitet.

Përmes këtyre të dhënave synohet t’iu mbushet mendja vendeve anëtare që kanë qenë skeptike për këtë ide sikurse Belgjika, Franca apo Gjermania.

Këto vende besojnë se certifikatat e tilla do t’iu japin individëve të vaksinuar më shumë të drejta, në krahasim me ata që nuk kanë marrë vaksinën.

Por si do të funksionojë procesi në realitet?
Të 27 vendet e Bashkimit Evropian do të duhet të pajtohen në Këshill për njohje të përbashkët të pasaportës, ndonëse secili vend ka të drejtë të vendosë rregulla shtesë për hyrje të qytetarëve.

Megjithatë rezultati i pëlqyeshëm do të arrihej me një certifikatë, që njihet nga të gjithë, dhe e cila do të mund të bartet në telefon apo në letër, dhe mundësisht me një kod të veçantë.

Certifikata mund të jetë e ngjashme me një biletë treni, e cila mund të skanohet, dhe ka informacione të nevojshme, siç është kërkuar nga vendet e BE-së, përfshirë emrin dhe datën e lindjes, informacionet e vaksinimit, siç është data kur është marrë vaksina, llojin e vaksinës dhe vendin ku është marrë ajo.

Në krye të testit do të mund të shtohen edhe informacionet si rezultati negativ i testit apo dëshmia për imunitet.

Kur mund të realizohet një gjë e tillë?
Von der Leyen beson pasaporta mund të funksionalizohet brenda tre muajve – pak para stinës së verës.

Mirëpo kjo arritje kërkon marrëveshje të shpejtë, si për çështjet politike, ashtu edhe për standardet teknike.

Një sistem duhet të krijohet nga 27 kombe të ndryshme për një version të përshtatshëm evropian. Në atë proces përfshihen ministra të ndryshëm të shteteve të BE-së, sikurse të shëndetësisë, drejtësisë, dhe departamenteve digjitale, nëse ka të tillë.

Çka komplikon më shumë situatën janë veprimet ndryshe të shteteve.

Deri më tani, Komisioni Evropian është i vetëdijshëm se 13 shtete anëtare lëshojnë certifikata për COVID-19, sëmundjen që shkakton koronavirusi, derisa gjashtë të tjera janë duke planifikuar të bëjnë një gjë të tillë.

Disa do të lëshojnë vetëm pasaporta digjitale, derisa të tjerat preferojnë ato në letër.

Procesi veçse është lara-lara.

Cilat janë çështjet e pazgjidhura?
Ka shumë. Çështja e diskriminimit kundër atyre që nuk munden apo nuk duan të vaksinohen, nuk do të shuhet aq lehtë. Ritmi i ngadalshëm i vaksinimit në BE nënkupton se gati 32 milionë doza të vaksinës janë dhënë në gjitha vendet e bllokut evropian deri më tani, që i bie 6.4 për qind e popullsisë është vaksinuar.

BE-ja ende shpreson të sigurojë 300 milionë doza në çerekun e dytë të vitit 2021, duke i mundësuar Brukselit që të përmbushë qëllimin e vaksinimit të më shumë se 70 për qind të popullatës së rritur deri në verë.

Mirëpo me gjithë pengesat e dala deri më tani, kjo gjë mund të mbetet vetëm si dëshirë – siç është edhe ideja e certifikatës për vaksinë.

Ka edhe gjëra tjera për t’i menduar në këtë mes. A është kjo gjë e përkohshme apo do të jetë pjesë e kontrolleve kufitare në vendeve brenda BE-së, ndonëse kontrolle të tilla më parë nuk kanë ekzistuar?

Çfarë do të bëhet me qytetarët e BE-së, që janë vaksinuar me vaksina ruse apo ato kineze, vaksina që nuk njihen nga Agjencia Evropiane e Ilaçeve?

Hungaria, Sllovakia dhe vende tjera, që mund t’i përdorin këto vaksina, do të insistojnë që ato të njihen po ashtu, ndonëse në certifikata do të mund të përfshihet edhe testi negativ për koronavirus.

Mundësia e njëjtë do të mund t’iu ofrohet edhe fëmijëve, të cilët deri më tani janë jashtë programeve kombëtare të vaksinimit.

Dhe krejt në fund, çfarë do të thotë kjo për njerëzit e vendeve të treta që duan të udhëtojnë në BE?
Ky propozim shqetëson fillimisht 27 vendet e BE-së. Mirëpo ideja është që kjo certifikatë të mund të përdoret edhe jashtë bllokut evropian, duke u koordinuar me Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Kjo gjë tingëllon mirë në teori, mirëpo vendet jashtë BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe vendet fqinje në lindje të BE-së, do të mund ta shikojnë gjithë këtë situatë me nervozizëm./REL

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Do të hapte dyert e mbyllura të...

CNN: Çfarë kuptimi ka pasaporta e vaksinimit?

Ekspertët nuk rekomandojnë ‘pasaportat e imunitetit’

OBSH shikon ‘çertifikatat e vaksinimit’ të mundshme për udhëtime