MENU
klinika

Shpallet kompania fituese

Rreth 104 mln euro për ndërtimin e aeroportit të ri të Vlorës

05.03.2021 - 12:39

Ministria e Infrastruktrës dhe Energjisë ka shpallur kompaninë fituese e cila do të ndërtojë aeroportin e ri ndërkombëtar të Vlorës.

Lajmin e dha sot ministrja Belinda Balluku e cila tha se vlera e investimit e ofruar nga kompania fituese është 103 milionë e 966 mijë e 30 euro.

“Konsorcimi i dytë, ai fitues, i regjistruar në Zvicer. Eksperienca e konsorciumit është e madhe mbi 6 aeroporte të ndërtuara e operuara nëpër botë dhe fuqia financiare e treguar në përputhje të plotë me kërkesat teknike financiare e legjislative që ka pasur ky konkurs.

Do nisim menjëherë nga e hëna negociimin për të arritur në firmosjen e kontratës“, tha ministrja.

Duke i paraprirë dhe komenteve që mund të bëhen për këtë konsorcium fitues, Balluku tha se dokumentet janë analizuar gjatë dhe theksoi se puna për aeroportin e ri të Vlorës nuk do ndalet në mes.

“Kemi marrë një kohë të gjatë për të analizuar dokumentacionet, për të qenë të qetë e për ti dhënë Vlorës një investitor të vërtetë, jo një që do vinte e do mundohej e do e shiste atë koncesion, që fituesi të ketë kapacitet financiar për të ndërtuar një nga aeroportet më të rëndësishëm në vend”, tha ministrja.

Sipas saj, fusha e aviacionit është një ndër më të goditura nga pandemia e koronavirusit dhe se pikërisht asaj do i duhen vite për t’u rimëkëmbur.

“Ne ia dolëm në një kohë kur aviacioni është një nga fushat më të ndikuara negativisht nga pandemia e jo vetëm për momentin por si të gjitha treguesit e institucioneve ndërkombëtare thonë, edhe kur kjo betejë me pandeminë të fitohet aviacionit do i duhet nga 3-5 vjet për t’u rimëkëmbur.

Shpresojmë që gjatë kësaj kohe të rimëkëmbjes të kemi mundësi të ndërtojmë aeroportet që kemi premtuar në territorin e Shqipërisë e sot njëri prej tyre do jetësohet duke nisur fazën e negocimit”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Aeroporti Vlorës, aksi Thumanë-Rrogozhinë...

Balluku tregon projeket madhore të qeverisë