Nisja e procesit të vaksinimit në kulmin e debateve mbi pasiguritë për “AstraZeneca”-n i ka ndarë mësuesit në pro dhe kundër saj.
Të bombarduar me lajme me efektet negative në disa njerëz në Europë, një numër i konsiderueshëm e kanë refuzuar thirrjen e drejtorive. Ndërsa të tjerë i janë bashkuar pa hezitim.
Në Gjirokastër rezulton që 83% e mësuesve janë paraqitur për të marrë dozën e parë. Nga 360 mësues, 250 prej tyre janë vaksinuar dje, sipas të dhënave nga njësia e kujdesit shëndetësor të këtij qyteti. Në mesin e refuzuesve ka pasur jo vetëm mosbesues ndaj vaksinës, por edhe arsye shëndetësore, apo mospërmbushje e periudhës 2-mujore të kalimit të Covid.
Në Elbasan ky raport është 50 me 50. Nga 1200 mësues, vetëm 611 janë përgjigjur me “Po”. Raport i ngjashëm paraqitet edhe në Berat, aty ku nisi procesi vetëm dje, me vaksinimin e mësuesve të gjashtë shkollave. Kruja paraqitet më skeptike.
Nga rreth 850 mësues, deri në orët e fundit të vaksinimit janë raportuar një numër shumë i ulët. Vaksinimi nisi dje edhe në Shkodër, e cila nuk ka ende një raport të mësuesve që pranojnë vaksinën, pasi janë më shumë se 1300 arsimtarë të njoftuar për të marrë dozën e parë. Por drejtoresha e kësaj zyre arsimore, Bledjana Nika, shprehet e sigurt për një gjë: nuk do të ketë penalitete për ata mësuesit refuzues.
“Mësuesit janë kategori e personave që janë shumë të mirinformuar, kemi qëndruar në kontakt me të gjithë pjesën, sepse është një proces shumë i rëndësishëm. Vënia në dispozicion e vaksinës s’ka pse të ketë hezitime. Nuk ka pse të ketë penalizime, nuk është e arsyeshme. Dikush mund të ketë dhe probleme shëndetësore, një pjesë e mësuesve edhe e kanë kaluar”. Nga e shtuna deri më sot janë injektuar qindramijëra doza të “AstraZeneca”-s për mësuesit dhe procesi është shtrirë dhe po vazhdon thuajse në çdo rreth të vendit në mjediset e shkollave.