MENU
klinika

Flet historiani

Sandgruber: Pas histerisë së Hitlerit… origjina!

02.03.2021 - 17:17

       Autoritar, merrej shumë me politikë, e mendonte veten më të zgjuar se të tjerët dhe me një ndikim të madh tek i biri. Këto janë përfundimet që ka nxjerrë një historian gjerman, për atin e Hitlerit, pasi ka lexuar disa prej letrave të papublikuara të tij.

Roman Sandgruber, profesor “emeritus” në Universitetin e Linzit, Austri, ka lexuar 31 letra nga korrespondenca që Alois Hitler mbante me një person, i cili i kishte shitur një fermë, në vitin 1895, kur Adolfi ishte rreth 6 vjeç.

Sandgruber argumenton se, pavarësisht se Alois konsiderohet si një fshatar i thjeshtë, që rriste bletë dhe rrinte në tavernë, në fakt ishte një personazh shumë më i ndërlikuar dhe i mbrapshtë, i cili e konsideronte veten si më të mençur se të tjerët.

Sandgruber thotë se, përmes letrave ka zbuluar se Alois rriste bletë sepse kështu mund të bëhej fermer “xhentëllmen”, ndërsa në tavernë rrinte pasi aty diskutohej politika. Ai ishte autoritar në familje dhe kundërshtonte pushtetin e kishës, sidomos në politikë.

Shumë nga këto karakteristika u trashëguan te djali i tij i dytë, Adolfi, i cili – edhe pse sillej si adoleshent rebel – u ndikua shumë nga i ati, – thotë Sandgruber. Kërkimet e tij, historiani i ka përmbledhur në një libër të quajtur “Babai i Hitlerit: Si u bë i biri diktator?”.

Alois lindi në Strones, Austri, vitin 1837. Në atë kohë mbante mbiemrin Schicklgruber, si djali jashtë martese i një gruaje fshatare të quajtur Maria Schicklgruber. Kur ishte 9 vjeç, e ëma vdiq dhe ai u rrit nga vëllai i njerkut të tij, Johann Hiedler, ky fermer.

Pas një përvoje të shkurtër si këpucar, Alois u rekrurua në ushtri si oficer në doganë, ku punoi për 40 vjet, duke u bërë edhe inspektor. Ai u martua tri herë. Fillimisht në vitin 1873, me Anna Glasl-Hörer, e bija e një kolegu, që ishte 14 vite më e re.

Pasi u ndanë, ai u martua me Franziska Matzelsberger, 24 vite më e re, martesë nga e cila erdhi në jetë vëllai i madh të Adolfit, Alois Jr.

Franziska vdiq për shkak të kancerit në mushkri. Më pas, ai u martua me 24-vjeçaren Klara Polzl, që ishte edhe nëna e Hitlerit dhe punonte prej 8 vitesh në shtëpinë e tij, si shërbyese.

Sandgruber pretendon se përmbajtja e këtyre letrave e ka bërë të rivlerësojë edhe figurën e Klarës, e cila, deri tani shihej si një shtëpiake e nënshkruar. Në një prej letrave, Alois Hitler thotë se Klara kishte “egon dhe botëkuptimin e duhur, për të mbajtur ekonominë e shtëpisë”.

Familja Hitler lëvizi shumë, duke e ndryshuar shtëpinë 18 herë, për 18 vitet e para të jetë së Adolfit. Sandgruber thotë se, në dy nga këto shtëpi, në Urfahr, pranë qytetit austriak Linz, Hitleri u njoh për herë të parë me antisemitizmin, pasi familja e tij i mori me qira këto banesa nga “hebrenjtë më të pasur në qytet”.

Në një intervistë për “Der Spiegel”, ai thotë: “Ai ishte një baba tmerrësisht autoritar dhe gjithashtu e rrihte të birin. Kjo ishte një gjë e zakonshme, për kohën, por ka shumë gjasa që Alois Hitler, ta shkelte masën”.

Ndëshkimet kundrejt Adolfit, duket se u shtuan kur djali i madh i familjes u largua dhe më vonë, u arrestua sepse ishte hajdut. Në letrat e babait të Hitlerit, historiani Sandgruber dallon një shkrim dore thuajse identik, një shenjë që Adolf e kopjonte të atin në gjithçka. I vetmi rast, kur ai u rebelua kundër të atit, ishte kur refuzoi të bëhej nëpunës civil, por i tha se do të bëhej artist, – thotë Sandgruber.

Pas katër dekadash si doganier, Alois doli në pension dhe jetoi në Hafeld, Austri, ku, duke përdorur paratë e bashkëshortes Klara, bleu një fermë prej 8 hektarësh nga një ndërtues rrugësh të quajtur Josef Radlegger, me të cilin ruajti korrespondencë.

Megjithatë, disa vite më vonë, Alois u detyrua ta shiste pronën, pasi iu refuzua një hua nga banka. Një pasardhëse e Josef Radlegger-it, gjeti letrat që stërgjyshi i saj kishte këmbyer me Alois Hitler dhe ia dorëzoi historianit, i cili, i studioi për pesë vjet, para se të botonte librin.

“Këto zbulime, na japin një këndvështrim krejt tjetër të fëmijërisë së Adolf Hitlerit dhe të të atit”, – tha Sandgruber.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit