MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

Shakaxhinjtë e Tiranës, që fusin në sherr djemtë e lagjes…

20.03.2021 - 12:35

        Dy incidentet e ndodhura së fundmi në Elbasan, tregojnë qartë se, shakaxhinjtë politikë të Tiranës, kanë filluar t’u bien trumbetave të luftës së ardhshme…

Po pse kanë zgjedhur Elbasanin, si test? Ka lidhje të drejpërdrejtë me sondazhet, apo palët, që i dinë mirë bastionet e tyre, pas një përvoje tridhjetëvjeçare betejash e rrëmujash politike, e dinë mirë ku mund të përcaktohet fati i zgjedhjeve të ardhshme?

Vetë, nuk i besoj shumë sondazheve sesa thënies lapidare të Andreotit, se, më tepër se studimit të dhjetëra dosjeve të mbushura në tavolinë, i pëlqente të shihte ndonjë gjest gjysmë të pavëmendshëm të bashkëbiseduesve që diskutonin për këto dosje…

Sondazhet, qoftë ato që, në sytë e publikut duken se anojnë majtas, qoftë ato që anojnë djathtas bashkohen në një pikë. Socialistët do të jenë forcë e parë dhe çështja themelore, mbetet nëse do ta arrijnë kuotën e mjaftueshme, për të bërë të vetëm, qeverinë.

Referuar historisë tridhjetëvjeçare politike, dihet qartë një gjë. Aksi i veriut, nga Tirana në Tropojë, jep epërsi të demokratëve. Aksi Tiranë-Jug, u jep socialistëve. Beteja kryesore ku palët do të kërkojnë kompensim për humbjet në akset Veri-Jug, do të zhvillohet në Tiranë-Durrës-Elbasan-Korçë.

Nga të katër këto qytete, Elbasani është pika qendrore dhe pastaj, Durrësi. Pavarësisht sondazheve, unë besoj që në Tiranë, ku kryebashkiaku i tanishëm ka epërsi të madhe në drejtim qeverisës ndaj ish-kryebashkiakut Basha, thjesht, për shkak të rezultateve praktike në ujë, energji, shkolla mbledhje taksash, nuk i prish dot balancat e votimeve të 2017-ës. Në të njëjtin gjykim, mund të mbetet edhe Korça. Ky qytet homogjen, që pësoi më pak dëme se të tjerët pas 90-ës, po rimëkëmbet ngadalë dhe pavarësisht vlerës së kësaj rimëkëmbjeje e ka të qartë, se vetëm qetësia, pavarësisht se kush fiton, të majtë a të djathtë, e lejon të vazhdojë rimëkëmbjen reale.

Durrësi, mbetet ashtu si Elbasani, një qendër tensioni, por a mund të ketë përmbysje spektakolare? Edhe ai ka elementë pasigurie, si në Elbasan, por jo të gradës së lartë. Durrësi, që në kohën e Hoxhës, në përgjithësi, për shkak të detit dhe pasurisë që vinte prej tij, ka pëlqyer më shumë të vetëqeveriset sesa ta qeverisin. Resurset e tij janë shumë më të mëdha sesa ato të Elbasanit. Tensionet do të jenë më të pakta edhe për shkak të vëmendjes së ndërkombëtarëve, që i dinë mirë zhvillimet e viteve të fundit aty.

Ndërkaq, ndryshe apo shumë më ndryshe nga Durrësi, Elbasani ka të tëra kushtet për të krijuar rrëmujën politike ku mund të futësh në sherr nga djemtë e lagjes e deri parinë e lartë, ku përfshihen bizneset e mëdha, apo dhe deputetë a ish- deputetë… Ka dy arsye, pse sherri për Elbasanin është dhe do vazhdojë të jetë i lartë. Ky qytet tipik tregtar, për shekuj me radhë në kërthizën e Shqipërisë, në kohën e Hoxhës u shndërrua në qytet industrial. Vendosja e Metalurgjisë shtoi një numër shumë të madh të ardhurish nga rrethet e tjera, të cilët, pas gati 40 a 50 vjetësh mund ta kenë dyfishuar a më shumë, këtë qark që, gjithsesi është i vogël për të përballuar këto prurje kaq të mëdha. Veçanërisht pas ’90-ës, kur e gjitha ëndrra industriale ra dhe vargu i papunësisë u shtua pafundësisht. Mbetur pa pronë private të mjaftueshme dhe pa homogjenitetin e dikurshëm të jetesës, Elbasani filloi gradualisht të shndërrohej një lloj Palermoje dhe i tillë do të mbetet, për shumë kohë. Apo, deri sa politikanët ta kuptojnë çdo të thotë të lësh në mëshirën e fatit, kryeqendrën e Shqipërisë.

Shkaku i mësipërm është kryesori, për të kuptuar pse aty ekziston lënda e parë, për të nisur sherret e përmendura më lart.

Shkaku i dytë, që lidhet po me të parin, mund të kuptohet nëse shikon qoftë edhe zgjedhjet e fundit të 2017-ës. Ku torta e deputetëve u nda, jo midis dy partive të mëdha, por edhe me ato të LSI-së dhe PDIU-së. Radhët duhet të rigrupohen sipas koalicioneve përkatëse, po sa e lehtë është kjo?

Asnjeri, nuk e di mirë këtë. Po një gjë dihet, megjithatë, mirë. Nëse Elbasani shkon në favorin e socialistëve, çështja e zgjedhjeve është mbyllur që sot. Epërsia e qartë e socialistëve në jug, që e kompenson dhe e tejkalon atë në veri dhe për shkak të numrit të qarqeve, apo numrit të votuesve, të imponon betejën në Elbasan. Po dhe nëse çështja pas zgjedhjeve do të mbetet në numrat 71-69, këto numra do të jenë të varur nën një tension pikërisht këtu, për shkak të dy faktorëve. Nuk do të më dukej çudi që vëmendja e palëve, qoftë edhe të huajve, do të vijë e të fokusohet gjithnjë e më tepër, rreth kësaj qendre.

Do të ishte më mirë që, dhe vëmendja, jo vetëm e politikës, por edhe e shtypit të përqendrohej këtu. Jo aq për shkak të zgjedhjeve që po trokasin në derë… Thjesht, kryeqendra gjeografike e Shqipërisë, nuk mund të mbetet në dorën e fatit, apo të shihet vetëm si eksperiment, si mund të ndizej një zjarr për të ngrohur pak duart. Ndryshe nga qytet e tjera, kjo kryeqendër e vuan çdo rrëmujë të vogël, si një tërmet të madh, i cili, nuk vazhdon tridhjetë sekonda, si të tjerët… Ai mban të bllokuar e të sëmurë, tërë vendin, për një kohë shumë të gjatë.

Shakaxhinjtë politikë të Tiranës, të majtë a të djathtë, duhet të mendohen mirë, para se të vazhdojnë të fusin në sherr djemtë e lagjes… Aty, nuk thyhen vetëm xhama, po shkatërrohet një vend i tërë…