MENU
klinika

Nga Roland Qafoku

Si do të doja të ishte një deputet

08.03.2021 - 14:08

Besnik Baraj njoftoi tre ditë më parë se nuk do jetë më në listat e kandidatëve për deputetë duke i dhënë njëkohësisht lamtumirë edhe politikës. Nuk është ndonjë hata e madhe kur një politikan largohet nga politika. Hata e madhe është se nga politika u largua një model si Besnik Bare. Profesori i Kimisë që la auditoret e universitetit të Tiranë por edhe në universitetit Politeknik të Barcelonës dhe të Rio Grandes të Brazilit për të qenë pjesë e politikës në vitin 2003, krijoi një format politikani që nuk i ngjan atij që ka në përgjithësi politika në Shqipëri. Kurrë nuk u përfol për abuzime me fondet publike. Kurrë nuk përtoi të ndihmonte dhe t’u gjendej pranë njerëzve në nevojë. Kurrë nuk krijoi konflikte. Të vetmet ishin, i pari më 21 janar 2011 kur mbrojti me trupin e vet ata protestues që po dhunoheshin dhe për këtë iu hoq imuniteti. Dhe i dyti “konflikti” brenda partisë së tij kur me shumë kurajo votoi kundër grupit të tij parlamentar për sjelljen e armëve kimike në Shqipëri.

Gjatë këtyre 8 viteve të qeverisjes së PS-së unë personalisht nuk kam parë një deputet që të jetë aq prezent në zonën e vet elektorale sa Besnik Baraj. Rrugëve të njësisë numër 7-të ku unë banoj, atë e shikoja më shpesh edhe se komshinjtë e mi. Përherë i rrethuar nga njerëz të ndryshëm. Më dukej sikur bënte fushatë edhe kur nuk kishte fushatë. Të mos harrojmë se kjo ndodh kur partia e tij është në qeverisje. Po dreqi ta hajë, ky e gjeti të largohej nga politika! Ky model? Dhe më problematikja, kush do ta zëvendësojë këtë model deputeti si Besnik Bare? Lista e Partisë Socialiste mund të ketë shumë risi, rioshë dhe përfaqësues të brezit të tretë, por ama i mungon një model si Besnik Bare.

DEPUTETËT E DERI TANISHËM MODEL

Servet Pëllumbi në karrierën e tij ka patur shumë kundërshtarë politikë, brenda dhe jashtë Partisë Socialiste. Por ama edhe kundërshtarët e kanë vlerësuar si një politikan model të pastër. Myslim Murrizi që nuk ia përton shumë askujt që ka një cen, në parlamentin e vitit 1997-2001 deklaroi në sallën e parlamenti se shumë kishin të korruptuar në PS, por jo si një model si Servet Pëllumbi. Profesori tani gëzon pensionin e vetë qetësisht se pas la një model jo vetëm për të birin që është bërë pjesë e PS-së, por edhe për të gjithë PS-në. Unë do doja shumë që deputetët e parlamentit të ri të ishin si profesor Pëllumbi.

Klodiana Spahiu është deputete aktuale në kuvend, përfaqësuese e Partisë Socialiste. Një mjeke e nderuar në Durrës dhe pedagoge në fakultetin e Mjekësisë në Tiranë që kuotat e veta i kishte të larta pa hyrë në politikë. Në tre legjilatura të zgjedhur deputete, Klodiana Spahiu kurrë nuk është përfolur. Kurrë nuk është atakuar, por ka gëzuar respektin edhe të kundërshtarëve politikë. E kudogjendur ndaj zgjedhësve të vet, por edhe të gjithë atyre që kanë patur nevojë për të, doktoreshë Klodi është jo thjesht një politikane e votuar, por një model në politikë. Unë do doja që deputetët e parlamentit të ri të ishin si Doktoreshë Klodi.
Milva Ekonomi është deputet aktuale në kuvend e zgjedhur në zgjedhjet e vitit 2017 në qarkun e Durrësit. Dy herë ministre e qeverisë Rama, ajo kurrë nuk është përfolur dhe kurrë nuk është atakuar nga opzoita që nuk lë rast pa e bërë publike kur ka abuzime. Unë do doja që deputetët e parlamentit të ri të ishin si Milva Ekonomi.
Por vimë në kampin opozitar. Halim Kosova ka krijuar një model unik të politikanit shqiptar. Më shumë i ka dhënë politikës se sa ka marrë nga politika. Halim Kosova bëri sakrificën më të madhe në zgjedhjet lokale të vitit 2015. Në momentin më të vështirë të PD në opozitë, ai kandidoi për kryetar të bashksië së Tiranës. Edhe pse humbi ai mori më shumë vota se partia. Unë do doja që deputetët e parlamentit të ri të ishin si Halim Kosova.
Valentina Duka ishte një tjetër model i Partisë Demoratike. Pedagogia që la auditoret për të qenë pjesë e parlamentit arriti të krijojë një profil larg steriotipeve të disa grave që politikën e kanë pothuaje një shoëbiz. Unë do doja që deputetët e parlamentit të ri të ishin si zysh Valentina.

Lexo edhe :  Krijimtaria e pavdekshme e Agim Krajkës

Shezai Rrokaj ishte një tjetër deputet që i bënte nder parlamentit. Si përfaqësues i LSI ai dorëzoi mandatin dy vjet më parë dhe tashmë nuk është më edhe pjesë e politikës. Por sa ndryshe duket aprlmenti pa një figurë si Rrokaj. Sigurisht që ai u largua vetë dhe nuk e përjashtoi kush, por ama LSI duhet të bënte cmos ta mbante profesorin e nderuar. Unë do doja që deputetët e parlamentit të ri të ishin si profesor Rrokaj.
E them pas droje dhe pa asnjë kompleks. Të gjithë këta ish-deputetë dhe deputetë aktualë do të doja të ishin në parlament. Do doja që kryetarët e partive të tyre ti kishin patjetër në lista. Ata nuk janë thjesht deputetë të mirë. Ata janë model se si duhet të jetë një deputet.
ATA QË NUK DO TË DOJA TË ISHIN DEPUTETË
Unë si letër lakmuesi për një politikan përdor komunikimin që ai ka me median. Nuk gabonte presidenti i 44-ët i SHBA Barack Obama kur thoshte: “Unë jam ai që mediat thonë se jam”. I cilësuar nga specialistët e komunikimit si një nga presidentët që ka komunikuar më mirë me publikun, Obama kishte më shumë se të drejtë me këtë konkluzion. Si mund ti besosh një deputeti që nuk ka folur kurrë në parlament? Si mund ti bvesosh një deputeti që kurrë nuk ka dhënë një intervistë dhe kurrë nuk është bërë pjesë e medias. Fundja një deputet komunikimin me publikun e bën nëpërmjet medias. Ndryshe ai jo vetëm nuk komunikon me publikun por nuk ekziston. A mund ti besojë komuniteti një deputeti që nuk komunikon e që nuk flet me arsyetimin se është është një punë? Epo një deputet i tillë nuk i duhet as dreqit. Ka dy arsye që një deputet nuk komunikon me publikun: Ose është i paaftë, ose fsheh abuzimet e tij. Kurrë nuk do doja të ishte deputet një model i tillë.
Në fakt nuk do doja të ishte deputet edhe ekstremin tjetër. Nuk do doja të ishte deputet ai ose ajo që e kanë aq “mirë” me mediat sa diktojnë edhe vetë mediat. Ata diktojnë edhe kur do flasin dhe çfarë do flasin. Këta sorolloj krijojnë brenda partive enklavën e vetë të komunikimit. Janë të përkëdhekurit e kryetarëve dhe vartësve të tij të afërt. Marrin poste dhe kuota të pamerituara dhe kurrë nuk krijojnë një model pozitiv. Këta janë e kundërta e të parëve por janë edhe më të dëmshëm se ata.

RISITË E PARLAMENTIT TË RI
Të tri partitë e mëdha kanë sjellë risi në listën e kandiatëve për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit. Najada Çomo dhe Luljeta Bozo janë dy gra që i ndryshojnë imazhin për mirë Partisë Socialiste. Ka patur rrebesh kritikash pas prezantimit të tyre në media dhe rrjetet sociale. Po ç’tu thuash atyre?! Mes doktoreshë Çomos dhe inxhiniere Bozos, kë doni ju, atë kërpërtaën që nuk lexonte dot as atë që i kishin shkruar? Jo o njerëz. Sikur ti kishim deputetë si doktoreshë dhe inxhinierë jo vetëm politika dhe parlamenti, por edhe Shqipëria do ishte ndryshe.
Vijmë të kampi opozitar. Tomorr Alizoti dhe Mark Marku i japin një imazh më të mirë Partisë Demokratike. Edhe ndaj tyre ka patur rrebesh kritikash. Madje edhe nga zoti Rama, i cili sapo u preznatua si adrejtues në qarkun e Lezhës lëshoi ndaj Markut një seri fjalësh dhe epitetesh jo të denja. Ata që e njohin Mark Markun në auditore i dinë dhe e njohin vlerat e tij. Nuk ka rëndësi se anon djathtas apo majtas. Se je me PS apo PD se do votosh këtë apo atë forcë politike. E ërëndësishme është se në parlamenrt nuk do mbërrijnë injorantët. Me këta emra sigurohemi se në parlament nuk do ketë kriminelë dhe të fortë që grushtohen si të ishin në ring dhe vrasin si të ishin në skutat që kontrollojnë gangsterët. Me emra që vinë nga bota akademike, dhe nga profesione humane, parlamenti sigurisht që do jetë më i mirë dhe më profesional. Thejsht, ky duhet të jetë parlamenti që duam.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN