MENU
klinika

Negociatat

Si po na mban peng Franca

09.03.2021 - 10:47

Franca po mban peng prej vitesh procesin e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian, duke mos pranuar fillimisht të heqë veton derisa procesi i zgjerimit të reformohej.

Por pavarësisht miratimit të metodologjisë së re të integrimit dhe dhënies së dritës jeshile një vit më parë ngë Këshilli i BE-së për nisjen e bisedimeve, Shqipëria nuk ka bërë asnjë hap përpara në procesin e integrimit.

Tirana dhe Shkupi zyrtar presin që në muajt e ardhshëm të mbajnë konferencën e parë ndër-qeveritare me BE-në, sapo Bullgaria të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut.

Por marrja e Presidencës së BE-së nga Parisi dhe zgjedhjet në Francë mund ta shtyjnë sërish nisjen e bisedimeve për në 2023-in.

Nga ana e saj, Franca thotë se është një mbështetëse e fortë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, por vendet e rajonit nuk janë të bindura se Parisi do të heqë barrierat për anëtarësimin e tyre.

Me Francën që do të mbajë presidencën e Këshillit Europian në gjysmën e dytë të vitit 2022, dhe me zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të planifikuara për vitin e ardhshëm, muajt e ardhshëm mund të jenë momenti kryesor për të rishikuar dhe rindërtuar rolin e Francës në integrimin e Ballkanit Perëndimor.

Loïc Tregoures, analist dhe specialist për Ballkanin, beson se Franca ka luajtut një rol negativ në procesin e zgjerimit gjatë tre viteve të fundit.

“Në Francë, ekziston skepticizëm kundër zgjerimit. Kjo është ndoshta arsyeja pse metodologjia e re nuk është e mjaftueshme në vetvete, edhe pse ne nuk e dimë se si do të zbatohet.

Mund të funksionojë vetëm nëse të gjithë luajnë drejtë, vendet kandidatët, por edhe të gjitha vendet anëtare”, thotë ai.

Duke kujtuar pranimin e Kroacisë në BE, ai thotë se askush nuk mund të thoshte se ekuilibri politik, social, financiar ose demografik në BE ndryshoi pasi integrimit të Kroacisë.

Por sipas tij, zgjedhjet në Francë mund t’i shtyjnë negociatat me vendin tonë për vitin e ardhshëm, pasi Macron nuk dëshiron të rrezikojë.

“Për sa i përket opinionit publik, është e vërtetë që Macron nuk do të humbasë vota duke hapur negociatat me Shqipërinë ose Maqedoninë e Veriut këtë vit,” thotë Tregoures.

Por ambasadori i Francës në Serbi, Jean-Louis Falconi, shprehet se Franca ka qenë gjithmonë një mbështetëse e fortë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Ky premtim nuk është bërë në asnjë rajon tjetër. Franca ka luftuar shumë fort që të mos bëjë një premtim të ngjashëm me ndonjë rajon tjetër.

Pozicioni i Francës ka qenë shumë i qartë për këtë çështje. Ne synojmë ta përmbushim këtë premtim të sinqertë, ”thotë ambasadori.

Sidoqoftë, shton ai, kjo do të thotë që të dy palët duhet të bëjnë ca përpjekje.

“Hyrja në BE nuk është thjesht negociata, duhet të plotësohen disa kërkesa, ”shprehet ambasadori.

Alba Çela, drejtoreshë Ekzekutive dhe Shefe e Programit Europian në Institutin Shqiptar për Studime Ndërkombëtar shpjegon nga ana tjeter se Shqipëria është e zhgënjyer nga qasja franceze ndaj zgjerimit.

Ajo thotë se perceptimi mbizotërues në Shqipëri është se Franca dhe Holanda janë kundër zgjerimit dhe pranimit të Shqipërisë në BE.

“Holanda është shumë e angazhuar duke monitoruar reformat, duke bërë deklarata dhe duke mbështetur shumë projekte, dhe perceptohet si një kundërshtar i angazhuar, ndërsa pozicioni francez është më pak i qartë,” thotë Çela.

“Na u dha mesazhi se kemi një metodologji të re. Sidoqoftë, ne jemi akoma të bllokuar në të njëjtin status quo, “thotë Çela, duke shtuar se ajo nuk pret ndonjë zhvillim të madh në agjendën e BE mbi zgjerimin në vitin 2021 dhe se e njëjta gjë vlen për vitin e ardhshëm.

“Arsyeja për të është se Franca po merr presidencën e BE-së,” thotë ajo.

Përveç kësaj, perceptimi i publikut gjithashtu luan një rol vendimtar në procesin e integrimit në BE.

Sébastien Gricourt, drejtor i Observatorit të Ballkanit për Fondacionin Jean-Jaurès shpjegon se 22% e njerëzve në Francë janë kundër anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ai beson se strategjia politike e presidentit Macron dhe partisë së tij ishte dhe është të mos humbasë votat për shkak të zgjerimit.

Por çfarë roli luan politika e brendshme franceze në përcaktimin e pozicionit francez ndaj zgjerimit të BE dhe a mundet që zgjedhjet e vitit 2022 të ndryshojnë diskursin aktual negativ që rrethon këtë temë?

“Duke ringjallur debatin e zgjerimit gjatë Samitit të Sofjes në 2018, me theks në zgjerimin dhe thellimin, Macron po përpiqej të neutralizonte çdo pasojë të kësaj cështjeje në politikën vendase “, thotë ai, duke shtuar se presidenti ishte udhëhequr nga disa perceptime të gabuara duke u druajtur se do të humbiste mbështetjen e elektoratit të djathtë.

“Për të siguruar votat nga e djathta, politikanët francezë nuk janë të gatshëm të hapin temën e zgjerimit të mëtejshëm të BE”, thotë Gricourt.

Burimet: European Western Balkans”, “Balcani e Caucasio”