Gazetari i njohur Sokol Balla, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, komentoi çeljen e fushatës elektorale dhe surprizat që mund të ndodhin në këto zgjedhje.
Ai tha se aktualisht po shikon një fushatë të “mërzitshme” në sensin që premtimet janë po të njëjtat, e në fund nuk bëhet asgjë. Balla e vlerësoi rolin e qeverisë në sigurimin e vaksinave, por shtoi se sipas tij, ka bërë thjesht detyrën.
Po ashtu ai kishte një thirrje për opozitën, ku nënvizoi se fushata me shumë persona rriskon shumë persona, mes tyre, edhe gazetarët, të cilët do kenë kontakte të afërta me politikanët gjatë fushatës zgjedhore.
Sakaq, Balla u shpreh se në zgjedhje do të ketë surpriza, pasi edhe partitë e vogla, kanë peshë e ndikim në qarqe e zona të caktuara.
“Përjashto incidentet paraelektorale që ndodhën në Elbasan dhe Tiranë, që janë paralajmëruese se mund të përsëriten nëse rezultati do të jetë i ngushtë. Nëse bëhet fjalë për 71 me 69 mandate mes partive të mëdha. Fushata është e mërzitshme, ndoshta duhet të jetë dhe për faktin që ne dëgjojmë po të njëjtin refren, sepse në fund të gjithë gënjejnë, askush nuk futet në burg, askush nuk dënohet. Nuk shoh gjë të re nga fushata, e cila ka dhënë gjëra të reja vetëm tek pandemia. Si familjarë, prind, e shoh alarmuese nëse fushata shkon në mos ruajtjen e njëri-tjetrit. Ne (gazetarët) çdo ditë do të kemi njerëz që vijnë nga fushata, unë sot kam pesë njerëz që vijnë nga pesë pjesë të ndryshe. Kjo na kthen ne gazetarët shumë të rrezikuar. Unë do i thoja politikanëve që të mendojnë për shëndetin, për familjen, elektoratin e më pas neve”, tha Balla.
Ke bërë një editorial para disa muajsh për vaksinat, ku i drejtoheshe kryeministrit, o do e sjellësh vaksinën o do e sjellësh vaksinën, kjo është detyra jote,
çfarë kërkese kishe konkretisht?
Sokol Balla: Nuk është fenomen i jashtëzakonshëm. Nëse vaksina deri dje nuk vinte fajësohej qeveria, ndërkohë tani fajësohet qeveria pse ka ardhur vaksina. Qeveria ka bërë detyrën për atë që paguhet. Unë e shoh që po bën detyrën e saj, nuk më duket për t’i dhënë dekoratë. Unë miqve të mi në opozitë i kam këshilluar, siç i këshillova tek djegia e mandateve e më pas më dhanë të drejtë, por shikoj që sulmojnë vaksinimin. Shqiptarët kanë votuar drejt, janë aq inteligjentë dhe të kuptojnë që njëkohshmëria mes vaksinës dhe fushatës nuk është 100% e rastit. Është humbje kohe që opozita godet vaksinën. Tritan Shehu e cilëson si të paligjshëm, nuk besoj që është i paligjshëm. Nuk besoj që një kryeministër ka luajtur mendsh për të sjellë vaksina kontrabandë në Shqipëri. Nuk duhej të kishte qenë më katolike se papa për të parë për Pfizer dhe AstraZenecan por duhet të ishte parë edhe për vaksinat kineze.
Kjo fushatë duket që është kryesisht në dorë të lojtarëve tradicionalë, hiq përpjekjet e nismës thurje, kandidatët e pavarur të VetëVendosjes?
Sokol Balla: Kryesisht të gjitha sondazhet tregojnë disa normalitete, e para tregojnë që ka rikuperuar PD, e dyta ka rikuperuar mbi kurriz të LSI. Këtë e tregojnë sondazhet. E treta tregon socialistët që janë të parët, me shumë pak lëvizje dhe po tregohet gjithashtu që në disa qarqe, formacionet e reja politike, nuk është se janë pa peshë. Pra, Vetëvendosja nëse nuk gaboj kishte gati 3% në Tiranë. Bindja Demokratike është +1-+2%. Lëvizja për Ndryshim e Topallit do të jetë vendimtar, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Shkodër. Pavarësisht gjithçkaje shikoj që realitet e reja politike do kenë ndikim, do të shohim Murrizin sa ndikim do të kenë në zonën e Lushnjes, por këta faktorë do të prodhojnë mandate të reja në parlament.