Policia e Shtetit ka arrestuar tre iranianë, pasi akuzohen për falsifikim dokumentesh.
Të arrestuarit dyshohet se kanë dashur të hyjnë në Republikën e Shqipërisë, duke paraqitur dokumente, që dyshohet se janë të falsifikuara. Ata akuzohen për “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.
Njoftimi i policisë:
Qafë Thanë, Pogradec
Arrestohen 3 shtetas iranianë, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, konkretisht atë të kalimit të kufirit me dokumente të falsifikuara, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve I. T., 24 vjeç, M. N., 25 vjeç dhe A. N., 25 vjeç, banues në Stamboll, Turqi.
Këta shtetas janë paraqitur në hyrje të Republikës së Shqipërisë, me dokumente identifikimi të dyshuara si të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.