MENU
klinika

COVID-19

Vazhdon karantina në Greqi, qeveria vendos “self testing”

27.03.2021 - 11:28

Restriksionet aktuale në Greqi, gjegjësisht karantina, ora policore dhe masat e veçanta për zonën e kuqe dhe të errët të kuqe, vazhdohen edhe për një javë, gjegjësisht deri më 5 prill, siç ishte njoftuar pasdite në konferencën e rregullt për shtyp për situatën me pandeminë në vend.

Zëvendësministri për mbrojtje civile të Greqisë, Nikos Hardalas tha se kah mesi i javës së ardhshme komisioni kompetent i epidemiologëve do ta shqyrtojë mundësinë për hapje të shitjes me pakicë, shkollave, si dhe të lejohet lëvizja e qytetarëve nga njëra komunë në tjetrën.

“Armë” e rëndësishme në hapjen e aktiviteteve, siç thanë edhe Hardalas dhe ministri alternativ i shëndetësisë të Greqisë, Vasilis Kondozamanis, do të jetë mundësia qytetarët vetë, në shtëpitë e tyre të testohen, gjegjësisht përmes “self testing”.

Kondozamanis, në konferencën e sotme për shtyp sqaroi se nga fillimi i prillit, testet falas do të jenë të arritshme për qytetarët përmes barnatoreve, nga një test në javë në periudhën prej dy muajve, ndërsa në fazën e parë shqyrtohet mundësia prioritet të kenë personat deri në moshën 67 vjeçare, gjegjësisht qytetarët ekonomik aktiv.

Në rast të rezultatit pozitiv, do të duhet të paraqitet në platformë speciale dhe do të bëhet test plotësues për kontroll, derisa sërish në periudhën në vijim do të ketë protokolle detajore për mënyrën e përdorimit.

Ministri alternativ i Shëndetësisë të Greqisë tha se për fillimin gradual të aktivitetit ekonomik në vend, të punësuarit në lundrim, shitjen me pakicë, në kompanitë e mëdha, në turizëm, në hotelieri dhe gjyqësi, të obligueshme do ta kenë të bëjnë teste të shpejta një herë në javë.

Paralelisht, Qeveria, sipas Kondozamanis, do të sjellë dispozitë ligjore për përdorim të obligueshëm të “self testing”, njëherë në javë për mësimdhënësit dhe nxënësit, për hapje të sigurt të shkollave.

Për qytetarët tjerë, testet për përdorim në shtëpi nuk do të jenë të obligueshme.

Lloji i ri i testeve, në kombinim me procesin e imunizimit sipas Qeverisë greke do të mundësojnë hapje më të lehtë të vendit.

Greqia nga 7 nëntori i vitit 2020 është në karantinë dhe me orë policore të vendosur, me përjashtim të periudhave të vogla kohore kur ka ekzistuar zbutja e masave, ndërsa sërish rajoni i Atikës dhe rajoni më i gjërë i Athinës në karantinë të ashpër është nga 11 shkurti.

Nga fundjava e kaluar ora policore në të gjithë vendin është prej në 21:00 në vend se prej 19:00, ndërsa të hëhën u hapën lokalitetet arkeologjike dhe sallonet e parukerisë.