MENU
klinika

Nga Dritan Hila

Albkontrolli si histori abuzimi dhe grevistët e luksit

08.04.2021 - 15:44

Është në pozitë monopoli dhe menaxhimi i saj nuk përfshin vetëm uljen dhe ngritjen e avionëve në Rinas, por edhe të korridoreve ajrorë, pra të avionëve që kanë fluturime mbi hapësirën tonë.

Pavarësia financiare dhe bollshmëria e të ardhurave, i lejon fushë të hapur për abuzime dhe kush ka qenë drejtor aty, gjithmonë ka pasur akuza të rënda për menaxhim shkapërdar, përfshirë ministren aktuale Balluku.

Këtë e tregon edhe numri i personelit të drejtuesve të trafikut ajror që nga 18 që ishin dikur, aktualisht është 65, sikurse rrogat e tyre janë abuzive dhe trajnimet e tyre janë spekulative. Një kontrollor ajror italian, p.sh quhet i tillë pasi bën një vit kurs dhe tre muaj praktikë. Pagesat variojnë nga 500 $ për ata indianë ose 3.600 € të atij italian (pothuaj e barabartë me kontrollorët shqiptarë), rrogë e cila është vetëm 1.3 herë më e lartë se ajo mesatare në Itali dhe jo dhjetë herë më e madhe nga ajo që paguhen kontrollorët shqiptarë.

Pavarësia që ka kjo agjenci ka sjellë edhe abuzimin me nivelin e rrogave. Por kjo nuk i lejon punëmarrësve që të gjykojnë administrimin nga drejtuesit, pasi të dy palëve ju pëlqen diferencimi. Gjithsesi kjo orgji financiare në Albcontrol është e ligjshme megjithëse jo e moralshme.

Ndaj kontrollorët nuk duhen të mërziten pse një tender pastrimi kushton një milion dollarë, derisa kanë pranuar të marrin rroga katër mijë dollarëshe. Sikurse në kulmin e krizës financiare botërore bankierët e bankave që po falimentonin, i lejonin vetes shpërblime që kapnin shifra 100 milionë dollarëshe.

Është një vend i ngrohtë për nepotizëm ku politikanët strehojnë të afërmit e tyre, çfarë shpjegon edhe përdorimin politik që po i bëhet. Kontrollorët ajrorë shqiptarë kanë specifikë nga kolegët e tyre, pasi kanë jo vetëm menaxhimin e një aeroporti, por edhe të hapësirës ajrore shqiptare. Kjo do të thotë që në këtë moment hapësira jonë ajrore është një hapësirë off limits, sikurse e një vendi në luftë. Është një problem i madh besueshmërie.

Uniciteti i tyre bën që mos të kenë krahasim as me kolegët e tyre perëndimorë pasi në vende të tjera jo vetëm që ka një mori sindikatash dhe grevat asnjëherë nuk janë totale, por të pjesshme, por ekziston edhe monitorimi paralel nga ana e ushtrisë, ç’ka tek ne është inekzistent.

Albcontrol është një plagë e hapur abuzimi menaxherial si në rrafshin e burimeve njerëzore ashtu edhe ato financiare.

Shteti ka detyrë të riformatojë edhe njëherë këtë agjenci, me një grup pune ku ministrja Balluku duhet përjashtuar sepse e ka drejtuar 6 vjet këtë agjenci dhe nuk ka kuptuar që mund të vinte një ditë si kjo.

Gjithashtu të krijohet një grup paralel brenda strukturave ushtarake që të mos ndodhemi rishtas para situatave të tilla dhe që kur presidentit t’i shkrepet që të kalojë vendin në knock down, kontrollorët ajrorë e shumta mund t’i ketë mitingashë për tubimet e tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN