MENU
klinika

Por si është zgjidhur statusi i Tirolit të Jugut në Itali?

BE do që mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi të zgjidhen sipas modelit të Tirolit të Jugut

30.04.2021 - 08:30

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola Von Cramon sheh zgjidhje për mosmarrëveshjen Kosovë-Serbi, duke u bazuar te drafti i fundit të hartuar nga Gjermania dhe Franca, i cili parashikon mes të tjerash, themelimin e një “distrikti autonom të Kosovës Veriore” me kompetenca vetëqeverisëse.

Sipas këtij plani, “Distrikti Autonom i Kosovës Veriore” do ta kishte guvernatorin e saj në Qeverinë e Kosovës. Ky plan duket të ketë mbështetjen e Viola Von Cramonit, e cila tha se “nuk e di nëse ky dokument ka mbështetje jo-zyrtare nga dy shtetet kryesore të Bashkimit Europian”, por shtoi se “Distrikti Autonom i Kosovës Veriore”, i cili përmendet në këtë dokument, mund të zgjidhë problemet midis Kosovës dhe Serbisë. Ajo ka bërë një krahasim me Tirolin Jugor në Itali.

“Ajo që propozohet në atë dokument duket si statusi i Tirolit të Jugut në Itali që zgjidhi problemet bilatarele mes Italisë dhe Austrisë. Mund të jetë një model i suksesshëm, por duhet të jetë i personalizuar duke marrë specifikat e situatës në Kosovë. Të presim e të shohim, por unë i ftoj diplomacitë evropiane të rrisin shkallën e koordinimit për të evituar çdo keqkuptim”, deklaroi eurodeputetja gjermane në një intervistë për RTV Dukagjini.

Por si është zgjidhur statusi i Tirolit të Jugut në Itali?

Tiroli i Jugut dikur ishte pjesë e perandorisë së gjerë Austro-Hungareze. Ai u aneksua nga Italia më 1918. Me gjithë përpjekjen e kryeministrit italian të asaj kohe, Benito Mussolinit për të shtrirë ndikimin mbi zonën duke ndaluar gjermanishten dhe duke shtyrë fjalorin dhe kulturën italiane, banorët kanë luftuar për lirinë e tyre edhe përmes sulmeve terroriste.

Ata që flasin italisht janë pakicë. Letërnjoftimet e qytetarëve janë të ndryshme nga ato të Italisë; janë të gjelbra dhe të shkruara në italisht dhe gjermanisht. Flamuri lokal është i kuq dhe i bardhë me një shqiponjë perandorake të stilit austriak në mes.

Shkollat ​​janë të ndara sipas gjuhës amtare në mënyrë që fëmijët të rriten në botë të ndara. Kjo ka çuar në probleme integrimi midis komuniteteve të ndryshme. Por kalimi i shumë viteve nga mosmarrëveshjet ka bërë që shumë prindër në rajon t’i nxisin fëmijët e tyre të bëjnë shkollën e mesme gjermane, më pas shkollën e mesme italiane, në mënyrë që t’i mësojnë të dy gjuhët.

Shpërndarja e punëve publike bazohet në një sistem të rreptë të kuotave që merr parasysh përkatësinë etnike sipas regjistrimit.

Marrëveshja Mussolini-Hitler për Tirolin Jugor

Diktatori gjerman, Adolf Hitler nuk pretendoi kurrë ndonjë pjesë të Tirolit Jugor, as para aleancës me diktatorin italian, Benito Mussolinin, duke e pranuar pjesën gjermane të Tirolit Jugor si një zotërim të përhershëm të Italisë.

Në vitin 1939, të dy diktatorët e lanë zgjidhjen në dorën e popullsisë gjermanfolëse, duke thënë se mund të emigronin në Gjermaninë fqinje (përfshirë Austrinë e aneksuar) ose të qëndronin në Itali dhe të pranonin integrimin e plotë.

Popullsia e Tirolit Jugor ishte thellësisht e ndarë. Ata që donin të qëndronin (Dableiber) u dënuan si tradhtarë; ata që u larguan (Optanten), shumica, u konsideruan si nazistë. Për shkak të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, kjo marrëveshje u zbatua vetëm pjesërisht. Në vitin 1939, Mussolini vendosi ta ndërtonte një Mur Alpin, një fortifikim ushtarak për të mbrojtur kufirin tokësor verior të Italisë.

Marrëveshja e parë austro-italiane

Ndërsa aleatët e fuqishëm të Italisë kishin vendosur që krahina të mbetet pjesë e Italisë, Italia dhe Austria negociuan një marrëveshje në vitin 1946, duke i njohur të drejtat e pakicës gjermane. Kjo çoi në krijimin e rajonit Trentino-Alto Adige. Gjermanishtja dhe italishtja u bënë të dyja gjuhë zyrtare dhe arsimi në gjuhën gjermane u lejua pas shuëm vite protestash. Por meqenëse italianët ishin shumicë në rajon, vetëqeverisja e pakicës gjermane ishte e pamundur.

Së bashku me mbërritjen e emigrantëve të rinj që flisnin italisht, kjo çoi në pakënaqësi të forta midis Tirolit të Jugut, e cila kulmoi me akte terroriste të kryera nga Befreiungsausschuss Südtirol (Komiteti për çlirimin e Tirolit të Jugut). Në fazën e parë u shënjestruan vetëm ndërtesat publike dhe monumentet fashiste.

Çështja e Tirolit të Jugut u bë problem ndërkombëtar. Meqenëse zbatimi i marrëveshjes së pasluftës nuk u pa si i mjaftueshëm nga qeveria austriake, çështja u bë shkak i fërkimeve të rëndësishme me Italinë dhe u mor përsipër nga Organizata e Kombeve të Bashkuara më 1960. Një raund i ri negociatash u zhvillua në vitin 1961, të cilat rezultuan të pasuksesshme.

Marrëveshja e dytë

Përfundimisht, opinioni ndërkombëtar (sidomos austriak) e bënë qeverinë italiane ta konsideronte një “urdhër të dytë ligjor” dhe të negocionte një paketë reformash që prodhuan “Statutin e Autonomisë”. Marrëveshja e re u nënshkrua në vitin 1969 nga Kurt Waldheim dhe Aldo Moro. Ajo përcaktoi se mosmarrëveshjet në Tirolin e Jugut do të paraqiteshin për zgjidhje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, se krahina do të merrte një autonomi më të madhe brenda Italisë dhe se Austria nuk do të ndërhynte në punët e brendshme të Tirolit të Jugut. Marrëveshja ishte në fakt e kënaqshme dhe tensionet separatiste shpejt u lehtësuan.

Statusi i ri autonom, i dhënë nga viti 1972 e tutje, ka rezultuar në një nivel të konsiderueshëm të vetëqeverisjes, gjithashtu për shkak të burimeve të mëdha financiare të provincës së Bolzano / Bozen, duke mbajtur pothuajse 90% të të gjitha taksave. U deshën edhe 20 vjet të tjera që reformat të zbatoheshin plotësisht, e fundit më 1992. Pas një debati në Parlament, Vjena e deklaroi mosmarrëveshjen të mbyllur.

Sot, Tiroli Jugor është provinca më e pasur italiane, duke gëzuar një shkallë të lartë të autonomisë. Ajo ka marrëdhënie të forta me shtetin austriak, veçanërisht që nga hyrja e Austrisë në vitin 1995 në Bashkimin Europian, e cila ka çuar në një monedhë të përbashkët dhe një zhdukje de facto të kufijve./ SI

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Von Cramon komenton “non paper-in” e fundit

“Propozimi për veriun e Kosovës, duket si statusi i Tirolit Jugor”