MENU
klinika

Ligji që e rregullon këtë aktivitet nuk...

Biznesi social, rrugë e vështirë

17.04.2021 - 10:43

Ligji që e rregullon këtë aktivitet nuk e ka ndihmuar shumë sipërmarrjen sociale. Financimet ngelen të pakta dhe aksesi në to, i ndërlikuar

Ersuin Shehu

Biznesi social është një praktikë që ka fituar vëmendje në dekadat e fundit, si një mënyrë alternative për të adresuar probleme të mëdha shoqërore, si lufta ndaj varfërisë, integrimi në tregun e punës të grupeve sociale të brishta, apo ofrimi i shërbimeve të nevojshme për këto grupe.

Sipas përkufizimit të Bashkimit Europian, bizneset sociale janë ato ndërmarrje, që kanë si qëllim kryesor impaktin social, më shumë sesa gjenerimin e fitimit për aksionerët e tyre. Kjo filozofi fitoi edhe më shumë vëmendje, sidomos pas vitit 2006, kur sipërmarrësi nga Bangladeshi, Muhammad Yunus, fitoi çmimin “Nobel” për Paqen, pikërisht me filozofinë e biznesit social, që qëndronte në themel të institucionit të tij financiar, “Grameen Bank”. Vitet e fundit, janë shtuar skemat e mbështetjes së bizneseve sociale, ndërsa në vitin 2016, Shqipëria miratoi edhe një ligj të veçantë për rregullimin e këtyre bizneseve.

Biznesi social, në forma të ndryshme

Në Shqipëri nuk ekziston një klasifikim apo ndarje e qartë e ndërmarrjeve sociale, çka e bën thuajse të pamundur të përcaktosh me saktësi numrin e bizneseve sociale që zhvillojnë aktivitet në vendin tonë. Këto biznese kanë forma të ndryshme ligjore dhe mund të jenë OJF, kompani tregtare, shoqëri të bashkëpunimit bujqësor, ose edhe shoqëri kursim-krediti, shoqëri specifike për aktivitet financiar.

Përgjithësisht, nga praktika shqiptare, sipërmarrjet sociale kanë të bëjnë me rehabilitimin në punë të grupeve të margjinalizuara, ose me ofrimin e shërbimeve për këto grupe. Një OJF mund të zhvillojë aktivitet ekonomik, për sa kohë që të ardhurat prej tij nuk tejkalojnë 20% të të ardhurave totale, që përgjithësisht vijnë nga donacionet. Kjo u jep mundësi OJF-ve të mos varen plotësisht nga paratë e donatorëve, por të mund të sigurojnë të ardhura edhe vetë, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve ose formave të tjera. Nëse të ardhurat nga aktiviteti ekonomik tejkalojnë kufirin e 20%, atëherë OJF-ja duhet të regjistrohet si biznes.

Sipas një studimi të vitit 2019 nga Partnerët Shqipëri, të financuar nga Bashkimi Europian, në vendin tonë ishin 319 organizata jofitimprurëse me licencë, për të ofruar shërbime edukative dhe sociale. Studimi nxjerr në pah se ka një numër në rritje të OJF-ve që ofrojnë shërbime me pagesë, për të gjeneruar të ardhura në mbështetje të aktivitetit të tyre. Lloji i shërbimeve me pagesë fillon nga shërbimet sociale, mjekësore, trajnime e konsulencë, shitje e aseteve, etj.

Një formë e biznesit social për sektorin e bujqësisë janë shoqëritë e bashkëpunimit reciprok, shoqëri të ngjashme me kooperativat bujqësore, por që në teori mund të veprojnë edhe në sektorë të tjerë ekonomikë. Studimi evidenton 106 shoqëri të tilla, por vetëm 67 kishin një status aktiv.

Një formë e bizneseve sociale, specifike për sektorin financiar, janë shoqëritë e kursim-kreditit. Ato funksionojnë bazuar në organizimin vullnetar të anëtarëve, të cilët depozitojnë kursime dhe përfitojnë kredi nga këto shoqëri. Aktualisht, Banka e Shqipërisë ka licencuar 14 SHKK dhe një Union të tyre.

Për sa u takon bizneseve sociale që veprojnë si shoqëri të mirëfillta tregtare, evidentimi i tyre është i pamundur nga statistikat, sepse për to nuk ekziston ndonjë klasifikim specifik, apo qoftë edhe kod i veçantë i aktivitetit ekonomik. Në shumicën e rasteve, ato janë biznese të vogla, por ka edhe shembuj të organizimit në formën e shoqërive me përgjegjësi të kufizuar. Studimi vlerëson se sfidat kryesore për bizneset sociale janë vështirësitë për të aksesuar skemat financiare në dispozicion, për të krijuar rrjetëzim dhe për të depërtuar në tregje. Duke qenë në hapat e parë të ciklit të biznesit, shumica e tyre kanë vështirësi për absorbimin e fondeve.

Ligji që e “burokratizoi” biznesin social

Në vitin 2016, Shqipëria vendosi ta rregullojë aktivitetin e ndërmarrjeve sociale, me një ligj të veçantë. Titulli i ndërmarrjes sociale, u kthye në një status zyrtar, që mund të merret nga Ministria përgjegjëse për Çështjet Sociale. Përdorimi i këtij titulli, pa marrë statusin ligjor përkatës, është i ndaluar dhe ndëshkohet me gjobë deri në 40 mijë lekë, sipas parashikimeve të ligjit. Këtë status e kanë vetëm ndërmarrje me formën ligjore të organizatës jofitimprurëse. Deri tani, ligji nuk ka rezultuar shumë i suksesshëm. Vetëm katër biznese kanë arritur deri tani të marrin statusin e biznesit social.

Partnerët Shqipëri është një nga organizatat e pakta jofitimprurëse që ka programe specifike për zhvillimin e biznesit social. Drejtoresha ekzekutive, Juliana Hoxha, thotë për revistën “Monitor” se, rregullimi me ligj më shumë e ka penguar, sesa e ka ndihmuar zhvillimin e filozofisë së biznesit social në Shqipëri.

“Ne mendojmë se nuk ka qenë e nevojshme që kjo fushë të rregullohet me ligj të veçantë, për sa kohë që i jepen lehtësitë e duhura këtij lloj aktiviteti. Koha ka treguar se zbatimi i ligjit po has vështirësi. Ligji vendosi kërkesa dhe burokraci të ndërlikuara për bizneset që duan të përfitojnë statusin e biznesit social, por, nga ana tjetër, nuk jep ndonjë përfitim apo lehtësi që t’ia vlejnë përpjekjet për marrjen e këtij statusi” – thotë znj. Hoxha.

Në rastin e një biznesi social, një nga kriteret për të përfituar këtë status është që 30% e punonjësve të vijnë nga grupet e paaftësisë. Këta punonjës duhen përzgjedhur nga disa kategori, që janë pjesë e një liste të rregulluar me Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM). Lista përfshin rreth 30 grupe, por nuk ka asnjë procedurë për identifikimin apo verifikimin e faktit që këta punonjës u takojnë realisht grupeve të parashikuar në VKM.

Të paktën 20% e të ardhurave, pas vitit të dytë të aktivitetit dhe, të paktën, 30%, pas vitit të tretë e në vijim të aktivitetit, duhet të realizohen nga veprimtaritë e parashikuara në ligj, si shërbime sociale, ndërmjetësim për punësim, punësim të të rinjve, mbrojtje dhe promovim i shëndetit, shërbime në arsim, mbrojtje mjedisore, etj. Një dispozitë e tillë i kufizon këto ndërmarrje në përdorimin e aktiviteteve ndihmëse, që mund të jenë më fitimprurëse, në funksion të shërbimeve që kanë ndikim të drejtpërdrejtë social.

Një kufizim te bizneset sociale është që fitimi duhet të riinvestohet i gjithi në aktivitetin e biznesit dhe të mos përdoret për qëllime të tjera, siç mund të jenë investimet financiare, për shembull, në bono apo në një fond investimi.

“Kjo e pengon zhvillimin e biznesit social, sepse ai vërtet nuk ka qëllim fitimin, por sa më shumë të ardhura të gjenerojë si biznes, aq më shumë të mund t’i shërbejë misionit të vet për të mbështetur shtresat e margjinalizuara. Në këtë dispozitë, ligji është pengues dhe ndryshon nga vendet e tjera, ku parashikohen një sërë alternativash që biznesi social të mund të përdorë fitimet e veta.

Kjo është gjithashtu e gabuar nga pikëpamja parimore, sepse një biznes, qoftë edhe social, nuk mund të kufizohet në mënyrën sesi i përdor të ardhurat e veta. Duket se ligji i ka parë ndërmarrjet sociale si shtojca të shërbimeve që vetë shteti ka detyrë për të ofruar dhe janë konceptuar si organizime që punojnë vetëm me financime nga shteti” – thotë znj. Hoxha nga Partnerët Shqipëri.

Rezultatet e pakta pas miratimit të ligjit e bëjnë të rëndësishme ndarjen mes zhvillimit të biznesit social në terma ligjorë dhe në terma praktikë. Në fakt, pjesa më e madhe e ndërmarrjeve sociale në Shqipëri kanë zgjedhur të operojnë si biznese dhe jo si OJF, sidomos pas heqjes së tatimit mbi biznesin e vogël. Operimi si OJF mund të jetë objekt i më shumë kontrolleve lidhur me dyshimet për evazion.

Grupet në nevojë shërbehen më shumë nga OJF-të se nga shteti

Sipas disa studimeve të kryera, në nivel pushteti vendor, OJF-të që ofrojnë shërbime për grupet e margjinalizuara, janë dyfish në numër në raport me ofruesit publikë të këtyre shërbimeve. Në këtë kuptim, shteti ka interes t’i nxisë këto ndërmarrje për të hequr një barrë nga vetja.

Dy vjet më parë, u krijua me VKM të posaçme edhe një fond në mbështetje të ndërmarrjeve sociale dhe format e mbështetjes nëpërmjet subvencionit për to. Për periudhën 2019-2021, fondi kishte një vlerë totale prej rreth 250 milionë lekësh.

Qëllimi i përdorimit të këtyre parave është subvencionimi i veprimtarisë së ndërmarrjeve sociale, krijimi i vendeve të reja të punës dhe pagesa e sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve të ndërmarrjeve sociale, që u përkasin grupeve të pafavorizuara. Ai përcakton në mënyrë të detajuar qëllimet e përdorimit të fondeve dhe masën e financimit që ofrohet. Por, deri më sot, nuk janë disbursuar para nga ky fond.

Burimet e financimit janë të pakta

Në Shqipëri, skemat e financimit të biznesit social janë shumë të pakta. Realiteti nuk është shumë i ndryshëm për të gjithë Ballkanin, ku skemat e financimit për sipërmarrjen janë hapur vetëm prej tre vjetësh.

Aktualisht, ato ofrohen nga Partnerët Shqipëri dhe Yunus Social Balkans. Partnerët Shqipëri, prej një dekade, zhvillojnë një konkurs të quajtur “Ide të Gjelbra”, ku përzgjidhen çdo vit tre projekte biznesi, me ndikim social ose mjedisor për t’u financuar. E njëjta OJF gjithashtu po zbaton një projekt të përdorimit të pasurive të sekuestruara në mbështetje të nismave të biznesit social, sipas modelit italian.

Drejtuesit e YSB nuk iu përgjigjën kërkesës së revistës “Monitor” për informacion lidhur me aktivitetin e tyre në mbështetje të biznesit social. Megjithatë, sipas të dhënave të përditësuara për herë të fundit të vitin 2019, YSB kishte mbështetur deri atëherë 32 biznese sociale, për një shumë totale prej afërsisht 1.3 milionë dollarësh amerikanë.

“Ne kemi mbështetur shumë biznese sociale në fushën e gjelbër. Për shembull, kemi mbështetur një sipërmarrje për prodhimin e shafranit në Daias të Tiranës. Është një biznes familjar. Ideja është që në prodhimin e shafranit të përfshihet komuniteti i fshatit, nëpërmjet një përpjekje kolektive. Ata kanë arritur tashmë të eksportojnë në Gjermani. Programi ynë më i vjetër është ai i bizneseve të gjelbra, që e zbatojmë prej 10 vjetësh. Ne mbështesim tre biznese në vit dhe shuma maksimale e përfituar mund të jetë 800 mijë lekë dhe kjo është nga shumat më të larta që ofrohen sot. Mesatarja e përfitimeve nga skemat e mbështetjes nuk është më shumë se 400 mijë lekë.

Skemat mbështetëse janë shumë të pakta në numër dhe ka pak fonde për t’i mbështetur. Problem nuk është vetëm sigurimi i drejtpërdrejtë i financimeve, por edhe mungesa e ekspertizës. Një biznes social mund të mbështetet në një ide të mirë, por realizimi kërkon edhe shumë njohuri specifike në aspektin, ligjor, ekonomik, etj. Edhe aksesi në këtë ekspertizë është i kufizuar dhe duhet siguruar me para, që këto biznese nuk i kanë” – thotë znj. Hoxha nga Partnerët Shqipëri.

Një platformë rajonale për startup dhe biznesin social

Partnerët Shqipëri, në muajin mars, ka bërë funksionale një platformë online që synon të mbështesë zhvillimin e bizneseve startup, përfshi bizneset sociale.

“Kjo platformë synon të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ne duam të sjellim në një komunitet startup-et, investitorët dhe konsulentët. Këto komunitete do të regjistrohen në platformë dhe do të ndajnë informacion me njëri-tjetrin, për të lehtësuar krijimin dhe operimin e startup-et. Kjo mund të krijojë një mjedis për të ndërvepruar mes të gjithë aktorëve dhe sidomos do të krijojë një kanal ku startup-et të mund të kenë akses në financime. Qëllimi është të sjellim në këtë platformë impact investors, investitorë që synojnë kryesisht ndikimin social dhe jo domosdoshmërisht përfitimin financiar”, thotë drejtoresha e Partnerët Shqipëri.

Dua Partner Invest (duapartnerinvest.com) do të sjellë së bashku startup-e nga Ballkani Perëndimor, që kërkojnë mundësi financimi, me investitorë (kompani, fonde kapitali sipërmarrës, donatorë, skema investimi me impakt) në kërkim të ideve konkurruese të biznesit, dhe konsulentë me ekspertizë diverse në sektorin e startup-eve.

Sipas studimit të Partnerët Shqipëri, një nga sugjerimet është ngritja e platformave crowdfunding (për mbledhjen e fondeve) përdorimi i këtyre platformave nga sipërmarrjet sociale, si një mjet efektiv i gjetjes së fondeve shtesë. Gjithashtu, rekomandohet ofrimi i skemave të kredive të buta, që vlerësojnë ndikimin social, si dhe lehtësojnë hyrjen në treg të sipërmarrjeve sociale, që do të ndihmonte zhvillimin e këtyre bizneseve. Ekspertët sugjerojnë gjithashtu se programet e trajnimit duhet të adresojnë nevoja si kërkimi i tregut, ndërtimi i një plani biznesi, si dhe riformulimi i ideve bazuar në nevojat e tregut dhe targetimin e klientëve, si vështirësitë më të mëdha të hasura nga sipërmarrjet sociale.

Monitor

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shqipëria është e papërgatitur për të përballuar plakjen e popullsisë...

Të moshuarit, shumica që do të rimodelojë ekonominë