MENU
klinika

Kush urdhëroi, Enveri apo Mehmeti?

Dëshmia e të birit të Tuk Jakovës: Si u eleminua babai ynë…

18.04.2021 - 12:33

         Nga fundi i vitit 1956, deri në prishjen me Moskën, karrigia e Enver Hoxhës, lëkundej në ajër. Në të gjitha vendet komuniste, udhëheqësit stalinistë, ishin ndëruar dhe dënuar. Përveç përpjekjes për të gjetur një degë ku të kapej, në mungesë të saj, Enveri, njëkohësisht me më shumë preokupim, mendonte për një rënie sa më të butë nga karrigia. Ai preferonte më mirë një zëvendësues nga nomenklatura, të besuar, se sa një zëvendësues oponent të goditur nga ai. Nga kontributi dhe popullariteti, kandidatë mund të ishin Mehmet Shehu dhe Tuk Jakova. Në raport me Moskën, Mehmeti, ishte më i preferuar. Fakti që Mehmeti kishte studiuar në Moskë dhe ishte prezent në Legatën Ruse, ndërsa Tuku aspak, flet bindshëm. Në linjën shtetërore, Mehmeti ishte i pa konkurueshëm nga Tuku dhe nga askush. Mehmeti dhe Tuku respektonin kontributin, trimërinë dhe sakrificat e tyre në luftë. Ambiciet për protagonizëm dhe karakteret e tyre, ishin diametralisht të kundërta.

Tuku, njerëzor, i drejtë dhe amnistues; Mehmeti i egër, radikal, ushtarak veprues dhe cilësor. Ambicia për protagonizëm është njerëzore kur bëhet me mjete njerëzore. Mehmeti karshi Tukut këtë e bënte, duke përdorur si mjet aftësinë pushtetare dhe ky mjet është njerëzor. Mehmeti dhe pjesa tjetër e nomenklaturës nuk kishin keqdashje deri në asgjësim për Tukun, përkundrazi. Mehmeti ndihej i konkurruar nga Tuku, vetëm në rrugë partie. Kështu Mehmeti me Moskën dhe Tukun ndihej komod, ndaj nuk kishte arsye të eleminonte fizikisht Tukun. Tuku, nuk pranoi dhe ju kundërvu enverizmit, ndërsa Mehmeti u përkul dhe i shërbeu deri në fundin e tij. Të dy, një e nga një, Enveri i eleminoi. Të dy bashkë e eleminonin Enverin. Në këtë pikë, mentaliteti individual krahinor dhe ndoshta fetar, për fatin e keq të tyre, nuk mundi të sjellë mirëkuptimin telepatik. Nga albumi i Arkivit të Shtetit, botuar me rastin e 70 vjetorit të Çlirimit, në krijimin e Partisë Komuniste, në 8 nëntor 1941, Tuku është zgjedhur sekretar organizativ (jo sekretar i parë), ndërsa Enveri u zgjodh sekretar për financat. Tuku këtë fakt dhe meritë nuk e përmendi asnjëherë.

Si ndodhi historia, që Enveri doli mbi Tukun?! Këtë e shpjegon, servilizmi i tij, karshi Miladinit, lufta e bërrylave, ku Enveri ishte profesionist, shitja e Kosovës, serbëve dhe eleminimi fizik i militantëve anti serb e patriotë. Enveri, pasi siguroi ndikimin absolut te Miladini, bëri që tre anëtarë të Grupit të Shkodrës, të cilët ishin pengesë potenciale për pikësynimin e tij, të dërgohen për aktivitet në zonat më të rrezikshme, me shumë mundësi eleminimi fizik nga pushtuesi, ose nga dora e tij. Kështu ndodhi me Vasil Shanton, Qemal Stafën, ndërsa tek Tuku, veproi fati. Ky projekt mbeti varur. Nga viti 1948 deri 1951, Enveri, ishte sekretar i parë i partisë dhe kryeministër, ndërsa Tuku, sekretar i kuadrove dhe zëvëndës kryeministër. Në gjithë aktivitetin e tij, 1941 deri 1985, Enveri eleminoi dhe asgjësoi fizikisht bërthamën më atdhetare, më të aftë, më kontribuese, më aspiruese, më idealiste, që nga përkushtimi dhe sakrifica zor se do përsëritet për Shqipërinë. Çuditërisht, të gjithë dolën armiq të lidhur me agjenturat e huaja. Pjesën më të madhe, ai, e eleminoi me gjyqe, shpesh të montuara.

Një pjesë të vogël, të nënkuptuar si armiq të pashpallur, u eleminuan nga Sigurimi Shtetit, me alibi, “vetvrasje ose pushim zemre”, mbas pirjes së një filxhani kafeje, apo gote raki ose konjak. Këtu nënkuptohet helmim. Nëse historia, ndonjëherë, do tentojë të zbardhë të vërtetën, mjafton që tablonë e krijuar nga Enveri ta kthejë me kokë poshtë. Do dalin çudira. Deri para arrestimit të Tukut, Enverit, i kishin plasur dy bomba politike. Njëra me protagonist, Tukun dhe Bedriun, në pleniumin e prillit 1955, ndërsa tjetra nga baza e partisë, në Konferencën e Tiranës, në qershor 1956. Aty u pa pulsi i bazës. Përmes kritikave të ashpra ndaj vijës së ndjekur nga Enveri dhe kultit të tij, u kërkua reabilitimi i Tuk Jakovës dhe Bedri Spahiut. Mbi të gjitha, në vijim, mbi kokën e Enverit do qëndronte dhe shpata e Damokleut, moskovite dhe prindërore. Tuku, me përvojën e tij politike, përshkroi profilin politik të Enverit, me shumë largpamësi: “Megaloman i sëmurë, uzurpator i luftës pa e shkrepur, i fshehur skutave, falsifikator i historisë, mbasi shpalli veten si krijues dhe udhëheqës i vetëm i partisë dhe luftës”. Kohë pas kësaj, Enveri do synonte të bëhej figurë botërore duke sfiduar dy supërfuqitë, pa patur fuqi dhe emër. Megalomani apo budallallëk? Tuku i shkeli në kallo shumë herët. Atmosfera politike nga brenda dhe jashtë po kutërbonte për Enverin. Për Tukun, duhej përdorur projekti i mbetur në tentativë “toka e djegur”. Fakti që vdekja e Tukut i’u raportua direkt Enverit në mbledhje, tregon se ai është urdhëruesi. Po ta kishte urdhëruar Mehmeti, do t`i raportohej Mehmetit dhe ky do t’ia thoshte pastaj këtë ndodhi Enverit. Suksesi bashkë me gëzimin, që jep rezultati pozitiv i aktit, i raportohen eprorit urdhërues me devotshmërinë e maratonomakut.

Akti mafioz i helmimit!

Eleminimi fizik i Tuk Jakovës ishte projektuar që me arrestimin e tij. Kërkesën për dënim kapital, procesi hetimor për mungesë provash nuk mundi ta realizojë. Tuku u dënua me 20 vjet heqje lirie, pasuar me derivatet përkatëse. Kështu projekti mbeti varur deri në rastin oportun më të afërt. Për fat të keq të tij, rasti erdhi shpejt dhe në kohën e duhur. Mbas një vit e gjysmë burg, në 17 gusht 1959, në daljen për ajrim, në mëngjes, i fillojnë krizat e apendicitit. U bë një vizitë formale, i’u bë qetësues dhe e mbyllën në birucë ku rinte me bashkëvuajtësin e tij, z. Bedri Spahiu. Për dy ditë, duke trokitur me forcë në derë me nallane për ndihmë, z. Bedri, theu nallanet. “U binda’ thoshte z. Bedri, ‘se kanë vendosur ta lënë të vdesë në qeli”. Kaq i madh ishte mllefi për të. Kalloja e Enverit, të cilën e shkeli Tuku, do kishte dhimbje të përjetshme në sedrën e tij.

Specialistët në qendër, të bindur se shpresa për mbijetesë e Tukut, ishte shuar, menduan, se i burgosuri, ishte më mirë të vdiste në spital, se sa në qeli, ndryshe do ishte një krim banal. Tuku u çua në spital nga burgu te “Mine Peza” sot, në “QSUT”, mesnatën e 19 gushtit 1959. Distanca nga burgu në spital, është rreth 1.5 kilometër. Në atë kohë, nuk kishte as makina, as urbane, as semaforë. Kjo distancë, në këmbë, bëhet për 15-20 minuta. Kujt i shërbente kjo vonesë mbi 58 ore?! Operacioni u krye në mesnatë në Spitalin (në atë kohë) Civil Nr.2, sot “QSUT” Mbas operacionit, u dërgua në një dhomë në katin përdhesë të po atij spitali, që përdorej për të burgosurit. Në atë dhomë kishte të burgosur politikë dhe ordinerë, që rrinin të ndarë. Në atë dhomë, ditë më parë, qe shtruar një i burgosur politik, z. Nikoll Zagorjani, nga Velipoja e Shkodrës. Z. Nikolla, bashkëjetoi me Tukun, si shok, si dëshmitar, deri në frymën e fundit. Nikolla tregon:

– “Të burgosurin e prunë në dhomë dhe e vendosën në krevatin ngjitur me mua, pranë dritares. Ishte me vetëdije, por narkoza nuk i kishte dalë akoma. Dritarja qe me hekura. Përveç rojës te dera, me ardhjen e këtij të burgosuri, u shtua dhe një rojë te dritarja. Në mëngjes i’u afrova, e përshëndeta dhe u prezantova. Më tha: – Jam Tuk Jakova. I sëmuri dalëngadalë po përmirësohej. Fiziku i tij gjigant, i kalitur mbi dy vjet mbijetesë në mal, në natyrë, triumfoi”. Në qendër nuk po vinte lajmi që donin. Kështu, në 23 gusht 1959, shkuan për të parë gjendjen. Mësuan, se Tuku duhej të linte spitalin. Ai, o do kalonte në spitalin e burgut, o do të kthehej në burg. Tentativa e dytë për eleminim fizik, kishte dështuar. Kthimi i të burgosurit në prehrin e qendrës, (në burg), pamundësonte eleminimin fizik. Ky akt duhej lënë në “prehrin” e bluzave të bardha të Spitalit Civil dhe bashkë me të, kryesorja: – përgjegjësia.

Nikolla tregon: – “Mëngjesin e 24 gushtit 1959, roja lajmëron Tukun, se e kërkojnë dhe duhet ta shoqëronte. Si kaloi goxha kohë, Tuku u kthye. Dridhej pak. E pyeta: – Ç`ka kje kjo Tuk? – ‘Kishin ardhë nja dy shokë nga Ministria e Brëndshme me më takue’ – Ç`ka t’thanë? – ‘Bamë bajagi muhabet. U interesuen për familjen, pastaj kujtume kohën e luftës e muhabete të tjera’ – A të nxorrën gja? Po! – Ç’ka? –Konjak! –A pive? –Po, piva! — Të kan myt, mor qyqar! – Jo mor……, shokët me ma ba kët punë? Ata më thanë në fillim…., Tuk, a s’po e pin nji gotë me ne? Kundërshtova, jam i operuem, thash, e kam frikë se më ban dam: – Ke të drejtë, si të dush, – më thanë. Vazhdume muhabetin. Ata kishin mush gotat e tyne dhe pjesës së metun në shishe, i kishin vu për tapë një gotë përmys. Ngjit me to, ishte nji tabake e vogël me 2-3 gota të tjera përmys. Shakat dhe muhabeti kjen të amla, dikur, mora gotën, e kqyra me kujdes, kje e pastër, e musha dhe kadal-kadal, e piva. Si piva gotën, mbas pak u çune, më urune me urimet ma të mira dhe u dame.

Me kohë, gradualisht, filluan dhimbjet dhe temperatura, si dhe dridhjet u shtuan’.

Dhimbjet u forcuan sa Nikolla e mbante në prehër dhe i shtërngonte barkun. Këtu, Tuku u bind për pësimin që mori nga mirëbesimi. Dikur u nis në banjë dhe aty, më pas i ra të fikët. Ishte lajmëruar infermieri dhe mjekët, erdhën dhe e morën në dorë. Edhe pse dhimbjet i’a qetësuan disi, nga temperatura e lartë, herë pas here, fliste përçart. E vizituan dhe mjekë të specialiteteve të tjera. Një ndër ta, ishte mjeku i nderuar psiqiatër, z. Ylvi Vebiu, i cili dëshmon: -“Nuk kish ç’t`i bëja tjetër, veçse se t’i lehtësoja vuajtjen. Në një çast qetësie më tha: – E kanë gabim që shkojnë kundër zhvillimeve botërore’. “Rija pranë’, thotë z. Nikolla, ‘lutesha për të dhe i këndoja këngën, që i kishte ngritur populli i krahinës së Shkodrës për trimëritë e tij. Kur e kapnin kriza të forta, e ulja në prehrin tim dhe i shtërngoja barkun. Nëpër dhëmbë Tuku belbëzonte: – Edhe këtë ma bët, mor qena”! Tuku, nuk e dekonspiroi aktin makabër. Në vend të dekonspirimit të bujshëm, ai, la amanet fëmijët. Në një moment fatal dhe dramatik, me madhështi dhe përgjegjësi për familjen, luajti kartën e fundit. Vdekja nuk mund të shmangej. Urdhëruesi nuk mund të sfidohej. Si mundem ta lehtësoj familjen? Arsyeja diktoi heshtjen dhe ashtu bëri. Zgjedhja dha një farë frut. “Dikur këmba e djathtë që mbante ngritur nga dhimbja dhe dora e djathtë mbi bark’, thotë z. Nikolla, ‘ranë. Tuku dha shpirt në 26.08.1959 ora 23 e 30. Vuajti dy ditë e gjysëm. U kujdesa për sytë dhe gojën dhe bëra shërbesën fetare të rastit. Roja oficer, që ishte te dritarja, u pre në fytyrë. I erdhi keq”, përfundoi z. Nikolla.

Analizë për ekspertizën mjekësore

Tukut i bënë autopsinë dhe më pas një ekspertizë nga tre mjekë me emër, për shkaqet e vdekjes. Vdekja u pagëzua “peritonit akut”. Shkaku kryesor qe vonesa e ardhjes në spital. Shkak tjetër, qe doza e ulët e mjekimit dhe indiferentizmi mjekësor mbas operacionit. Operacioni qe kryer saktë, sipas rregullit klasik. Vetë viktima, kishte pak faj, se organizmi i tij nuk kishte qëndresën e duhur, “për t’i rezistuar helmit”. U gjet një damar i plasur në zemër, “që nuk i kishte sjellur vdekjen”. Ky damar, tregon sa të forta kanë qenë krizat dhe sa ka vuajtur, deri sa i doli shpirti. Kjo ekspertizë “shumë profesionale, me emëra mjekësh shumë kompetentë”, fajëson kryesisht, drejtorinë e burgut dhe spitalin, që i trajton armiqtë me standard tjetër pa pikë kujdesi. Sidoqoftë, përgjegjësia është e shtetit. Vërtet kjo përgjegjësi është e shtetit, por çfarë nënkupton apo nëntregon, kjo ekspertizë, me vështrim të ftohtë, jo mjekësor, por zhbirues të njeriut të thjeshtë, njohës të bëmave të organit famëkeq dhe makabër të diktaturës?! Përgjegjësia kryesore në këtë ekspertizë, i bie drejtorisë së burgut.

Gëlltitet kjo?! Në atë sistem, aq të centralizuar, kujt i’a mbante të vepronte me iniciativën e tij? Mbështetur këtu, kjo përgjegjësi, kalon automatikisht më lart, në Ministrinë e Brendshme. Këtu kishte një celulë të specializuar, ku jepeshin orientime, krijohej skenari, bëhej ekzekutimi në mënyrën më profesionale. Pastaj bëhej mbulimi ose zhdukja e gjurmëve, gjithashtu profesionalisht. Dy aktet e fundit, gjithmonë bëhen objekt i analizës, ku shpesh here, hidhet dritë mbi të vërtetën.

Ekipi që kreu ekzekutimin e ftohtë, përbëhej nga tre persona. Me protokoll, ekipi veprues i sigurimit përbëhej nga dy persona, sepse duhej të mbikëqyrnin njëri tjetrin. Personi i tretë ishte pa tjetër mjeku i Ministrisë së Brendshme, që do shikonte dhe vizitonte të burgosurin, që do dilte nga spitali civil së shpejti. Pikërisht ky mjek bëri shtrimin e Tukut në spital. Prania e këtij mjeku, justifikonte marrjen në përdorim të dhomës së drejtorit, ndryshe oficerët e Sigurimit të Shtetit, nuk mund ta kërkonin këtë privilegj dhe ta përdornin zyrën si terren për aktin që do kryenin.

Detyra e personit të tretë i korrespondon, Llambi Ziçishtit. Emrat e dy personave të tjerë deri sot nuk dihen. Ato i mori Tuku me vete. Ky akt i kryer në një skutë, brenda territorit të Spitalit Civil, larg syrit dhe vëmendjes të vet djallit, largon taktikisht nga përgjegjësia institucionin e krimit, duke e lënë në derën e institucionit human, spitalit. Me siguri, Tuku, hyri në atë derë, nga ku, me frymë apo pa frymë, nuk do dilte i gjallë. Vendimi i asgjësimit i mbetur varur, i dalë nga burimi, nuk kishte kohë dhe rast tjetër më të mirë. Ç`do hallkë e zinxhirit të krimit, dinte vetëm hallkën ngjitur, por kurrë burimin. Në rast se Tuku nuk do kishte pirë konjakun me helm, njerzit e Sigurimit do ta kishin mbytur dhe hedhur nga dritarja e katit të dytë, shoqëruar me alibinë përkatëse, vetvrasje, u hodh nga dritarja. Nuk mjafton me kaq. Në ekspertizën mjeksore ka një boshllëk për ecurinë shëndetësore të Tukut, nga dalja e sallës së operacionit, deri në momentin e helmimit.

Mjekësia bëri me saktësi operacionin dhe pastrimin, kështu thotë ekspertiza. Fakti që i sëmuri qe mire pesë ditë pas operacionit, shkoi në dhomën e vdekjes, goxha larg, një kat më lart, me këmbët e tij dhe u kthye, si dhe vendimi i mjekëve më të mirë kirurgë, me më shumë eksperiencë, për të dalë nga spitali; flet për gjëndje normale, pa rrezik rikthimi. Kush ta ketë shkaktuar këtë boshllëk, mjekësia me neglizhencë, apo alibia e dorës mafioze?! Po pse kjo? Thjesht për të transferuar përgjegjësinë për vdekjen dhe autorësinë e krimit. Tuku në dhomën e vdekjes, në territorin e bluzave të bardha, u mbars me vdekjen dhe me të mbi shpinë, zbriti shkallët me frymë, duke u dridhur pak, për të shkuar e dhënë shpirt, mbas dy ditë e gjysëm, në “prehrin” e bluzave të bardha. “Bravo” kriminelë, për aktin dhe alibinë! Po të qe përdorur si levë mjekësia, për asgjësimin e Tukut, mjaftonte një operacion fals.

Përdorimi i mjeksisë në këtë rast, do bënte, që sekreti të dilte nga garancia. Prandaj u la gjatë në qeli deri sa shpresa për mbijetesë, shkencërisht, u shua, për t`ia lënë përgjegjësinë në prehër mjekësisë dhe për të siguruar garancinë e administrimit të sekretit me alibinë më të besueshme. “Mjekësia bëri të pamundurën, për ta shpëtuar”; thanë në Ministrinë e Brendshme, u dha urdhër. Qe e pa mundur. Vërtet kjo ndodhi, sepse përveç kirurgjisë, për ta shpëtuar, morën pjesë dhe mjekë të specialiteteve të tjera, deri dhe neuropsiqiatri, mbasi nga temperatura e lartë, kishte raste që i sëmuri fliste përçart. Në këto momente tragjike dhe fatale për viktimën, celula e krimit ndihej e ngazëllyer, për mundësinë që jepte ky akt drejt lartësimit në detyrë. A e dinin të shkretët, se për bëmat, para dhe pas këtij akti, një ditë do flijoheshin, për të zhdukur gjurmët!? Nga ana tjetër në të njëjtën kohë, celula e administrimit të burgjeve në Ministrinë e Brëndshme, nga frika e përgjegjësisë, jepte alarmin, që të bëhej e pamundura për ta shpëtuar Tukun.

Oficerët madhorë të Sigurimit të Shtetit erdhën dhe panë gjëndjen e rëndë të Tukut, përse?! Donin të siguroheshin, që Tuku do vdiste, apo të jepnin urdhër, të bëhej e pa mundura për ta shpëtuar?! Donin të mësonin se Tuku kuptoi helmimin, apo të krijonin përshtypjen njerëzore, për të eleminuar çdo dyshim të mundshëm në ambientin spitalor?! Bëma enveriste! A mund të pranohet, që boshllëkun në kartelën e të sëmurit, për ecurinë e sëmundjes, ta ketë shkaktuar neglizhenca mjekësore?!

 

Nga: Agim Jakova