MENU
klinika

Kupa e Shqipërisë

Eliminohet Teuta, Skënderbeu-Vllaznia në finale

14.04.2021 - 17:01

Skënderbeu-Vllaznia ëshyë finalja e Kupës së Shqipërisë në futboll. Korcarët befasuan Teutën, kryesuesen e Superligës, në Durrës, duke fituar 2-0, për më tepër për gjithë pjesën e dytë miqtë luajtën me 10 lojtarë.

Goli i Meksit që në minutën e parë me penallti dhe ai i Elvi Berishës siguruan kualifikimin e korçarëve për në finale, duke qenë se këtë vit kjo fazë luhet me ndeshje teke.

Skuadra e drejtuar nga Migen Memelli ka bërë një ndeshje të madhe duke luftuar për gjithë pjesën e dytë me 10 lojtarë, pasi Berisha mori të kuq menjëherë pas golit, sepse hoqi fanellën, por harroi që e kishte marrë një të verdhë më parë. Kjo është finalja e 7-të e Skënderbeut në historinë e tij.

Në ndeshjen tjetër në Shkodër, Vllaznia fitoi 1-0 ndaj Lacit. Ishte Ardit Hoxhaj që shënoi në minutën e 21-të. Sfida ishte e hapur deri në fund, por vendasit u mbrojtën fortë dhe sigurojnë kalimin në finale të kupës.

Nuk mungoi tensioni në fundin e ndeshjes, teksa lojtarët u përplasën me njëri-tjetrin. Mbrojtësi i Laçit, Obanor, u ndëshkua me karton të kuq, për goditje ndaj kundërshtarit. Shkodranët dhe korçarët janë përballur së fundmi me njëri-tjetrin në një finale Kupe, në vitin 1965, ku triumfonte Vllaznia, me rezultatin 1-0.Vllaznia e ka fituar 9 herë Kupën e Shqipërisë.