MENU
klinika

Formula 1

Gara e Montreal në Kanada drejt anulimit

13.04.2021 - 12:04

Emergjenca e koronavirusit duket se shumë shpejti do të prekë sërish sportin e Formula 1. Përveç faktit se garat po zhvillohen pa tifozë, tashmë po rikthehet makthi i anulimit të tyre, ashtu sikurse ndodhi edhe vjet.

Sipas mediave italiane, gara e Çmimit të Madh të Kanadasë në Formula 1, e parashikuar për më 11 qershor, është në rrezik, si pasojë e infektimeve të shumta me Covid-19 në këtë vend.

Organizatorët e garës nuk janë në gjendje të përballojnë volumin e madh të punës së kësaj gare, duke parë edhe masat shtesë që janë marrë për shkak të pandemisë. Gjithçka do të vendoset brenda kësaj jave nëse kjo garë do të zhvillohet ose jo.

Liberty Media ka gati pistën rezervë dhe me shumë gjasa, në rast se gara e Montreal do të anulohet, ajo do të zëvendësohet nga pista e Stambollit, në Turqi. Këta të fundit janë shprehur të gatshëm të organizojnë garën në kohë rekord. Pista e Stambollit u rikthye vjet në Formula 1 dhe kërkon të jetë në kalendar për të mos u hequr më.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN