MENU
klinika

"I urrej indiferentët!"

Gramshi, një mendim që u bë një botë

27.04.2021 - 14:20

        Ngritur në qiell nga Pasolini, cituar nga politikanë të ndryshëm, Antonio Gramshi, gazetari dhe filozofi italian, vijon të na habisë. I zhgënjyer nga socializmi pozitivist, i joshur nga komunizmi, i përkushtuar dhe luftarak, ai u burgos më 1926, ku shkroi “33 Fletore burgu”, një vepër monumentale./Konica.al/ Nikolas Sarkozi apo Zhan-Lyk Melenshon, nga Shtetet e Bashkuara në Rusi, prej viteve 1970, të gjithë citojnë konceptet e tij: hegjemoni kulturore, luftë lëvizjeje ose pozicioni, fitore e ideve, mekanizëm revolucionar. Mirëpo, i majtë apo i djathtë, në Lindje apo në Perëndim, a e kuptuan ata për çfarë po fliste Gramshi? Kush ishte ai? Cili ishte mendimi i tij? Si mund t’i drejtohemi sot filozofisë së tij të veprimit, ashtu si duhet? Për Gramshin, çdo njeri është intelektual, madje përmes artikujve në gazetë, ai tentonte të ndriçonte “arsyen e shëndoshë” të bashkatdhetarëve, të shkëmbente ide dhe të bëhej një stafetë edukative. Filozofi marksist italian dhe koncepti i tij i “hegjemonisë kulturore” po bëjnë një rikthim të jashtëzakonshëm në peizazhin intelektual, te të majtë e të djathtë.

Antonio Gramshi, themelues i Partisë Komuniste në Itali, lindi në Ales, më 22 janar 1891 dhe vdiq në Romë, më 27 prill 1937. Një prej shkrimeve të tij mban titullin emblematik: “I urrej indiferentët”, ku trajton këtë çështje dhe shpjegon pse indiferenca e njerëzve është një nga të këqijat më serioze të shoqërisë. Gramshi shkroi në vitin 1917, kur Lufta e Parë Botërore ende nuk kishte mbaruar dhe tensionet politike dhe shoqërore ishin të forta, mirëpo fjalët e tij mbartin një vlerë që shkon përtej kontekstit historik në të cilin u konceptuan. Gjërat ndodhin në indiferencë të përgjithshme, ndërsa vetëm në retrospektivë ankohemi, kur është tepër vonë.

“Të jetosh do të thotë të marrësh pjesë dhe të mos jesh indiferent ndaj asaj që ndodh”, – shprehet Antonio Gramshi në “I urrej indiferentët”, një tekst më se aktual në ditët e sotme.

“I urrej indiferentët. Besoj njëlloj si Federico Hebbel, se “të jetosh, do të thotë të jesh partizan”. Kush thotë se njerëzit e ndarë nga qytetërimi nuk mund të ekzistojnë. Kush jeton me të vërtetë, nuk mund të mos jetë qytetar dhe as të veçohet. Indiferenca është plogështi, është parazitizëm, është burracakëri, nuk është jetë. Prandaj i urrej indiferentët.

Indiferenca është pesha e vdekur e historisë. Është goditje plumbi për inovatorin, është materia inerte, në të cilën shpesh mbyten entuziazmat më të ndritura, është këneta e kufomave të qytetërimit të vjetër, të cilin e ruan atë më mirë se sa muret e fortesave, më mirë se sa gjoksi i luftëtarëve të saj, sepse ajo gëlltit trimat në thellësitë e tokës së etur, i shkatërron dhe i dekurajon ata, nganjëherë i bën ata të tërhiqen nga ndërmarrja e tyre heroike. Indiferenca vepron fuqishëm në histori. Ajo vepron në mënyrë pasive, por vepron. Ajo është fataliteti. Ajo është e tillë që të lë pa mbështetje. Ajo është e tillë, që të ç’organizon programet, t’i përmbys planet e ndërtuara më së miri; është materia e papërpunuar që rebelohet me inteligjencën dhe e ndrydh atë. E keqja më e madhe që buron prej saj është se në vënd që të ketë përfitim nga një akt me vlera të mëdha për njerëzimin, ka humbje, për shkak të indiferencës së një grupi qe vepron me mospjesëmarrjen e tij, me mungesën e tij numerike…[…]./Konica.al

Aktivisti politik, gazetari, kritiku teatral dhe letrar, mendimtari kryesor i lëvizjeve punëtore në Torino, udhëheqësi i atëhershëm i Partisë Komuniste Italiane, Antonio Gramsci pati një jetë të shkurtër, por jetoi në mënyrë aktive. Ai vdiq në moshën 46-vjeçare, i dobësuar nga vitet që kaloi në burg nën regjimin fashist. La pas një punë të paorganizuar dhe pa formë, përfshi gjithë korrespondencën, artikujt e gazetave dhe shkrimet në burg. Kjo trashëgimi pati një ndikim të thellë në jetën intelektuale dhe politike në Itali, në Evropë dhe gjetkë. Ndërsa pretendon të jetë marksist, Gramshi kupton rëndësinë e ideve, kulturës dhe kompromisit politik në zaptimin e pushtetit. Ai kritikon materializmin dhe idealizmin e një marksizmi “ortodoks” dhe hedh poshtë idenë e ekonomizmit të pastër dhe determinizmit historik.

Filozofi italian është pjesë e trashëgimisë intelektuale të Evropës. Ai ka farkëtuar mjete të dobishme sot për të analizuar botën, për të kuptuar sesi njerëzit e shohin atë dhe marrin pjesë në jetën shoqërore, si individët dhe mediet bashkëveprojnë, si përfaqësimet dhe identitetet formohen vazhdimisht dhe në mënyrë magmatike. Ndryshe nga intelektualët e tjerë marksistë të kohës, Gramshi i dha rëndësi të madhe kulturës, sesa ekonomisë dhe politikës. Kontributet e tij shërbyen për krijimin e një komunizmi demokratik, që më vonë u quajt eurokomunizëm. Në shkrimet e Antonio Gramshit gjejmë jo vetëm një mendim të rregullt dhe të thellë, por edhe një mënyrë pasionante dhe poetike të shprehjes së vetvetes. Ishte intelektuali që dinte t’u jepte kuptim ideve përmes fakteve konkrete.

Citimet e Antonio Gramshit kanë një bukuri tejet të veçantë. Thuajse të gjitha kanë pak politikë, pak filozofi dhe pak poezi. Pra, shkrimet e tij përfaqësojnë kryekëput atë çka ishte: një intelektual i gjithanshëm, i kompletuar dhe i apasionuar./Konica.al