MENU
klinika

Letërsia moderne spanjolle

Gustavo Adolfo Becquer: romantiku i frymëzuar nga Hajne

21.04.2021 - 16:33

          Gustavo Adolfo Becquer, përfaqësuesi më i madh i romantizmit spanjoll, është shumë më tepër se një klasik. Jeta e tij, krijimtaria e tij, vargjet e tij prekëse, ndikimet e tij magjike dhe bukuria e hijshme e veprave të tij, kanë pushtuar imagjinatën e miliona njerëzve për shekuj me radhë. Shkrimtari, dramaturgu dhe poeti romantik, Gustavo Adolfo Becquer konsiderohet themeluesi i lirikës moderne spanjolle. Dashuria për një këngëtare e bëri atë të shkruante “Rimat”, të cilave u detyrohet famën letrare. “Rimat” janë në origjinë të rrymës intime të poezisë të frymëzuar nga Heinrih Heine, e cila iu kundërvu retorikës pompoze të poetëve të mëparshëm romantikë./Konica.al

Themeluesi i letërsisë moderne spanjolle

Edhe pse famën e mori falë vargjeve, proza ​​e tij është gjithashtu e mrekullueshme. Në “Legjendat”, ai e magjeps lexuesin, duke i treguar një botë fantastike. Nuk u përpoq të linte pas mësimet morale, as t’i qëndronte logjikës, por si autor romantik i dha liri imagjinatës dhe ndjenjave të tij. Disa tekste i përkasin zhanrit gotik ose zhanrit triller, disa janë poezi të vërteta, të shkruara në prozë, të tjerët janë histori aventureske, ku shihet qartë admirimi për natyrën dhe peisazhet kastijane.

Së bashku me Rosalia de Castro, ai inauguroi linjën moderne spanjolle dhe u njoh kështu nga autorë prestigjiozë, si Miguel de Unamuno, vëllezërit Antonio dhe Manuel Maçado, Juan Ramon Jimenez, Rafael Alberti, Federiko Garsa Lorca, etj.

Gustavo Adolfo Dominguez Bastida lindi në Sevilje në 1836. Djali dhe vëllai i piktorëve, ai mbeti jetim në moshën dhjetëvjeçare. Fëmijërinë dhe adoleshencën i kaloi në Sevilje, ku studioi shkencat humane dhe pikturë. Në 1854, u transferua në Madrid, ku punoi si gazetar dhe përshtati drama, kryesisht nga frëngjishtja, në bashkëpunim me Luis Garsia Luna, nën pseudonimin e përbashkët të “Adolfo Garcia”. Gjatë qëndrimit në Sevilje (1858), botoi legjendën e parë: “Udhëheqësi me duar të kuqe” dhe u takua me Julia Espin, e cila ishte mbase muza për disa nga “Rimat” e tij.Vdiq në Madrid në 1870./Konica.al

Shpesh pyesim veten se çfarë përmbajnë “Rimat” dhe “Legjendat” e Becquer, që kanë magjepsur miliona njerëz me okultet e tyre misterioze dhe të errëta, për të mos përmendur komplotet e tmerrshme? Duket se Gustavo Adolfo Becquer mund të ketë pasur kontakte me qarqet spiritualiste në modë në atë epokë. Rrethi i tij shoqëror, komploti i “Rimave” dhe “Legjendave”, si dhe një miqësi e vjetër e fëmijërisë me një nga spiritualistët më të famshëm të Spanjës, duket se e mbështesin këtë tezë. Në brendësi të krijimtarisë së tij, muzika është elementi që bashkon të gjallët me të vdekurit. Mediumet, fantazmat, shpirtrat nga botët e tjera, udhëtimet astrale, fanitjet, botët e formuara nga pluhuri dhe dielli, apo levitimi ishin të gjitha tiparet karakteristike të këtij sekti të veçantë.

“Legjendat” janë një koleksion rrëfimesh post-romantike, intime që evokojnë të kaluarën historike, duke e kombinuar atë me elemente fantastikë ose të pazakontë. Pas vdekjes, miqtë e tij i botuan ato në një botim që përfshinte “Rimat”. Ishte viti 1871 dhe vepra u quajt “Rima dhe Legjenda”. Që në zanafillën e botës, qeniet njerëzore janë mahnitur nga historitë e frikshme. Psikologë të ndryshëm argumentojnë, se kjo është një tendencë e brendshme e natyrës njerëzore. Do të ishte njëlloj trashëgimie e paraardhësve tanë më të largët dhe aftësia e tyre e zhvilluar për të zbuluar kërcënimet. Flitet për frikëra fillestare. Studimet e fundit kanë treguar se trevjeçarët e njohin një gjarpër më shpejt se një lule në një ekran. Në momentet e frikës, trupat tanë lëshojnë valë adrenaline, endorfine dhe dopamine, duke na bërë qenie më të shpejta dhe më të forta. Shumë njerëz mësojnë të përfitojnë nga ndjesia fizike e frikës, veçanërisht nëse jepen brenda mjediseve të sigurta. Këto janë karakteristikat e historive të frikshme: ato duken reale, ne i jetojmë, por mbeten gjithnjë të shkarkuara në faqet e një libri, një ekrani ose një oxhaku. Këtu edhe vepra magjepsëse e Becquer merr një karakter të pavdekshëm, e paprekur nga koha dhe e aftë të krijojë një lidhje me frikën tonë më njerëzore, me misticizmin dhe shijen për fantastiken./Konica.al

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët